E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Kujtimit: në Aushvic u shfarosën mëse 1 milion e gjysëm hebrenj

Shqipëria, i vetmi vend në Evropë që nuk iu nënshtrua mekanizmave të Holokaustit

Dje në të gjithë botën ishte Dita e Kujtimit, 64-vjetori i çlirimit të kampit nazist të shfarosjes në Aushvic, i cili shënoi përfundimin e masakrës së regjimit hitlerian kundër hebrenjve. Iniciativa të shumta janë zhvilluar në të gjithë botën, për të mos harruar atë që ndodhi, në mënyrë që të mos përsëritet më. Aushvici ndërtohet në vitin 1940 në një fshat të vogël të Polonisë që sot është pjesë e qytetit të Bremës. Themelohet me urdhrin e Hainrih Himlerit dhe komandohet nga Rudolf Hos. Që më 14 qershorin e atij viti, dërgohen në barakat e tij 728 të burgosur polakë. Më pas fillon ardhja masive e të burgosurve nga e gjithë Evropa. Nga viti 1942 deri në vitin 1944, makina naziste e vdekjes e shumëfishoi këtë kamp përqëndrimi në 40 filiale, afër fonderive, minierave dhe fabrikave ku shfrytëzoheshin të burgosurit. Numri i saktë i personave të vrarë në Aushvic nuk është llogaritur kurrë me siguri, por vlerësime të besueshme flasin për mbi 1 milion e gjysëm viktima. Në dokumentat e kampit u regjistruan vetëm 400 mijë të burgosur, 96% e të cilëve humbën jetën.

Në ditën e kujtimit është rasti të kujtojmë se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Evropë, e cila nuk dorëzoi asnjë hebre në duart e nazistëve dhe sipas statistikave, ajo u dha atyre strehim, përkundër presionit të forcave të Boshtit, duke regjistruar rastin e vetëm, kur një shtet dilte nga lufta e dytë botërore me një numër më të lartë hebrenjsh, sesa në fillim të saj.

Shoah-shfarosja e hebrejve, në magjisiterin e Benediktit XVI/Këto ditë shtypi ndërkombëtar vijon të flasë për deklaratat e imzot Rikard Uiljamson, njërit prej katër ipeshkvijve tradicionalistë, të cilëve Papa ua hoqi shkishërimin: nëntorin e kaluar prelati, duke folur në Televizionin suedez, e mohoi Shoah, apo shfarosjen masive të hebrenjve në kampet naziste. Këto deklarata u dënuan ashpër nga anëtarë të tjerë të ‘Vëllazërive Meshtarake të Shën Piut X’, themeluar nga imzot Marsel Lëfevrë, të cilët kryejnë misionin e tyre në vende të ndryshme. Të gjithë kanë shprehur mendimin se bëhet fjalë për qëndrime personale, që nuk përfaqësojnë mendimet e të tjerëve e, aq më pak kanë të bëjnë me mësimet papnore e me qëndrimet e Kishës katolike, deklaruar solemnisht e disa herë. Duhet nënvizuar se magjisteri i Benediktit XVI përshkohet, që nga fillimi, nga vëmendja e madhe për hebraizmin.

