E Diel, 1 Nëntor 2026

Qiraja pranga dy të rinjve, shpërndanin drogë

Korçë- Një operacion i policisë së Korçës i koduar “Qiraja” ka lëshuar në burg dy të rinj, 22 dhe 29 vjeç nga qyteti i Korçës. Ata janë kapur në flagrancë, ku iu është gjetur edhe një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike, e tipit heroinë dhe hashash.

Sipas policisë shtetasit Jorgo Kamberi, 22 vjeç dhe Petrit Plloça, 29- vjeç janë të dyshuar si shpërndarës droge dhe në cilësinë e provës materiale iu kapën lëndë narkotike dhe një sasi parash. 29-vjeçari Plloça u arrestua në banesën e tij me 9 pako me nga 900 gram secila, të cilat përmbanin lëndë narkotike të llojit hashash. Po kështu policia i ka gjetur edhe 270 gram lëndë narkotike e llojit heroinë, si dhe 196 gram lëndë e dyshuar si narkotike, por ende e papërcaktuar. Këtij personi policia i ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme parash që dyshohet ti ketë fituar përmes trafikimit të lëndëve narkotike.

Ndërsa i ndaluari tjetër, 22- vjeçari Kamberi u kap në flagrancë me 8 doza lëndë narkotike të llojit heroinë. Në cilësinë e provës materiale,  policia ka sekuestruar edhe tre aparate celulare në përdorim nga ky person, si dhe një sasi lekësh shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›