E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Ndërkombëtare dhe romët në Shqipëri

8 prilli është Dita Ndërkombëtare e Romëve. Për vetë minoritetin rom, kjo ditë është një mundësi për të shpalosur dhe festuar identitetin, origjinën, gjuhën dhe vlerat e tyre të përbashkëta. Por 8 prilli është gjithashtu një rast i mirë për pjesën tjetër të popullsisë, për të mësuar më shumë mbi kulturën rome dhe për t’u ndërgjegjësuar, sjellë në vëmendje dhe reflektuar mbi sfidat me të cilat përballet ky minoritet në Shqipëri. Pavarësisht parashikimeve ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare që janë në fuqi dhe masave të marra ndër vite, të gjithë jemi të vetëdijshëm, që ka ende shumë për të bërë, për të garantuar në praktikë respektimin e të drejtave, integrimin dhe përfshirjen sociale të minoritetit rom në vend. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve romë jetojnë në kushte të mjerueshme dhe përballen me nivele të larta të varfërisë, papunësisë, si dhe diskriminimin në arsim, punësim, shëndetësi, duke mos pasur akses në sistemin social dhe shërbimet publike.
Ne nuk duhet të lejojmë dhe pranojmë edhe një tjetër brez të humbur të vajzave dhe djemve romë, të cilët për shkak të kushteve në të cilat jetojnë dhe mundësive që u ofrohen, shohin si të vetmen të ardhme, një jetë në varfëri, diskriminim dhe përjashtim social, ku fatet e tyre diktohen nga stereotipet negative që ekzistojnë në shoqëri dhe që fatkeqësisht shpeshherë mbeten të pasfiduara.
Për më tepër, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të minoriteteve në Shqipëri, përfshirë këtu romët, është një nga prioritetet e vendosura në procesin e integrimit të vendit në BE. Kjo nuk është një rastësi, pasi intoleranca, racizmi dhe diskriminimi i çdo lloji janë jo vetëm shoqërisht dhe moralisht të papranueshme, por gjithashtu përbëjnë një pengesë të madhe në arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit, si dhe ndikojnë negativisht në stabilitetin dhe integrimin e vendit në BE. Autoritetet publike, si dhe vetë shoqëria, duhet të shfrytëzojë këtë ditë për të sjellë në vëmendje detyrimin që kemi për të siguruar dhe zbatuar instrumentet ligjore / sociale / politike, të cilat do të mundësojnë fuqizimin e minoritetit rom për të dalë nga kjo situatë e pasigurt në të cilën jetojnë. Besoj se detyrimet në këtë drejtim mund të realizohen nëpërmjet angazhimit të përbashkët të autoriteteve qendrore dhe vendore, shoqërisë civile, medias, akademisë, vetë anëtarëve të minoritetit romë, si dhe ndërgjegjësimit të publikut.
Publiku ka pasur këtë vit mundësinë të shohë Avokatin e Popullit t’u japë përparësi të drejtave të minoritetit rom, të drejta këto që duhen parë e trajtuar në një këndvështrim shumëplanësh. Vizioni i institucionit të Avokatit të Popullit ka përfshirë një bashkëpunim të gjerë dhe të ngushtë me OJF-të që veprojnë në vend, si dhe komunitetin ndërkombëtar, në kuadër të të drejtave të këtij minoriteti. Puna e bërë ka konkluduar me disa rekomandime drejtuar organeve të administratës publike, në nivel vendor dhe qendror, ndër të cilat do të përmendja rekomandimet për: 1- marrjen e masave për regjistrimin e pjesëtarëve të komunitetit rom, në regjistrat e gjendjes civile dhe lehtësimin e procedurave të transferimit të të dhënave. 2 - ndryshimet në bazën normative ligjore për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike, me fokus minoritetin rom. 3 - ndryshimet në legjislacionin ekzistues për strehimin e banorëve në zonat urbane, me fokus minoritetin rom. 4 - përfshirjen më të gjerë në programet e formimit profesional dhe të punësimit të pjesëtarëve të minoritetit rom. 5 - lehtësimin e regjistrimit dhe ndjekjes së procesit mësimor nga ana e fëmijëve të minoritetit rom. 6 - përmirësimin e kushteve të jetesës në vendbanime konkrete të minoritetit rom, sikurse godina e ish- Repartit Ushtarak, të ndodhur në Zonën e Sharrës, Tiranë. 7 - trajtimin me strehim të pjesëtarëve të minoritetit rom nga ana e organeve të pushtetit vendor (Bashkia Tiranë), etj.
Avokati i Popullit ka përgatitur gjithashtu një raport të veçantë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me problematikat e minoritetit rom në Shqipëri, si dhe rekomandimet tona në këtë drejtim, i cili për fat të keq nuk është diskutuar ende në Kuvend. Së fundmi janë përgatitur edhe tri rekomandime të reja, në kuadër dhe në vazhdim të rekomandimeve që, ECRI (Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës) i ka drejtuar Shqipërisë mbi këtë problematikë: nga realizimi i disa përmirësimeve në Ligjin nr.69 datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” – deri te marrja e masave konkrete, të parashikuara në Strategjinë Kombëtare për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës së Minoritetit Rom si dhe miratimin e një ligji, ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”.
Në të gjitha iniciativat dhe rekomandimet tona kemi theksuar se, elementët më kryesorë në zgjidhjen e çështjeve me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare janë dialogu konstruktiv dhe i vazhdueshëm, si dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe qytetarëve. Veç rasteve në të cilat rekomandimi është pranuar dhe kemi pasur reagim pozitiv për zgjidhjen e çështjeve të parashtruara, vlerësojmë se një nga treguesit më pozitivë të arritur është sensibilizimi i medias, në lidhje me problematikat që sot shqetësojnë minoritetin në fjalë. Në mbyllje dëshiroj të theksoj se një shoqëri tolerante dhe gjithëpërfshirëse është një pasuri për të gjithë anëtarët e saj.
*Avokat i Popullit
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›