Dita e Evropës, Malaj: Të votojmë 3 ligjet, të lihen pas interesat elektorale
Tiranë- Në kuadër të Ditës së Evropës, deputeti socialist Arben Malaj, që në zgjedhjet e këtij viti do të kandidojë i pavarur, ka kërkuar sot që të bëhet miratimi i tre ligjeve që kërkohen nga Bashkimi Evropian për integrimin e vendit.
Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai shprehet se do të ishte një veprim dinjitoz që Parlamenti të mos i mbyllë punimet e tij pa miratuar tre ligjet.
Të veprojmë në bazë të detyrimit për të ardhmen europiane të të gjithë shqiptarëve. Të veprojmë me vizionin dhe përgjegjësinë ndaj të ardhmes dhe jo me inate personale apo interesa elektorale. E mbështes propozimin e përsëritur të LSI-së për miratimin e ligjeve. Ta arrijmë sot këtë konsensus, sot në këtë ditë simbolike. Ta votojmë me vullnet të plotë dhe përgjegjësi të qartë për të ardhmen tonë. Do të jetë mënyra më drejtpërdrejtë, më e plotë edhe për një mirënjohje ndaj SHBA dhe BE që po e mbeshtesin Shqipërinë dhe Ballkanin drejt të ardhmes euro-atlantike,- shprehet ai.
Malaj do të kandidojë si deputet i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit në Vlorë, pais ai është lënë jashtë listës së kandidatëve nga Partia Socialiste. Në mbështetje të tij ka dalë edhe ish-kryeministri Fatos Nano.