E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: “Korrupsioni, Shqipëria ngel në klasë sërish”

Deputeti i PS-së, Fatmir Toçi akuzon qeverinë për pengesa ndaj biznesit

Një tjetër raport ndërkombëtar provoi dje, edhe njëherë se Shqipëria nën Sali Berishën është shumë larg standardeve. Jo vetëm larg standardeve të vendeve të Bashkimit Europian ku ne synojmë të integrohemi, por edhe tepër prapa vendeve të tjera të rajonit.
Kështu raporti “Mbi rritjen e konkurrencës së sektorit privat në Shqipëri”, studim i Bankës Botërore, tregon edhe njëherë se Shqipëria mbetet pas të gjitha vendeve të tjera në rajon për investime direkte të huaja për frymë. Dhe arsyeja për këtë, gjendet po brenda rreshtave të këtij raporti. Duke provuar atë që Partia Socialiste po thotë prej disa muajsh, raporti tregon se korrupsioni është një ndër pengesat kryesore që i ndalon biznesmenët e huaj të investojnë në Shqipëri, dhe përveç kësaj vazhdon të jetë edhe sot, më se 5 vite pas “duarve të pista”, një problem madhor për të gjitha bizneset vendase, e sidomos ato sipërmarrje që synojnë të punojnë me shtetin shqiptar. Pavarësisht kuadrit rregullator, i kontestuar për cilësi të dobët, zbatimi i këtij kuadri në terren ndesh në një pengesë shumë të madhe. Raporti thotë se, “interpretimi paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm i ligjeve tatimore e fiskale, ose zbatimi arbitrar i tyre, vendosin përpara të gjitha firmave një pengesë kohore. Sipas raportit, biznesmenët shqiptarë duhet të shpenzojnë kohë me organet tatimore e gjyqësore që vendimet të merren në favor të tyre, e për më tepër ata shumë shpesh detyrohen të paguajnë ryshfete. Më se 58% e firmave shqiptare tregojnë se kanë paguar ryshfete kundrejt zyrtarëve të shtetit për të “kryer punë”. 58% e firmave e identifikojnë korrupsionin si një pengesë kryesore, dhe ky është niveli më i lartë në krahasim me vendet e tjera të Evropës Qendrore e Juglindore. Pra, më tepër se një në çdo dy firma në Shqipëri paguajnë ryshfete që organet shtetërore të kryejnë punën e tyre, apo të mos i penalizojnë financiarisht. Shqipëria rezulton e fundit në rajon për kontrollin e korrupsionit, cilësinë rregullatore dhe shtetin ligjor. Kjo nuk është mënyra në të cilën Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Duke qenë se korrupsioni është edhe një nga kushtet që i janë vënë qeverisë për liberalizimin e vizave, duket qartë se qeveria e “duarve të pista” po dështon në një tjetër detyrë thelbësore e angazhim të saj. Ky dështim vjen për shkak të synimit për të mbushur xhepat oborrtarëve të familjes në pushtet. Shqipëria e korrupsionit masiv dhe e praktikës së mos ndëshkimit e Sali Berishës, nuk është Shqipëria që duan të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilëve u duhet të punojnë ndërsa djersa e tyre vidhet përditë nga një qeveri e papërgjegjshme, e cila ka vetëm një synim, të mbajë pushtetin në çdo formë, për t’u pasuruar duke vjedhur këdo, kudo dhe në çdo moment.

7 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›