Berisha shkatërron Parkun Kombëtar të Llogarasë
“Mullinjetë me erë”
Vendimi: 95 746 ha pyje hiqen nga fondi kombëtar dhe çregjistrohen nga kadastra. Urdhri i Kryeministrit prek Llogaranë, Palasën, Karaburunin
Rreth 100 mijë hektarë pyje e kullota, do të preken për realizimin e projekteve italiane, për prodhim të energjisë nëpërmjet erës. Do të jetë pikërisht pjesa më e bukur e bregdetit shqiptar që do të bëhet kurban për projektet e prezantuara si gjigante nga investitorët italianë. Megjithëse marrëvjeshja është zyrtarizuar dje gjatë vizitës së Kryeministrit italian në Shqipëri, qeveria shqiptare ka marrë këtë vendim muaj më parë. Është pikërisht vendimi i Këshillit të Ministrave, me Nr.1146, datë 5.8.2008, që bën me dije, jo vetëm shpyllëzimin e Parkut Kombëtar të Llogarasë, Palasës dhe Karaburunit, por edhe investitorin e parkur energjitik. Kështu, në bazë të këtij vendimi të marrë rreth 3 muaj më parë, firmës “Enpower Albania”, kompania mëmë e së cilës ndodhet në Sicili të Italisë, i është dhënë përdorimi i ngastrave pyjore.
Vendimi
Kryeministri italian, Silivio Berluskoni, i ka dhënë bekimin parkut energjitik në Jug të vendit. Marrëveshjet e nënshkruara gjatë ditës së djeshme, duket se janë epilogu i një sërë vendimesh dhe marrëveshjesh që kanë nisur që në janar të këtij viti për ndërtimin e një parku në zonën e Radhimës dhe Karaburunit, park i cili do të ketë si burim energjie erën. Të paktën, këtë lë të besosh edhe vendimi i marrë nga Kryeministri Sali Berisha, me 5 gusht të këtij viti. Vendimi i Kryeministrit Berisha argumenton se 95. 746 ha do të përdoren për vendosjen e anemometrave të nënstacioneve për infrastrukturën lidhëse elektrike, për aerogjeneratorët, shtyllat e tensionit të lartë, si dhe për rrugët lidhëse me aerogjeneratorët. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, propozimi për kalimin e kësaj sipërfaqeje nën përdorimin e “Enpower Albania”, është bërë nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Mjedisit. Ndërsa më 5 gusht të vitit 2008, Sali Berisha ka vendosur kalimin e kësaj sipërfaqeje pyjesh nga fondi pyjor dhe kullosor kombëtar dhe të çregjistrohen nga zëri kadastral, pyll dhe kullota. Sipërfaqja që do të shpyllëzohet për ndërtimin e parkut energjitik, përfshin zonat e Brinjat, e Fshës -Karaburun, Kume-Shashicë, Ana e Detit-Palasë, parku Pyjor Llogara, Karaburun, Dukat-Tragjas-Shashicë, Shashicë-Gumenicë, Ana e Detit. Nepërmjet këtij vendimi, Kryeministri Berisha i jep të drejtë firmës që të ndërhyjë në të gjithë këtë sipërfaqe pyjore që, deri më 5 gusht të vitit 2008, konsiderohej Park Kombëtar. I vetmi sanksion për firmën që do të kryejë punimet, janë dy radhë në pikën 3 të këtij vendimi. “Enpower Albania” sh.p.k., brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të përmirësojë 93 ha, si dhe të pyllëzojë 4 ha me pyje, sipas ngastrave të përcaktuara nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor”,-thuhet në vendimin e datës 05.08. 2008. Për të kënaqur miqtë italianë, Kryeministri Berisha nuk nguron të firmosë edhe një vendim që prek parkun më të bukur kombëtar, siç është ai i Llogarasë.
