E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Ndërkombëtare e Gruas Studimi, 17% e drejtuesve të biznesit privat janë gra

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Një studim i Ministrisë së Punës evidenton se përfaqësimi i grave në pozicionet drejtuese të bizneseve është në rritje, por sigurisht larg administratës. Sipas një raporti thuhet se rreth 17 për qind e drejtuesve të biznesit privat janë gra. Numri më i madh i bizneseve të regjistruara, që drejtohen nga gratë, ka një përqendrim të madh në zonat urbane, ku edhe mundësitë për biznese janë më të mëdha. Rreth 85 për qind e këtyre bizneseve të drejtuara nga gratë ndodhen në zonat urbane dhe 15 për qind në zonat rurale. Vendin e parë e zë Tirana, me përqëndrim 31 %, Durrësi me 8.7 për qind dhe Elbasani me 6.2 për qind. Statistikat janë kryer nëpërmjet Drejtorisë së Politikave të Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Punësimi te gratë shqiptare kufizohet nga një sërë faktorësh: detyrimi dhe përgjegjësia për rritjen e fëmijëve, kryerja e punëve të shtëpisë, niveli arsimor, aksesi i kufizuar në formimin profesional, pronësia dhe mundësia për të përfituar kredi, etj. Vitet e fundit gratë janë angazhuar më tepër në bizneset private, duke drejtuar biznese të ndryshme sipas mundësive të kushtëzuara nga faktorët ekonomikë apo arsimorë. Gratë kanë ngritur bizneset e tyre kryesisht në aktivitete ekonomike të tilla si tregti, shitje me shumicë, dyqane, shërbime të ndryshme si dentist, noteri, avokati, parukeri, agro-biznes, industri, në prodhimin e bulmetit, tekstil, botime librash, rrobaqepësi dhe punime artizanale. Sipas statistikave të Ministrisë së Punës, aksesi i gruas në arsimim është i barabartë me burrat, por kjo nuk u siguron atyre të njëjtat mundësi në tregun e punës. "Situata e punësimit të gruas është më e favorshme në sektorin e administratës publike, ku gruaja zë 56 për qind të të punësuarve, ndërsa burrat 44 për qind. Pabarazia është shumë e dukshme në sektorin privat, ku një numër shumë i vogël i grave, vetëm 17 për qind, arrin në nivelin e menaxhereve", theksohet në raport. Po sipas statistikave të nxjerra nga Drejtoria e Politikave të Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës thuhet se femrat e punësuara zënë 40 për qind të totalit të punësimeve. Analiza e nivelit të punësimeve në vite evidenton se gjatë gjithë periudhës 1993-2007 niveli i punësimit të femrave ka qenë dukshëm më i ulët se ai i meshkujve. Në ligjin "Për nxitjen e punësimit" janë përfshirë disa programe, midis të cilëve programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë nëpërmjet formimit në punë. Në Programin e nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë femra kanë prioritet femrat e grupeve të veçanta. Në këtë kategori përfshihen ato që janë mbi 35 vjeç, viktimat e trafikut apo gratë në risk, të komunitetit rom etj.

Ky lajm është publikuar: 09/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›