E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Librit kremtohet me “Jezusin e Nazaretit”, best-sellerin e Benediktit XVI, botuar nga “55”-a

U promovua dje libri “Jezusi i Nazaretit”, botimi ekskluziv i Shtëpisë Botuese “55”, i pari publikim i plotë i Atit të Shenjtë në gjuhën shqipe. Kryeministri Berisha, ministrat Basha e Imami, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, Selim Muça dhe Anastas Janullatos si dhe përfaqësues të inteligjencies dhe trupit diplomatik

Fahri Balliu: “Libri, një çelës që shndërrohet në një thesar diturie për lexuesin”

“Jezusi i Nazaretit”, një nga librat bestseller, shkruar nga Joseph Ratzinger (Benedikti XVI) tashmë mund të flasë edhe shqip nën përkthimin mjeshtëror të Ferdinand Lekës, botuar nga Shtëpia Botuese “55”. Në ditën Ndërkombëtare të Librit, në këtë javë të prillit, në pesëvjetorin e zgjedhjes së tij dhe të fillimit të Pontifikatit të tij, Nunciatura Apostolike në Tiranë, Rektorati i Tiranës dhe Shtëpia Botuese “55” organizuan dje në hotel “Sheraton”, promovimin e këtij libri. Në aktivitet morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ministri i brendshëm Lulzim Basha, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë e kryeipeshkvi i Tiranës imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkvi i Shkodrës imzot Angelo Massafra, ipeshkvi i Sapës imzot Lucjan Acgustini, ipeshkvi i Rrëshenit imzot Palmieri, ipeshkvi ndihmës i Tiranës imzot Frendo, figura të shquara të politikës, letrave shqipe dhe teologë, fortlumturia e tij kryepeshkopi Janullatos, kryetari i komutetit Myslima të Shqipërisë inxh. Selim Muça, përfaqësues të Kryegjyshatës botërore Bektashiane e të tjerë etj.
Fjalën e hapjes e mbajti presidenti i “Botimeve 55” Fahri Balliu, i cili e quajti botimin e librit të Papa Bendiktit XVI në shqip si një ngjarje të rëndësishme. “Po paraqesim para jush librin e Papa Ratzingerit, një libër bestseller në botë, një libër që deri tani ka kaluar mbi 2 milionë kopje, që emëton tek njerëzit paqe, filozofi, guxim, dhe hetim për botën të cilën ne e jetojmë. është një libër-çelës, një libër që në duart e lexuesve të të gjitha shtresave e besimeve, shndërrohet në një libër diturie”, tha Balliu.
Ndërsa Rektori i Univesitetit të Tiranës, prof. Dr. Dhori Kule u ndal në dimensionin që përcjell ky libër tek lexuesi. Ndër të tjera z. Kule tha: “Aktiviteti promovues është tepër i veçantë, mbi të gjithë të tjerët. Ky aktivitet që organizohet nën kujdesin e botuesit, Nunciaturës Apostolike në Tiranë dhe Rektoratit të Tiranës, ka veçanti për këto motive: i veçantë për autorin e librit dhe për vetë librin. Autori Jozef Ratzinger, i cili nga 19 prilli i vitit 2005 është zgjedhur Papë, dhe i nominuar Benedikti XVI, ka një veprimtari të konsiderueshme botuese, rreth 100 libra dhe 600 artikuj, tashmë vjen në gjuhën Shqipe me librin “Jezusi i Nazaretit”, falë përzgjedhjes së goditur që botuesi i shtëpisë botuese “55”, dhe përkthimi me kompetencë i Ferdinand Lekës, e sjell pranë nesh. Pasi përfundova leximin e këtij libri i cili të kërkon të përkushtohesh plotësisht gjatë leximit, që të mund ta shijosh në përmasat e duhura, të le pas një aromë dhe një ndjesi jashtëzakonisht të mirë, që natyrshëm e të ofrojnë libra dhe vendburime të tilla. Të bën të ndihesh mirë dhe në vështrimin e aktualitetit, të të shkuarës dhe të ardhmes të mbizotërojë në këndvështrimin tënd, mirësia. Ju sugjeroj ta shijoni këtë ëmbëlsi e kënaqësi që të jep ky libër”, - përfundoi z. Kule.
Ndërsa Nunci Apostolik Ramiro Ingles Molinari tha se ky libër nuk është një biografi për Jezuin e shkruar sipas stilit klasik.
“Në këtë vëllim Autori kufizohet vetëm me analizimin e disa momenteve themelore të jetës së Jezusit, që i korrespondojnë periudhës mes Pagëzimit në lumin Jordan dhe Shndërrimit në malin Tabor. Gjithsej janë dhjetë momente, mbi të cilët Autori reflekton në po aq kapituj: Pagëzimi i Jezusit; tundimet; “predikimi në mal”; lutja e Zotit (Ati Ynë); nxënësit; mesazhi i shëmbëlltyrave: simbolet e mëdha të shën Gjonit apostull; rrëfimi i Pjetrit, shndërrimi dhe pohimet e Jezusit për vetveten”, tha Ingles. Sipas tij, “Fakti që një Papë flet apo shkruan për Jezusin e Nazaretit nuk duhet të habisë askënd. Përkundrazi, kjo është detyra e tij e parë dhe më imperative. Në rastin tonë, ajo që habit është mënyra tërësisht origjinale se