E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Fitores, britanikët parakalim përpara portretit të Josif Stalinit

Autori i Lajmit: A.Dralo

Moskë - Jemi mësuar ti shohim rojet e famshme britanike të marshojnë me kapelet e tyre prej lëkure ariu shpesh përpara Pallatit Mbretëror në Britani, por parakalimin në Sheshin e Kuq përpara Kremlinit as ata vetë nuk e kishin menduar. 76 ushtarë britanikë të batalionit 2 të Rojeve Uellsiane do të parakalojnë më 9 maj në 65-vjetorin e kremtimit të fundit të Luftës së Dytë Botërore ditën e diel. Këtë vit, për herë të parë në këtë ceremoni historike do të marrin pjesë së bashku forcat britanike, franceze, amerikane dhe ruse së bashku me bandat përkatëse. Rojet që dje bënë një parakalim demonstrativ, mbanin në kokë dhe kapelet e famshme prej lëkure ariu, por jo kostumet e kuqe tradicionale. “Ne jemi shumë të nderuar dhe të privilegjuar që do të marrim pjesë dhe jemi kërkuar të përfaqësojmë trupat britanike në 65-vjetorin e Paradës në Sheshin e Kuq të Moskës”, - tha majori Dai Bevan. “Kjo është një eksperiencë unike për Forcat e Rojeve Uellsiane, por dhe forcat e para britanike që do të marshojnë në Moskë. Parada është një mënyrë e jashtëzakonshme për të kremtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore me aleatët tanë dhe të gjithë janë shumë të lumtur që do të jenë pjesë e një eksperience të tillë”. Tanket dhe artileria e rëndë kanë parakaluar dje në rrugët e Moskës gjatë provave të paradës. Tanket e famshme sovjetike T-34 dhe raketat balistike që bën historinë e luftës sovjetike, mund të shiheshin nga kalimtarët e rastit në rrugët e gjera përpara portretit të ish-udhëheqësit sovjetik, Josif Stalin. Një ngjarje e tillë është rrethuar nga një debat i përvitshëm për shfaqjen e portretit të ish-diktatorit në qendër të sheshit. Nëse parada do të zhvillohet sipas parashikimeve, ajo do të thyejë një tabu në Rusinë e sotme. Për shumë njerëz, Stalini mbetet një kasap që ka dërguar mijëra njerëz të pafajshëm, anëtarë të Partisë Komuniste Sovjetike, në gijotinë dhe ka kryer një sërë spastrimesh politike. Ai ka lejuar gjithashtu vdekjen e mijëra fshatarëve nga uria në fillimin e viteve 30. Për shumicën e rusëve modernë, Stalini mbetet heroi rus i shekullit të fundit. Ish-presidenti rus dhe kryeministri aktual, Vladimir Putin, ka bërë së fundmi një sërë përpjekjesh për të pastruar imazhin e Stalinit, si pjesë e një fushate të rigjallërimit të krenarisë kombëtare. Megjithatë, edhe për zotin Putin festimet e arritjeve të diktatorit duhet të jenë shumë të kujdesshme. Aktivistët e të drejtave të njeriut dhe aleatët e zotit Putin kanë sulmuar planet e qytetit të për të shfaqur portretet e Stalinit në Sheshin e Kuq në festimet e 9 Majit. Gjatë pjesës më të madhe të shekullit XX, Rusia ka qenë në armiqësi të hapur me Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara. Lufta e Ftohtë ka ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare mes shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore. Pas rënies së Murit të Berlinit, më 1989, dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, disa vite më pas, Rusia dhe Perëndimi i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre. Dita e Fitores në Rusi konsiderohet festa më e rëndësishme e Rusisë. Parada ushtarake e këtij 65-vjetori do të jetë më e madhja e organizuar ndonjëherë nga rusët dhe do të kulmojë me fluturimin e 140 avionëve dhe helikopterëve në qiellin e Moskës.

Shën Pjetërburg, rikthehen posterat e Stalinit

Fotografi të Stalinit kanë filluar të shfaqen në autobusët e Shën Pjetërburgut, në muzetë e Moskës dhe në qytete të tjera të Rusisë. I harruar për më shume se 60 vjet nga autoritetet ruse, Stalini është kthyer kështu në zemrën e shumë njerëzve. Shfaqja e tij bëhet në prag të 9 Majit, kur do të mbahet dhe parada e 65-të për fitoren sovjetike në Luftën e Dytë Botërore. Në Shën Pjetërburg ishin komunistët e Zhuganovit ata që donin posterat nëpër autobusë, ndërsa në Moskë pas një diskutimi u zgjodhën muzetë.
Ky lajm është publikuar: 06/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›