E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku Basha fton biznesin kinez/Tirana, vendi i duhur për investime

10-05-2012 / Gazeta 55

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha prezantoi dje në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik, Shqipëri-Kinë potencialet që mbart Tirana për investime dhe lehtësirat e krijuara për biznesin. Zoti Basha u ndal në mundësitë që hap plani urbanistik, projektet strategjike e deri te klima e biznesit dhe lehtësirat që ofrohen për të investuar në Tiranë.
“Këtë muaj Tirana do të shpallë planin e ri urbanistik, i cili së bashku me investimet strategjike në fushat e infrastrukturës, telekomunikacionit, dhe ndërtimeve të sektorit privat, do t’i japë një shtysë të jashtëzakonshme ekonomisë se qytetit dhe mbarë vendit. Plani i ri urbanistik dhe plani i detajuar i bulevardit të ri të Tiranës dhe rehabilitimit të Lumit të Tiranës, i cili iu është prezantuar në detaje autoriteteve të Republikës Popullore të Kinës, plani për ndërtimin e dy linjave të tramit të Tiranës dhe të terminalit multimodal të pasagjerëve në hyrje të Tiranës, janë disa prej projekteve kryesore me të cilat ne dalim sot para jush në Tiranë dhe para autoriteteve kineze në Pekin dhe investitorëve kinezë kudo”- u shpreh Basha. Ai ftoi investitorët kinezë të përqendrojnë investimet e tyre në Tiranë, kryesisht në ndërtimin e qendrave rezidenciale, komerciale apo dhe ndërtimin e parkut të ri teknologjik. Fusha këto, tha Basha, të lidhura me eksportin drejt Evropës, pasi kryeqyteti shqiptar është vetëm 90 minuta larg kryeqendrave të Bashkimit Evropian. “Për nga impakti që këto do të kenë, dhe për nga mundësitë që do të hapin për investime private në fushën e ndërtimit rezidencial, komercial, ndërtimin e parkut të ri teknologjik dhe zonave të reja prodhuese, besoj se meritojnë vëmendjen tuaj të plotë. Shumë prej fushave të aktivitetit tuaj prodhues janë të lidhura me eksportin drejt Europës. E pra Tiranë është një orë dhe një orë e 30 minuta larg qendrave kryesore të Europës. Investimet në sektorin e prodhimit në Tiranë do të bëhen në kushtet e klimës më miqësore që ju mund të gjeni në këtë kontinent”- tha Basha. Ai informoi investitorët mbi lehtësitë e krijuara në regjistrimin e biznesit dhe përjashtimin nga taksat lokale të çdo biznesi që ka më shumë se 50 punonjës. “Regjistrimin e biznesit brenda gjysmë ore, me një kosto simbolike prej një euro, marrjen e gjithë licencave dhe lejeve në një ndalesë të vetme me kohëzgjatje 7 deri në 10 ditë dhe marrjen e një leje ndërtimi jo më gjatë se 55 ditë. Për më shumë, çdo biznes që do të punësojë më shumë se 50 punonjës, do të përjashtohet tërësisht nga taksat lokale për 4 vjet. Pra për katër vjet taksat lokale do të jenë zero. Këto janë disa prej arsyeve kryesore se pse ne mendojmë që ardhja juaj këtu është një ogur i mirë dhe nuk keni ardhur për të ikur, por për të qëndruar. Ju siguroj se Bashkia e Tiranës do të shumëfishojë përpjekjet për ta bërë vendosjen e bizneseve tuaja në Tiranë dhe nisjen e investimeve tuaja në këtë qytet, sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë” - theksoi Basha. Në këtë konferencë dhe në prani të Kryeministrit, u nënshkrua mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Nanjingut marrëveshja e bashkëpunimit. Ky memorandum i nënshkruar nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti dhe ai i Nanjingut Li Fuquan, parashikon bashkëpunim në fushën e turizmit, shkencën, teknologjinë, kulturën, ndërtimin urban etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›