si Autori i librit e ka bërë atë. Dhe kjo na nxjerr një pyetje të dytë: dhe është ajo për të ditur nëse fjalët që gjenden në vëllimin që sot po paraqesim janë fjalë të pajisura me atë forcë “magjisteriale” karakteristike të dokumenteve papnore (si për shembull 3 Enciklikat e botuara deri tani prej Benediktit XVI: “Deus caritas est”, “Spe salvi”, “Caritas in veritate”), apo, përkundrazi, bëhet fjalë për meditime të një studiuesi që shpreh bindjet e tij personale, edhe pse vijnë prej një familjariteti të gjatë të Autorit me temën e tij dhe nisen prej pjesëmarrjes personale të tij në jetën e Kishës dhe në ndjekjen e Krishtit”. “Autori tregon gjithashtu se pa realitetin e Jezusit, realitet i bërë prej mishi dhe gjaku, krishtërimi do të rrezikonte të kthehej në një moralizëm të thjeshtë dhe një çështje intelekti. Për këtë arsye ai është edhe i shqetësuar për ta ngulur fenë e krishterë në rrënjët hebraike dhe e bën duke iu referuar profecisë së Moisiut në Librin e Ligjit të Përtërirë 18,15.18: “Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji yt, në popullin tënd, prej vëllezërve të tu: atë dëgjojeni. [...] në gojën e tij do t’i vë fjalët e mia dhe ai do t’u flasë gjithçka unë kam për t’i urdhëruar atij”, profeci që ai e shikon të realizuar në Jezusin”, tha Ingles. Për drejtoreshën e “Shtëpisë Botuese 55” Alda Bardhyli, suksesi i këtij libri i cili vetëm pak pas daljes së tij të parë më 13 prill 2007 në sallën e Sinodit në Vatikan është shitur në mbi 2 milionë kopje, qëndron pikërisht në anën njerëzore të vështrimit që Benedikti i VXI i bën figurës së Jezusit. Sipas saj vetë Benedikti i VXI rrëfen në parathënien e këtij botimi se ky libër ka ardhur si rezultat i një ecjeje të gjatë shpirtërore. Ka filluar të punojë për këtë libër gjatë pushimeve të vitit 2003, dy vjet para zgjedhjes së tij, kur Kardinali Joseph Ratzinger ishte ende Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.
Me rastin e botimit në gjuhën shqipe të libri të Papës Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit”, po kujtojmë se kjo vepër e Atit të Shenjtë u paraqit në Vatikan më datën 13 prill të vitit 2007.. Botimi u bë pak ditë para datës 16 prilli, kur Papa Racinger kremtojë 80-vjetorin e ditëlindjes. Libri “Jezusi i Nazaretit “ është fryt i reflektimit të gjatë, i kërkimit shkencor kulturor, i meditimit e i përvojës së thellë baritore në fenë e krishterë. Duke e lexuar, e kuptojmë menjëherë pse Papa Benedikti XVI donte ta shkruante patjetër këtë libër, megjithse pesë vjetët e fundit detyrat tepër të rëndësishme në drejtimin e Kishës universale ia zënë gjithë ditën. Me pak fjalë mund të themi se me këtë libër “Jezusi i Nazaretit” Benedikti XVI shkon drejtpërdrejtë në zemër të fesë. Për të na e shpjeguar këtë, ja një reflektim i kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit: “Pa dyshim, figura e Krishtit, madje Dëftimi i Krishtit, është themeli i fesë sonë, është në qendër – siç thotë edhe vetë autori – është leva e historisë. E përballë diskutimit të kohëve tona, që është rindezur pikërisht rreth figurës së Krishtit, rreth personalitetit të Jezusit të Nazaretit, diskutim i cili nganjëherë hyn në rrugë të gabuara edhe për shkak të padijes së shumë njerëzve, që mendojnë se kanë të drejtë e aftësi të flasin për gjëra të cilat, për fat të keq, nuk i dinë, Papa na jep mendimin e vet për Krishtin.
Librin “Jezusi i Nazaretit”, Papa teolog e kishte nisur ta shkruante para se të zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit. Pjesët kulmore të librit – i cili tashmë është edhe në duart e shqiptarëve, përveç të mijëra njerëzve në të katër anët e botës, sepse i përkthyer në gjuhët kryesore dhe i shtypur në një numër shumë të madh kopjesh – shpjegohen edhe nga Kryeipeshkvi i Vjenës. Mes tjerash kardinalin Kristof Shënborn thotë. “Sigurisht ne jemi mësuar me libra të tipit personal të dalë nga penë papnore. Gjon Pali II na ka mësuar në një farë mënyre me një gjë të tillë: kryesisht me libra kujtimesh. Por ky libër është diçka tjetër: është një meditim i gjatë teologjik, shpirtëror, personal mbi Jezusin e Nazaretit; kjo tipologji është e pazakontë për një papë. E Benedikti XVI e merr me bindje të plotë lirinë të thotë se është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë e tij të flasë për Jezusin”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›