E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e BE, artistët shqiptarë të skenave evropiane ‘festojnë’ në TOB

TIRANË- Artistët më të mirë shqiptarë që interpretojnë në skenat evropiane, iu bashkuan sot në mbrëmje skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit në një koncert të madh kushtuar 9 majit, festës së Europës. 

Programi i larmishëm i koncertit, organizuar nga Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, mblodhi artistët si violinçelisti Renato Ripo, violinisti Olen Çezari, baritoni Gëzim Myshketa, apo mezzo-sopranoja Enkelejda Shkoza, etj. Ata interpretuan përpara publikut shqiptar dhe trupës diplomatike në Shqipëri, nën drejtimin e mjeshtrit Zhani Ciko. 

Programi i këtij koncerti nisi me hymnin e Europës dhe hymnin shqiptar e u mbyll me Amigos Para Siempre, ndërsa nuk munguan kryeveprat botërore dhe të muzikës shqiptare. Krahas artistëve shqiptar që kanë shkëlqyer jashtë kufijve, në koncert interpretuan edhe solistë të Teatrit të Operas, por edhe instrumentistë të huaj. 

9 maji 1950 është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shcuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte “themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme Evropiane”.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra-tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi atë kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake. Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 Maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›