E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e diplomuar jashtë, prioritet për t’u punësuar si pedagogë



Jonida Tashi

Studentët që kanë studiuar jashtë vendit do të jenë më të preferuarit për të qenë pjesë e stafeve akademike. Ky është kriteri i parë i përcaktuar nga Universiteti i Tiranës, për përzgjedhjen e 157 pedagogëve të rinj. Këtë vit, sipas vendimit të qeverisë, pritet që në universitetet publike të vendit të punësohen 400 pedagogë të rinj. Nga këta, rreth 157 vende të reja pune janë hapur vetëm në Universitetin e Tiranës (UT). Rektori i këtij universiteti, Dhori Kule, bën të ditur se aplikimi i të interesuarve për të qenë pjesë e stafit universitar do të nisë në gusht, ndërsa pritet edhe përcaktimi i kritereve të kandidatëve për pedagogë. Aktualisht, Universiteti i Tiranës është në fazën e propozimeve të kritereve që do të publikohen për pedagogët e ardhshëm. Sipas rektorit të universitetit më të madh në vend, Dhori Kules, tashmë autoritetet drejtuese të fakulteteve po bëjnë propozimet përkatëse për këto kritere, në mënyrë që numri i pedagogëve që ka premtuar qeveria, të shpërndahet në mënyrë sa më të drejtë dhe pikërisht aty ku janë nevojat më të mëdha. Ndërsa për sa i përket vendit ku kandidatët kanë kryer arsimin e lartë, apo edhe ku kanë mbrojtur titujt shkencorë, autoritetet drejtuese të universitetit të Tiranës vazhdojnë të preferojnë më shumë ata studentë që kanë studiuar jashtë vendit. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule u shpreh se përzgjedhja e kandidatëve për pedagogë nuk do të bazohet në diskriminim. “Mirëpresim edhe kandidatura të atyre personave që e kanë kryer shkollën e lartë dhe kanë mbrojtur tituj brenda vendit, megjithatë, përparësi kanë kandidatët që kanë mbaruar doktoratura në universitete jashtë vendit”,- sqaroi Kule. Ndërkohë që përveç miratimit të kërkesës së fakulteteve për rritjen e kuotave të pranimit, është kërkuar dhe shtimi i stafit akademik, që do të jetë i nevojshëm për të përballuar fluksin e pranimeve për propozimet e bëra. Aktualisht, strukturat akademike ndodhen në pritje të përgjigjes së MASH-it, për kërkesat e tyre të dërguara në lidhje me numrin e pedagogëve që duhen shtuar në degët përkatëse të fakulteteve, sidomos të atyre që do të kenë fluksin më të lartë të pranimeve gjatë këtij viti.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›