Vendim
Nr.1146, datë 5.8.2008
Për heqjen e disa ngastrave nga fondi pyjor dhe kullosor, që do të përdoren për vendosjen e anemometrave, të nënstacioneve, për infrastrukturën lidhëse elektrike, për aerogjeneratorët, shtyllat e tensionit të lartë, si dhe për rrugët lidhëse me aerogjeneratorët
Vendosi:
1. Sipërfaqet në ngastrat pyjore dhe kullosore, që do të përdoren nga “Enpower Albania”, sh.p.k. për vendosjen e anemometrave, të nënstacioneve, për infrastrukturën lidhëse elektrike, aerogjeneratorët dhe shtyllat e tensionit të lartë, prej 11.765 ha fond kullosor dhe 0.208 ha fond pyjor, gjithsej 11.973 ha, si dhe sipërfaqet në ngastrat pyjore dhe kullosore, që do të përdoren nga “Enpower Albania”, sh.p.k., për të ndërtuar rrugët lidhëse me aerogjeneratorët, prej 2 850 ha fond pyjor dhe 80 924 ha fond kullosor, gjithsej 83 774 ha, që bëjnë pjesë ekonomitë pyjore Brinjat e Fshës-Karaburun, Kume-Shashicë, Ana e Detit-Palasë, parku Pyjor Llogara dhe në ekonomitë kullorose Karaburun, Dukat-Tragjas-Shashicë, Shashicë-Gumenicë, Ana e Detit, totali i sipërfaqes, gjithsej 95 746 ha, të hiqen nga fondi pyjor dhe kullosor kombëtar dhe të çregjistrohen nga zëri kadastral, pyll dhe kullota, sipas tabelave 1 e 2 dhe hartave përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Mediat italiane, që në janar të këtij viti kanë pasqyruar në detaje projektin që Kryeministri Berisha ka firmosur dje në prani të homologut të tij, Silvio Berluskoni
Rruga elektrike nënujore nga Vlora në Brindizi
Parku konsiderohet impianti më i madh në Europë dhe do të ketë një investim prej më shumë 1 miliard eurosh
Zyrtarisht është folur vetëm dje, ndërkohë që prej një viti, projekti i prodhimit të energjisë nëpërmejt erës, ka nisur konkretizimin në Itali. Nënshkrimi i katër marrëveshjeve duket se ishte dhe qëllimi i vizitës disaorëshe i Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. E ndërsa duart për të bekuar këto projekte u shtrënguan në këtë fundviti, mediat italiane kanë pasqyruar me detaje projektin e Parkut Energjitik me erë, në jug të vendit, që në janar të 2008-s. Më 17 janar të këtij vitit, në gazetën “Gazzetta del Mezzogiorno”, pasqyrohet një artikull i plotë për projektin e kompanisë italiane me qendër në Sicili. Gazeta i referohet vendimit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, e cila ka miratuar projektin e paraqitur nga kompania “Moncada Construzioni”. Materiali në këtë të përditshme bën me dije hollësi të plota të projektit, nëpërmjet të cilit do të furnizohet me energji elektrike shteti fqinj, Italia.
Projekti
Në fillim të këtij viti, mediat italiane i kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme ndërtimit të parkut energjitik me erë në Shqipëri. Megjithëse marrëveshja zyrtare e nënshkrimit të këtij parku është zyrtarizuar dje, në shtetin fqinj është folur që në fillim të vitit për projektin që do t’i sigurojë energji elektrike Italisë. Duke iu referuar një vendimit të Këshillit të Ministrave, mediat italiane bëjnë me dije projektin e kopanisë italiane "Moncada Construzioni" në zonën e Radhimës dhe Karaburunit.Impianti me kullat e erës konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në Evropë, ndërtimi i të cilit kushton rreth 1 miliard euro. Madje, në shkrime flitet edhe për ndërtimin e një rruge elektrike nënujore, rreth 130 kilometra nën 900 metra thellësi, ndërmjet Vlorës dhe jugut të Brindisi. Sipas këtij projekti, nga kjo rrugë elektrike do të transmetojë në shtetin fqinj, energjinë e prodhur nga kullat, me erë me një kapacitet rreth rreth 500 MW. Kështu, e gjithë kurora ebregdetit të Vlorës do të rrethohet nga kulla energjetike, të larta rreth 120 metra. Projekti i kompanisë siciliane parashikon vendosjen e 250 kullave të prodhimit të energjisë me ere në majat e Karaburunit, Llogarasë dhe pjesës mbi Dukat, etj. Pikërisht në ato zona, për të cilat në gusht të këtij viti, ka dalë dhe vendimi për shpyllëzimin e e zonës. Specialistët thonë se më përfundimin e projektit, bredeti i jugut do të jetë i rrethuar nga një gardh i hekurt i kullave që do të prodhojnë energji nëpërmjet erës. Secila prej tyre do të jetë e lartë 78 metra dhe, në këtë lartësi, do të jetë e vendosur helika me tre krahë, me diametër 80 metra. Në kontratën e lidhur midis qeverisë shqiptare dhe firmën italiane, "Moncada Construzioni", është përcaktuar që në 80 për qind të kapacitetit, gjatë këtyre 20 viteve që linja do të jetë në punë, të drejtat do të jenë në favor të kompanisë italiane.
Marrëveshja
Referuar marrëveshjes së lidhur me qeverinë shqiptare, drejtimi i kalimit të energjisë me anë të kësaj linje nënujore do të jetë në dy drejtime, Shqipëri-Itali dhe Itali-Shqipëri. Kapaciteti total i kësaj linje parashikohet që të jetë 500 MW, nga të cilat 400 MW, i vihen në dispozicion, gjatë 20 viteve, kompanisë italiane "Moncada Construzioni". Kontrata parashikon që punimet të fillojnë për ndërtimin e kësaj linje brenda një periudhe 12-mujore nga data e hyrjes në fuqi të kësaj lejeje. Ndërsa, përsa i përket afatit të mbarimit të punimeve të kësaj linje dhe lidhjes së saj me sistemin elektroenergjetik shqiptar, parashikohet që kjo të realizohet në harkun kohor të 26 muajve nga data e fillimit të punimeve