E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, Meta dhe Prifti u premtojnë mbështetje bizneseve prodhuese



Ervin KOÇI

Qeveria do të bëjë më shumë për të mbështetur biznesin fason pasi ai mban në punë një numër të jashtëzakonshëm personash. Kjo ka qenë dje deklarata e bërë nga zëvendëskryeministri Ilir Meta, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit të fasoneve, ku ka qenë i ftuar së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti. Sipas tij, është e vërtetë se biznesi po kalon kohë të vështira, për shkak të efekteve të krizës ekonomike që është induktuar nga jashtë vendit dhe fasonët janë ndër bizneset të cilat preken realisht të parët prej tyre, kjo pasi sipas Metës, “vetë natyra e funksionimit të tyre, me material të porositësit, indukton që ky biznes të jetë i varur nga ecuria e bizneset e vendeve me të cilat bashkëpunon”. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e sipërmarrjeve të ndryshme u kërkuan përfaqësuesve të qeverisë që të mos paguajnë TVSH-në për eksportet dhe lehtësimin e procedurave. Nga ana e tij, ministri Prifti u ka premtuar biznesmenëve se qeveria do të mbështesë me kredi të buta bizneset prodhuese në vend. “Sigurisht problematika është e njohur dhe unë mendoj që edhe pas këtij takimi do të mbaj shënim shqetësimet tuaja dhe do ti rikthehem qeverisë për t’i dhënë një informacion, por dhe do të bëjmë propozimet e duhura për t’ju ardhur në ndihmë. Mundet të bëjmë dhe faljen e kamat-vonesave për pagesat që ju i keni të vonuara”,- sqaroi ministri Prifti.

Fasonistët
Biznesi i fasonistëve dhe shoqata e eksportuesve i kërkojnë qeverisë lehtësi fiskale për të përballuar pasojën e krizës ekonomike. Fasoni, që përbën edhe pjesën dërrmuese të eksporteve shqiptare përballet me probleme të shumta që lidhen kryesisht me mos-rimbursimin në kohë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo përcaktimin e pagës minimale nga qeveria. Fasonistët kanë kërkuar nga qeveria zbatimin e një strategjie për këtë sektor me qëllim mbrojtjen e interesave të 300 ndërmarrjeve të kësaj dege të ekonomisë ku janë të punësuar me mijëra vetë, kryesisht gra dhe vajza. Një nga biznesmenët e kësaj fushe, Alban Zusi, shprehet ka një sërë ligjesh të miratuara nga qeveria që janë favorizuese për sipërmarrjet private, por nuk zbatohen. Sipas tij, nuk gjen zbatim siç duhet, rimbursimi i TVSH-së, nuk aplikohet prova tre mujore kur merret në punë një punonjës, por kërkohet menjëherë sigurimi i tij, etj. “Sikur të zbatoheshin ligjet në fuqi, ne do të na reduktoheshin 20-30 për qind të kostove tona të punës”-shprehet Zusi. Fasonistët kërkuan heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe pajisjet. “Nëse futen makineritë dhe pajisjet nuk paguhej në doganë, kjo skemë u ndryshua dhe tani duhet të paguhet TVSH-ja. Kjo TVSH-ë duhet të kalojë për biznesin”,- është shprehur Zusi.

Premtimet
Ministri i Ekonomisë premtoi se propozimet e biznesit do të shqyrtohen, por do të jetë qeveria që do të vendosë. “Disa nga çështjet janë të zgjidhshme si çështja e rimbursimit të TVSH-së. Mundet të bëjmë edhe faljen e kamat-vonesave”,- theksoi Prifti. Vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti, importi i makinerive dhe pajisjeve ka rënë 22 për qind krahasuar me një vit më parë, duke qenë një paralajmërim i madh për rënien e investimeve nga biznesi. Bizneset eksportuese ngrenë shqetësimin se burokracitë shtetërore, si pasojë e mos zbatimit të ligjit rrisin kostot e tyre në punë, duke punësuar një person të veçantë, për të mbuluar këto procedura. Më tej, ministri Prifti njoftoi fillimin e zbatimit të një nisme të re për bizneset eksportuese. Një fond prej 10 milion euro do të shpërndahet brenda këtij viti, për bizneset kryesisht fasonist që kanë nevojë të zhvillojnë aktivitetin e tyre me qëllim rritjen e punësimit. Në bazë të këtij projekti, çdo biznes do të mund të përfitojë deri ne 500 mijë euro, me një interes vjetor prej 3 për qind. Një zyrë e posaçme në METE do të merret me aplikimet e biznesit dhe me miratimin e kredive, të cilat do të shpërndahen në pesë banka të nivelit të dytë. Mbështetja e biznesit me kredi të buta është një masë e nevojshme, në kushtet kur bankat kanë shtrenjtuar ndjeshëm normat e interesit. Eksportuesit janë sektori, I cili ka ndjerë efektet më të mëdha nga kriza ekonomike globale dhe kanë nevojë për lehtësira fiskale për të rimarrë veten.

BOX///////////////////////////////////////
Financat: Nuk ka krizë, të ardhurat janë rritur

Ministria e Financave ka përgënjeshtruar dje deklaratat e një dite më parë të Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për thellimin e krizës ekonomike në vend. Zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, një konferencë për shtyp ju referua të dhënave ekonomike të pesë mujorit të 2010-ës duke theksuar se ato janë pozitive. “Në emër të Ministrisë së Financave jam këtu për të rrëzuar dhe përgënjeshtruar, pretendimet e kreut te opozitës në lidhje me situatën ekonomike në vend”,- u shpreh Haldeda. Ai u shpreh se importi i makinerive dhe pajisjeve, duke e krahasuar muajin maj 2010 me muajin maj 2009 rezulton të ketë rritje në volume. Ndërsa për importet, “në maj të vitit 2010 janë 33.3 miliard lekë dhe në maj 2009 janë 32.5 miliard lekë ose 2.5% me shumë”,- tha Haldeda. Ai theksoi se të ardhurat nga importet janë 3% më shumë se programi. Ai u shpreh se dhe shifrat e eksporteve reflektojnë një rritje prej mbi 77% në volum dhe 2.6 herë më shumë në lekë. “Për sa i përket pretendimeve për rëndimin e ekonomisë së familjeve shqiptare nga disa ndryshime të bëra së fundi në ligjin ‘Për Akcizat’, theksoj se këto pretendime janë të pabaza pasi jo vetëm që nuk prekin jetën e qytetarëve por përkundrazi ndryshimi i ligjit ‘Për Akcizat’ reflekton disa ulje në disa produkteve që janë pjesë e konsumit familjar”,- theksoi ai.

7 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›