E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB, Barodi negociator për “kompromisin” Shqipëri-SHBA

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Nju-Jork, 19 tetor 1971 – Një propozim për të ulur kinezët komunistë si përfaqësues të vetëm të Kinës dhe nacionalistët kinezë si përfaqësues vetëm të Tajvanit, u hodh sot në Asamblenë e Përgjithshme si zgjidhje për të mos përjashtuar Tajvanin nga organizata. Ambasadori i Arabisë Saudite, Jamil M. Barodi, prezantoi një rezolutë të re në Asamblenë e Përgjithshme prej 131 vendesh ditën e hënë në formën e amendamenteve të rezolutës shqiptare, e cila kërkonte zëvendësimin e karriges së Tajvanit me atë të Kinës. Barodi tha se ai do tia dorëzonte të njëjtat amendamente dhe rezolutës amerikane, e cila kërkonte uljen e të dyja Kinave në Asamble dhe të Pekinit në Këshillin e Sigurimit pa marrë parasysh konfliktin e tyre në lidhje me Tajvanin. Barodi tha se ai shpresonte të bindte bashkëpromotorët e të dyja rezolutave – 22 mbështetës të propozimit shqiptar dhe 19 të atij amerikan – “për të parë se sa ne jemi në gjendje që të arrijmë një zgjidhje jo vetëm praktikisht, por me ndershmëri dhe drejtësi për të gjitha palët e interesuara. “Barodi tha se formula e tij e zgjidhjes ishte bazuar në të drejtën e vetëvendosjes. Lëvizja e Barodit ishte e vetmja surprizë ditën e hënë në ditën e parë të Asamblesë për debatin e Kinës, i pari në 22 vjet kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po mbështesin formulën e përfaqësimit të dy Kinave. Ministri i Jashtëm shqiptar, Nesti Nase, prezantoi rezolutën e qeverisë së tij dhe tha se Republika Popullore e Kinës nuk do të kishte marrëdhënie me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, nëse “klika e Çan Kai Shisë” nuk do të përjashtohej. Ambasadori amerikan, Xhorxh Bush, prezantoi planin e qeverisë amerikane dhe argumentoi se askush nuk e dinte se si do të reagonte Pekini në rast se ajo do të miratohej. Ai shpalosi gjithashtu dhe një rezolutë që e bënte akoma më të vështirë përjashtimin e Tajvanit, pasi kërkonte dy të tretat e votës së shumicës. Bush tha se përjashtimi i qeverisë së Çan Kai Shisë do të krijonte një precedent të rrezikshëm për anëtarët e tjerë të OKB-së. Ambasadori kanadez, Ivon Beaulne, gjatë fjalimit të tij konfirmoi atë që pritej, mbështetjen për rezolutën shqiptare dhe votën e tij kundër asaj amerikane.

Lobimi i shqiptarëve

Gjatë negociatave në Kombet e Bashkuara, delegatët shqiptarë njihen si burra të sjellshëm, shumë miqësorë, me të cilët mund të komunikosh lehtë. Ata janë familjarë, të cilëve u pëlqen të flasin për jetën në vendin e tyre. Ndërsa flet personalisht, sjellja e tyre nuk ngjason fare me reputacionin e Shqipërisë si një vend i izoluar në Evropë, i cili është i shkëputur si nga Lindja Komuniste ashtu dhe nga Perëndimi Kapitalist dhe ka gjetur mbështetje tek Kina mijëra milje larg. Korrikun e shkuar ambasadori Sami Baholli, kërkoi që çështja e shqyrtimit të pranimit të Kinës në OKB të futej në axhendën e seancës së Asamblesë. Pasi siguroi një vend kryesor të rezolutës së Shqipërisë në prezantimin e saj përpara Asamblesë, ai u largua drejt Shqipërisë për të qenë i pranishëm në dasmën e vajzës së tij. Këto 10 vitet e fundit, Shqipëria, një nga vendet anëtare më të vogla të OKB-së, ka qenë promotorja kryesore e anëtarësimit të Kinës Komuniste me rreth 800 milionë banorë në forumin më të madh botëror. Dhe këtë vit shanset pritet të jenë më të mëdha se çdo vit tjetër. Shtetet e Bashkuara në mes të një politike ndryshimi ndaj Kinës, këtë vit i kanë braktisur përpjekjet për ta lënë atë jashtë OKB-së. Amerika po mbështet rezolutën e dyfishtë, por nuk përjashton mundësinë e humbjes së propozimit të tyre ndaj planit shqiptar. Për Shqipërinë, një shtet komunist i linjës së fortë, një fitore në emër të shokëve të tyre kinezë do të ishte në të vërtetë një goditje e befasishme. Që kur ata u bënë krahu i djathtë në mbështetjen e Kinës pas konfliktit të këtyre të fundit me Bashkimin Sovjetik për interpretimin e komunizmit, shqiptarët kanë qëndruar të vetëm në Evropë.

Rriten të ardhurat e Shqipërisë

Për tiu përgjigjur përmasave dhe mjeteve të tyre të moderuara, shqiptarët mbajnë vetëm një delegacion shumë të vogël në OKB (delegatët e Tiranës nuk e kalojnë kurrë numrin shtatë ose tetë). Ekonomikisht, shqiptarët arritën me forcat e tyre të kalonin varfërinë e paraluftës në vitet 1950-1960. Të ardhurat janë rritur me 8.6 për qind këto pesë vitet e fundit. Ndërkohë që Prodhimi i Brendshëm Bruto thuhet se është i barabartë me prodhimin e një jave të tërë në vitin 1938.

Inkoherenca e amerikanëve

Dhjetë vjet më parë, ambasadori amerikan në OKB, Adlai Stivenson, tha përpara Asamblesë në vjeshtën e 1961 për pranimin e Kinës dhe përjashtimin e Tajvanit: “Fakti që kontrolli i Tajvanit nga Kina u mor me forcën e armëve... nuk e justifikon përjashtimin e tyre, por as i ndryshon të drejtat legjitime të qeverisë... Nocioni i përjashtimit të Tajvanit është absurd dhe i paimagjinueshëm. Problemi që ne përballemi mes të tjerash, është nëse është e drejtë nga ana e OKB-së të përjashtojë Tajvanin për ti hapur rrugën një regjimi, oreksi i të cilit është i pangopur. Problemi është nëse ne jemi të gatshëm të braktisim kërkesat e statutit që të gjitha vendet anëtare të OKB-së duhet të jenë paqedashëse dhe tu japim bekimin e nënkuptuar të një lufte agresive dhe të përgjakshme kudër kinezëve që janë ende të lirë në Tajvan... Në këto rrethana, SHBA beson sinqerisht që është e pamundur për të folur seriozisht sot për të pranuar Kinën Komuniste në OKB. Nuk ekziston asnjë bazë që të ndërmerret një hap i tillë...” Amerikanët e dinë mirë se nuk ekzistonte asnjë bazë në vitin 1961, kështu që nuk ekziston as sot më 1971.

Ky lajm është publikuar: 06/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›