E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, zbardhet skema e rritjes që do të aplikohet në korrik

Sigurimet Shoqërore bëjnë llogaritjet paraprake të rritjes së pensioneve për vitin 2010

Jonida Tashi

Zbardhet skema e rritjes së pensioneve, e cila do të aplikohet në korrik të këtij viti. Ndonëse ende nuk ka një vendim përfundimtar nga qeveria, për të saktësuar përfundimisht masën e rritjes së pensioneve, specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë kanë bërë llogaritjet paraprake të rritjes së të ardhurave minimale dhe maksimale në fshat dhe qytet për vitin 2010. Sipas skemës së rritjes së pensioneve për vitin aktual, rritja mesatare e pagesës do të jetë 1200 lekë në muaj. Ndërsa përsa u përket kategorive që do të përfitojnë më shumë nga rritja, sipas deklaratës së bërë edhe nga vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha, bazuar edhe në llogaritjet e Sigurimeve Shoqërore, më të privilegjuar do të jenë pensionistët që marrin të ardhura minimale.
Skema e rritjes
Duke filluar nga 1 korriku, mbi 520 mijë pensionistë në vendin tonë do të përfitojnë rritje pensionesh. Pavarësisht situatës ekonomike, qeveria është shprehur e vendosur që të vijojë politikat e saj për rritjen e pagave të pensioneve, por kjo do të jetë e përshkallëzuar sipas llojeve të përfitimeve. Ndonëse projekti për rritjen e pensioneve nuk ka marrë ende formën përfundimtare, ekspertët e Ministrisë së Financave dhe ata të Sigurimeve Shoqërore kanë nisur punën për të bërë llogaritjet paraprake. Paraprakisht mësohet se rritja këtë vit do të jetë 7 për qind për pensionet maksimale të qytetit, 10 për qind për ato të ulëtat dhe 15 për qind për pensionet e fshatit. Ndërkaq, rritja e re, përveçse synon shtimin e të ardhurave të pensionistëve, ka si qëllim edhe barazimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Është pikërisht ky shkaku që pensionistët e fshatit do të përfitojnë rritjen më të madhe në përqindje. Sipas skemës së re të rritjes, që do të aplikohet nga 1 korriku vitit aktual, pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet 10 për qind, ose në masën 1027 lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe kompensimet, kjo masë pritet të arrijë në nivelin 13063 lekë. Ndërkohë, pensionet maksimale të plota të qytetit do të rriten në masën 7 për qind, por shtesa në para do të jetë më e madhe, pavarësisht se përqindja është më e ulët. Kështu, sipas llogaritjeve paraprake, një pensionist që trajtohet me pension maksimal qyteti do të marrë një shtesë prej 1440 lekësh në muaj dhe, si pasojë, të ardhurat mujore do të kapin nivelin e 22488 lekëve. Ashtu siç është vepruar edhe gjatë viteve të kaluara, pritet që kjo rritje të mos cenojë kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët. Kështu, të gjithë pensionistët, pa përjashtim, përveç rritjes së re të vitit 2010, do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë. Sipas kësaj skeme rritjeje do të procedohet edhe për pensionet e fshatit. Kjo kategori pensionistësh do të përfitojë rritjen më të lartë në masën 15 për qind. E përkthyer në vlerë monetare do të thotë një rritje prej rreth 950 lekësh në muaj. Kështu, pas kësaj rritjeje, pensioni i plotë i pleqërisë në fshat do të arrijë në masën 8066 lekë në muaj. Vendimi për rritjen e masës së përfitimit për këto kategori do të pasohet me rritje të tjera të diferencuara edhe përgjatë viteve të ardhshme, deri në momentin e barazimit të masës së pensioneve ndërmjet fshatit e qytetit.
Rritja në vazhdim
Mbështetur edhe në parashikimet e projektbuxhetit afatmesëm për vitet e ardhshme, përcaktohet se rritja e pensioneve për 2011-n, 2012-n e 2013-n do të vijojë në 6 për qind për qytetin dhe 15 për qind për fshatin. Për tri vitet e ardhshme masa e rritjes do të jetë në favor të pensioneve minimale. Kategoritë që, duke filluar nga viti i shkuar e deri më 2012-n do të plotësojnë kriteret e daljes në pension, përveç kësaj rritjeje, do të jenë përfituese të masave të akorduara më parë sipas periudhave përkatëse. Gjithashtu, masës së pensionit dhe shtesës që do të bëhet gradualisht do t’u shtohen edhe kompensimet e energjisë dhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë. Në këtë drejtim, rritja e pensioneve, përveç shtimit të të ardhurave personale të vetë pensionistëve, ka si qëllim që t’u jepet një hapësirë të gjitha kategorive të pensioneve për t’u rritur, në mënyrë që të mos ulet interesi për kontributet e pensioneve të diferencuara. Strategjia parashikon mbështetjen edhe për një kategori të caktuara, siç janë fermerët. Për këta të fundit është parashikuar që krahas rritjes së kontributeve, njëkohësisht do të vazhdojë edhe subvencioni nga buxheti i shtetit për kontributet që paguajnë fermerët, me synimin që ata që do të dalin në pension në vitin 2013 do të kenë kushte të njëjta me pensionistët e qytetit.

Fondi i parashikuar nga qeveria për rritjen e pensioneve
Gati 2.7 miliardë lekë do të jetë fondi që qeveria do të vërë në dispozicion të pensionistëve për rritjen e pensioneve gjatë vitit 2010. Ky fond prej 2.7 miliardë lekësh do të përdoret për rritjen e zakonshme të pensioneve në muajin korrik të këtij viti. Për rreth 520 mijë pensionistët në fshat dhe qytet, qeveria do të shpenzojë 80 miliardë e 917 milionë lekë, afërsisht 10 miliardë më shumë se viti 2009. Ky është totali i llogaritur për pensionet që ndahen çdo muaj dhe nuk ka të bëjë me shtesat që miratohen në qershor. Duke i marrë së bashku, fondi i shpenzimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore parashikohet të jetë 106 miliardë e 366 milionë lekë, ose 8.27 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Duhet theksuar se 2.7 miliardë lekë të vendosura për rritje pensioni dalin nga rezerva e shtetit (kontingjenca), për pasojë qeveria ndan edhe 8.3 miliardë lekë të tjerë, të nevojshme për subvencionimin e humbjeve të shkaktuara nga raporti pensionist/kontribuues.

Skema e rritjes që do aplikohet në korrik

Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:

Ishte: 10276 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 12036 lekë

Bëhet: 11303 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 13063 lekë

Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:

Ishte: 20552 lekë + 350 + 150 = 21052 lekë

Bëhet: 21988 lekë + 350 + 150 = 22488 lekë

Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:

Ishte: 6240 + 200 + 690 = 7234 lekë

Bëhet: 7176 + 200 + 690 = 8066 lekë

7 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›