Dita botërore e SIDA-s, 65 raste të reje në Shqipëri

Vazhdon të rritet numri i të prekurve me HIV/AIDS në vendin tonë. Në ditën botërore të luftës kundër virusit, Shqipëria numëron 65 raste të reja për 2011, ç`ka përbën edhe numrin më të lartë të të prekurve ndër vite. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, 48 nga të infektuarit janë meshkuj, 17 femra, ndërsa 3 janë fëmijë. Në total numri i të infektuarve gjatë 20 viteve të fundit prek shifrën e 478 personave, ku 24 janë fëmijë, ndërsa raportet mes gjinive janë pothuajse në nivelet 70 për qind meshkuj me 30 për qind femra.
Por specialistët thonë se numri në total mund të jetë më i lartë, dhe mund të arrijë në mbi 1 mijë. Sipas tyre një pjesë e mirë e të infektuarve nuk janë identifikuar, pasi ata refuzojnë të bëjnë testin.
Përsa u përket 65 pacientëve, të cilët janë diagnostikuar këtë vit, ata kryesisht i përkasin testimit vullnetar dhe kanë qenë ende në stadin e HIV-it, pa kaluar në stadin më të avancuar të sëmundjes. Mjekët thonë se meshkujt janë më të gatshëm për të bërë testin, ndërsa femrat ngurrojnë për shkak të paragjykimeve. Sipas burimeve spitalore, 92 prej të infektuarave ndër vite kanë humbur jetën, ndërsa rezulton se prej vitit 2004, ndjekin terapinë e antiretroviralit 161 persona.