E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH nis aksionin për debitorët në qytetin e Fierit



Rreth 5 grupe kontrolli të OSSH-së në Fier kanë nisur një aksion kontrollesh te klientët e kompanisë që dyshohet për vjedhje të energjisë elektrike. Ekipet e kontrollit verifikuan 110 konsumatorë nga të cilët 11 rezultuan me shkelje. Bëhet fjalë linja të dyta, matësa të dëmtuara, energji e pafaturuar apo biznese që ishin kontraktuar si familjare. “Kemi si qëllim që të vënë në baza të shëndosha sistemin e matjes së abonentëve. Në mënyrë që çdo abonent që ka probleme me faturimin të kompensohet”,- shprehet një përfaqësuese e OSSH-së në këtë qytet. Në të gjitha rastet e konstatuara u zbatuan procedurat përkatëse, konkretisht për secilin rast u procedua me heqje të matësit, dërgimit të tij në laborator dhe vendosje e matësave të rinj. Të dhënat e reja të këtyre matësave do të reflektohen në muajin pasardhës në sistemin e faturimit.

Fier, kompanitë e ndërtimet do të gjobiten në rast se ndotin qytetin

Ndërmarrja e Pastrimit në Fier prej tri ditësh është duke kryer një aksion për larjen me ujë të segmenteve kryesore dhe atyre brenda qytetit. Gjithçka ka ardhur si pasojë e ndotjes së tyre nga mbetjet inerte dhe baltat, që shkaktohen nga firmat e ndërtimit që kanë hapur gropa për objektet e reja. Drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit, Vangjel Ndreko, deklaron se aksioni konsiston në dy drejtime që kanë të bëjnë me pastrimin e qytetit me ujë, si dhe ndëshkimin e atyre firmave që shkaktojnë ndotjen. Mbi 20 firma në Fier janë duke kryer fazën e parë të fillimit të ndërtimit të objektit të tyre të radhës. Kjo fazë e parë konsiston në hapjen e gropës për themele. Transporti i inerteve dhe i baltës, si dhe punimet bëjnë që shumë segmente kryesore dhe dytësore të qytetit të Fierit të ndoten. Drejtori i pastrimit, Vangjel Ndreko, tregon se firmat e ndërtimit nuk respektojnë rregullat teknike për transportin e inerteve. Po ashtu, sipas drejtorit Ndreko, në sheshet e ndërtimit asnjë nga firmat nuk përmbush kushtet e mbrojtjes së mjedisit.

7 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›