Dita Ndërkombëtare e Mjedisit, AMC dhe Korpusi i Vullnetarëve zhvillojnë aksione
Pesë qershori është Dita Ndërkombëtare e Mjedisit dhe në të gjithë botën organizohen aktivitete masive në mbrojtje të natyrës. Në këtë ditë Forumi i Mendimit të Lirë me Korpusin e Vullnetarëve i mbështetur nga AMC, kanë organizuar aksionin masiv të radhës për pastrimin e zonave bregdetare nga papastërtitë, si dhe ndërgjegjësimin për ruajtjen e ambientit. Ky është viti i dytë radhazi që AMC mbështet Korpusin e Vullnetarëve në realizimin e aksioneve të tyre në dobi të mjedisit. Qëllimi i këtyre aksioneve nuk është vetëm pastrimi i ambientit nga mbeturinat por edhe ndërgjegjësimi i përdoruesve të këtyre hapësirave për rëndësinë që ka ruajtja e mjedisit. Ashtu si edhe vjet në këto aksione janë përfshirë edhe punonjës të AMC që i janë bashkuar vullnetarëve në terren. Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, në aksionin për pastrimin e zonës turistike të Gjirit të Lalzit u përfshinë mbi 150 vullnetarë nga qyteti i Tiranës, Durrësit si edhe banorë të zonës përreth. Në këtë aksionin u përfshinë edhe punonjës të pushtetit vendor të cilët edhe falënderuan Korpusin e Vullnetarëve dhe AMC për ndihmesën që japin në pastrimin dhe ruajtjen e ambientit në Gjirin e Lalzit. Vullnetarët u organizuan në dy grupe duke bërë të mundur pastrimin e pjesës së bregdetit, si edhe të pyllit pranë nga mbetjet e pushuesve të pakujdesshëm. Vullnetarët gjatë këtij aksioni mundën të pastronin pjesën më të madhe të zonës turistike si edhe të komunikonin me pushues dhe biznese lokale për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Në përfundim të aksionit të organizuar nga Korpusi i Vullnetarëve dhe AMC plazhi dhe zona e pyllit përreth kishte rreth 100 thasë mbeturina më pak të cilat u ngarkuan në një kamion për t’u dërguar në pikën e grumbullimi. Në politikat e saj AMC ka mbështetur përherë nismat në të mirë të ambientit. Për AMC është shumë i rëndësishëm raporti harmonik midis veprimtarisë së përditshme dhe kujdesjes ndaj ambientit.
7 Qershor 2010