E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi kandidat - ambasadorja Holtkemper: Të përmbushen rekomandimet - presidenti i ri të luajë rol përbashkues

10-05-2012 / Gazeta 55

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Karola Holtkemper shprehet se marrja e statusit për integrimin e vendit në vjeshtën e këtij viti varet nga përpjekjet e palëve politike për të përmbushur 12 kriteret e kërkuara nga BE. Nga Gjirokastra ajo tha se duhet përmirësuar reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. “Që prej nëntorit të vitit të kaluar Shqipëria është angazhuar për të mbushur 12 kriteret për statusin kandidat, dhe plotësimi i tyre mbetet ende për tu parë. Mund të përmend si çështje të ndjeshme ligjin elektoral dhe procedurat e përmirësimit të tij në parlament. Ende duhen bërë përpjekje prandaj mund të them sot se kjo çështje që ngelet akoma e hapur” - u shpreh ambasadorja gjermane.
Lidhur me zgjedhjen e presidentit, ambasadorja mban të njëjtin qëndrim si më parë. “Shqipëria ka një kushtetutë dhe kjo kushtetutë shikon si preferencial një autoritet që do të zgjidhej nga një mazhorancë e gjerë. Ky do të ishte rasti ideal, kështu bazuar në kushtetutën tuaj presidenti do të duhej të përfaqësonte bashkimin e njerëzve”- shtoi Holtkemper. Nga ana tjetër, e pyetur rreth projektit të linjës së interkonjuksionit, Holtkemper tha se nuk ka konflikt me qeverinë shqiptare, por po punohet për transparencë me bankën gjermane. “Kjo çështje është ende problematike dhe e pazgjidhur. Nuk mund të flasim për një konflikt me qeverinë shqiptare por ka disa çështje të mbështetura tek kontrata mes bankës gjermane dhe qeverisë shqiptare që meritojnë të rivlerësohen dhe gjatë rivlerësimit është e qartë që konkluzionet finale nuk mund të kënaqin të gjitha palët. Nga ana jonë, pra e qeverisë gjermane dhe bankës gjermane KFË po punojmë me shumë transparence”- theksoi më tej ambasadorja. Në një takim me pushtetarët vendorë, ambasadorja gjermane ka kërkuar më shumë vëmendje ndaj trashëgimisë dhe çështjeve të turizmit dhe zhvillimit të rajonit jugor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›