Shenja e parë u duk menjëherë pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, kur Papa i ri iu përgjigj urimeve të dërguara nga Kryerabini i Romës, Rikard Senji, i ftuar në kremtimin e fillimit të Papnisë në Sheshin e Shën Pjetrit. I gjithë mendimi i Benediktit XVI, ashtu si dhe magjisteri që lidhet me hebraizmin, është në përkim të plotë me Deklaratën “Nostra Aetate”(1965), të cilën e citon vazhdimisht në fjalimet e tij, njëherësh me pohimet e paraardhësve, posaçërisht të Palit VI e të Gjon Palit II. Fjalimet e Benediktit XVI gjatë vizitës në Sinagogën e Këlnit (19 gusht 2005) e në Aushvic (28 maj 2006) përbëjnë dy çaste kulmore të papnisë së Tij përsa u përket marrëdhënieve ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Natyrisht nuk janë të vetmet. Duhet të kujtojmë edhe tre fjalime në SHBA e në Francë, vitin e kaluar. Gjatë vizitës në sinagogën e Këlnit, në vitin 2005, Benedikti XVI pohoi se do të vijonte me zell të madh udhën drejt përmirësimit të marrëdhënieve të miqësisë me popullin hebraik. Më pas e quajti Shoah krim të pashembullt, të planifikuar në çastin më të errët të historisë gjermane e evropiane, nga ideologjia e çmendur naziste, me zanafillë neopagane, që dëshironte ta shfaroste hebraizmin evropian. E, së bashku me Gjon Palin II ulte kokën për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre, që e provuan këtë shfaqje të ‘mysterium iniquitatis’ - misterit të së keqes. Kujtonte, më pas, rrënjët e njëllojta dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme, që është pasuri e përbashkët e të krishterëve dhe e hebrenjve, duke ripohuar se kush takon Jezu Krishtin, takon hebraizmin. Dënonte, pastaj, ashpër, urrejtjen, persekutimet dhe të gjitha shfaqjet e antisemitizmit, kurdoherë e nga kushdo. Inkurajonte dialogun e sinqertë e besimplotë ndërmjet hebrenjve e të krishterëve. Një dilalog ky - shtonte - që në se dëshiron të jetë vërtetë i sinqertë, nuk duhet t’i kalojë në heshtje ose t’i anashkalojë ndryshimet ekzistuese: edhe në gjërat që, për shkak të bindjeve tona të thella fetare, na dallojnë njëri nga tjetri, madje pikërisht në këto gjëra, duhet ta duam e ta respektojmë reciprokisht njëri-tjetrin.Gjatë vizitës historike në Aushvic-Birkenau (28 maj 2006) Benedikti XVI theksoi: “Të marrësh fjalën në këtë vend tmerri, ku janë grumbulluar krime kundër Zotit e kundër njeriut, që s’kanë shembull në histori, është pothuajse e pamundur - e posaçërisht e vështirë dhe e rëndë për një të krishterë, për një papë që vjen nga Gjermania. Në një mjedis si ky, fjalët humbasin kuptimin, duke i lëshuar vendin heshtjes tronditëse, heshtjes, që bëhet britmë lartuar drejt Zotit: ‘O Zot, pse heshte? Pse e lejove gjithë këtë tmerr? Sa pyetje lindin në këtë vend! E lind rishtas pyetja: “Ku ishte Zoti këto ditë? Pse heshti? Si mundi ta duronte gjithë këtë shkatërrim, që i tejkaloi të gjitha masat, këtë ngadhënjim të së keqes? Që na kujton tronditshëm ankimin e Psalmistit: “Pse na e fsheh, o Zot, fytyrën tënde, e harron mjerimin e shtypjen tonë? Sepse u flakëm në pluhur; trupi për dhe na u shtrua, si të ishte pa jetë. Zgjou e na ndihmo! Në mirësinë tënde, shpëtona!”. Kjo britmë ankthi që izraeliti i larton Zotit në periudha angushtie të thellë, është edhe britma për ndihmë e të gjithë atyre që, në rrjedhë të historisë - dje, sot e nesër- vuajnë për dashuri të Hyjit, për dashuri të së vërtetës e të së mirës; e janë të shumtë, edhe sot! Benedikti XVI e përfundoi fjalën e tij, duke nënvizuar: “Vendi ku gjindemi është vend i kujtimit, e vendi i Shoah. E kaluara nuk është kurrë vetëm e kaluar. Ajo ka të bëjë me ne e na tregon në cilat rrugë duhet e në cilat nuk duhet të ecim. Ashtu si Gjon Pali II, përshkova udhën e lapidareve të cilët, në gjuhë të ndryshme, kujtojnë viktimat e këtij vendi: janë lapidare mbi të cilat shkruhet në gjuhën bjelloruse, gjermane, çeke, franceze, greke, hebraike, kroate, italiane, judeo-gjermane, hungareze, holandeze, norvegjeze, polake, rumune, cigane, sllovake, serbe, ukrainase, judeo-hispanike, angleze... Këto lapidare flasin në të gjitha gjuhët për dhimbjen njerëzore, të kujtojnë cinizmin me të cilin ky pushtet i trajtonte njerëzit si të ishin sende e jo njerëz, që pasqyrojnë shembëlltyrën e Zotit. Disa nga lapidaret të ftojnë për një përkujtim të posaçëm. Një ndër to është ai në gjuhën hebraike. Pushtetarët e Raihut të Tretë dëshironin ta zhduknin plotësisht popullin hebraik, ta shlyenin nga lista e popujve të tokës. Atëherë fjalët e Psalmit: “Jemi të dënuar me vdekje, si delet që i çojnë te kasapi” vërtetohen në mënyrë të tmerrshme. Në fund të fundit këta kriminelë të paskrupull, duke e zhdukur këtë popull, deshën të zhduknin atë Zot që thirri Abrahamin; që, duke folur mbi Sinai, i dha njerëzimit kriteret orientuese, me vlerë në amshim. Në se ky popull, vetëm me ekzistencën e tij, përbën një dëshmi të atij Hyji, që i foli njeriut e e bëri të vetën çështjen e tij, atëherë ky Hyj duhej më në fund të vdiste e sundimi i tij t’i përkiste vetëm njeriut - vetëm atyre që besonin se ishin tejet të fortë e se kishin ditur ta shtronin nën këmbë botën mbarë. Me shkatërrimin e Izraelit, me Shoah - pohon Benedikti XVI - dëshironin, në fund të fundit, të shkulnin edhe rrënjën nga e cila nis feja e krishterë, duke e zëvendësuar përfundimisht me fenë e tyre, fenë e sundimit të njeriut, të pushtetit të të fortit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›