E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxitja e punësimit Ksera: “80 % e vendeve të reja të punës për gratë”

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Deri në 2500 vende të reja pune do të hapen çdo vit ku 80 % e tyre do të jenë për gratë. Shifra zyrtare është komunikuar nga Ministria e Punës ditën e djeshme gjatë një konference me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. “Ministria e Punës, programin e nxitjes së punësimit të grave e konceptoi prioritar ndaj programeve të tjera, për vetë specifikën që kanë punëkërkueset e kësaj kategorie, të cilat janë gra në nevojë dhe që e kanë shumë të vështirë të integrohen në tregun e punës. Çdo vit buxheti i shtetit vë në dispozicion të këtyre programeve mesatarisht 200 milionë lekë, që përkthehen në punësim të rreth 2 500 personave vetëm nga këto programe, nga të cilët 80% janë gra”, thuhet në njoftimin zyrtar. Sipas ministrit Ksera, Qeveria dhe Ministria e Punës ka vendosur në qendër të politikave të saj për zbutjen e varfërisë familjen, sidomos familjet me shumë anëtarë, ato me gra kryefamiljare, kategori të vështira punëkërkuesish të papunë, ku një vend të rëndësishëm zënë gratë, familjet me prindër dhe fëmijë me aftësi të kufizuara, të komunitetit rom e egjiptian, etj. Duke u ndalur në plotësimin e kuadrit ligjor në fushën e barazisë gjinore dhe implementimin e tij, Ksera vuri në dukje se “falë përpjekjeve të bëra në këtë drejtim dhe veçanërisht hartimit të Ligjit Për Barazinë Gjinore në Shoqëri dhe Kodit Zgjedhor, lidhur me kuotën gjinore, u arrit që në zgjedhjet e fundit parlamentare përfaqësimi i gruas të rritet nga 7% në 16%, duke shënuar progresin e parë në këtë drejtim”. Megjithatë, sipas ministrit të Punës, “barazia gjinore dhe garantimi i të drejtave të grave nuk mund të arrihet në mënyrë të izoluar dhe as menjëhere, as vetëm me hartimin e strategjive, dokumenteve politike të zhvillimit apo një legjislacioni modern dhe bashkëkohor, në këtë sfidë, roli i të gjithë aktorëve qofshin shtetërorë, ndërkombëtarë, të botës akademike, shoqërisë civile, medias, etj., është shumë i rëndësishëm, ndaj edhe jemi jo vetëm të hapur, por edhe kërkojmë bashkëpunimin e tyre”. Gjatë takimit të djeshëm ambasadorët Montobbio dhe Lohan, përshëndetën hapat e hedhur nga institucionet shqiptare për përmirësimin dhe plotësimin e legjislacionit në fushën e barazisë gjinore, antidiskriminimit si dhe dhunës në familje si dhe përpjekjet për implementimin e tyre, duke shprehur gadishmërinë për të vazhduar mbështetjen në realizmin e objektivit për arritjen e barazisë gjinore në shoqëri.

Ky lajm është publikuar: 09/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›