Alarmi, regjistrohen 155 aborte në 6 muaj
LEZHË – Autoritetet zyrtare të shëndetësisë në Qarkun e Lezhës kanë publikuar dje statistika të frikshme përsa i përket nurmin të abordeve. Sipas të dhënave të Spitalit Obstetrik – Gjinekologjik të Lezhës, vetëm në 6 muajt e parë të vitit 2008 janë kryer 155 aborde. Një shifër e tillë është publikuar nga vetë drejtori i këtij spitali Zef Zefi. Sipas tij, ka një rritje të madhe të numrit të shtatëzanive të ndërprera në këtë spital. Zefi pohon se po në të njëjtën periudhë, numri i foshnjave që kanë ardhur në jetë gjatë periudhës janar-qershor 2008 është 573. Një raport i tillë nuk konsiderohet i pranueshëm për faktin se në të kaluarën, numri i abordeve ka qenë shumë herë më i ulët. Por nga viti në vit, statistikat flasin për një tendencë të femrave që të ndërpresin lindjen e fëmijëve. Drejtori i Spitalit të Lezhës e shpjegon një gjë të tillë me shumë faktorë ekonomikë dhe socialë. Gjendja e vështirë ekonomike e familjeve, numri i lartë rasteve të shtatëzanisë para martese, apo mungesa e një kulture për planifikimin familjar, kanë bërë që të rritet ndjeshëm numri i abordeve.
Falsifikonin dokumentet, arrestohen dy shtetas
ELBASAN - Dy persona nga Cërriku u arrestuan të premten nga seksioni kundër krimit ekonomiko- financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit, pasi akuzohen për falsifikim të dokumenteve, kryer në bashkëpunim. Sipas policisë, Agron Bozi, 31 vjeç dhe Neim Cano, 43 vjeç, që të dy lindur e banues në qytetin e Cërrikut, u arrestuan mëngjesin e djeshëm, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me anë të falsifikimit të dokumenteve, ushtronin veprimtarinë private të shoqatës së përdorimit të ujit sh.p.k "Bozi" në rezervuarin nr.1 të qytetit të Cërrikut.
VLORË - Gjykata e Vlorës lë në qeli tre ish-zyrtarët e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilët u arrestuan dy ditë më parë. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura pasdite, trupi gjykues, i kryesuar nga Jamarbër Madhi, shqyrtoi në tërësi provat, që kishte paraqitur organi i akuzës në ngarkim të 47 vjeçarit, Genci Panozaqi, 48 vjeçarit, Fatmir Xhema dhe 31 vjecarit, Sokol Kucaj, respektivisht ish-drejtor i Zyrës Rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish- jurist dhe ish-topograf. Në përfundim dhe në prani të të pandehurve dhe avokatëve të tyre, trupi gjykues rikonfirmoi masën e sigurisë "arrest në burg pa afat", për tre të pandehurit, Panozaqi, Kuçaj e Xhema që u ndaluan mbrëmjen e të enjtes, në zbatim të një vendimi të gjykatës së Vlorës, e cila, në të njëjtën ditë, pas kërkesës së prokurorisë, kishte vendosur ndaj tyre masën e sigurisë "arrest në burg". Tre të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Procedimi penal ndaj tyre ka nisur në muajin prill të këtij viti, mbi bazën e kallëzimit të tre shtetasve, për abuzime me prona në zonën Vlorë-Orikum. Nga burime të Prokurorisë, mësohet se sipërfaqja e tokës ku janë konstatuar shkelje është rreth 30 hektarë
Vdes nga infarkti 16-vjeçari, po ruante bagëtitë
DURRËS - Një 16 vjeçar nga fshati Fllakë i Durrësit është gjetur i vdekur mëngjesin e djeshëm teksa kulloste bagëtinë, ndërsa mendohet se vdekja ka ardhur si pasojë e një infarkti të menjëhershëm. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se " 16-vjeçari K.S, lindur dhe banues në fshatin Fllakë, 12 km larg Durrësit, u gjet i vdekur rreth orës 06:30 jashtë banesës, duke kullotur bagëtinë". Sipas policisë, trupi i tij është sjellë në spitalin rajonal të qytetit.
Grekët lënë gjithë natën me qindra emigrantë në pikën kufitare
KAKAVIJË – Rikthehen avazet e vjetra në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, pasi autoritetet fqinje sërish kanë pretenduar për një defekt në rrjetin elektronik. Qindra emigrantë shqiptarë kanë kaluar gjithë natën jashtë në pikën e Kakavijës, deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, shkak ka qenë një defekt i rëndë në sistemin kompjuterik. Zëdhënësi i Policisë, Gentian Mullai, tha se "8 autobusë dhe 150 automjete të vogla kanë qëndruar në doganën greke prej orës 24:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit të ditës së djeshme". "Kjo anomali u shkaktua si pasojë e një defekti të rëndë në sistemin kompjuterik në doganën greke", tha Mullai, duke nënvizuar se "radha e pritjes ishte mbi 500 metra" Sipas tij, gjithçka është normalizuar pas orës 06:00 të mëngjesit të djeshëm, kjo falë rregullimit të kompjuterave nga specialistët grekë të ardhur enkas nga Athina.
Vrasja e Velipojës, 32 vjet e 8 muaj burg për babë e bir
SHKODËR – Babë e birë janë dënuar me rreth 33 vjet burg për vrasjen e një 18-vjeçareje dhe plagosjen rëndë të personit që e shoqëronte, ngjarje kjo e ndodhur në Velipojë vendin e kaluar. Gjykata e rrethit të Shkodrës vendosi 32 vjet e 8 muaj burg për Tom dhe Klodian Mrinën, lindur dhe banues në fshatin Reç të komunës Velipojë. Ata u shpallën fajtor për vrasjen me armë të shtetases Antoneta Tanushi dhe plagosjen e Fatjon Lukës. Ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor të vitit të kaluar, në aksin rrugor Velipojë-Shkodër, kur gjatë një prite që të akuzuarit i kishin bërë automjetit me targë SH 2212 C, në të cilin udhëtonin Antoneta Tanushi dhe shoqëruesi i saj, Faton Luka, ka mbetur e vrarë në vend 18 vjeçarja Tanushi, ndërkohë që 22 vjeçari Luka mbeti i plagosur. Tashmë babë e bir do të vuajnë dënimin e dhënë nga gjykata.
12 Korrik 2008