E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria - progres të admirueshëm, në zonën “Schengen” brenda vitit

Raporti i KE-së për vizat vlerëson përmbushjen e kritereve nga ana e qeverisë

Procesi i liberalizimit të vizave afatshkurtra me qytetarët shqiptarë po gjen një mbështetje të gjerë në gjirin e shteteve anëtare të Bashkimit Europian që janë duke shqyrtuar raportin e vlerësimit të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Bosnjën, raport ku progresi për Shqipërinë është i dukshëm më i avancuar se sa ai i Bosnjës. Sipas vlerësimit të Komisionit Europian rezulton se Shqipëria ka prodhuar rreth 4 herë më shumë pasaporta biometrike sesa Bosnje-Hercegovina

Shqipëria ka plotësuar kriteret e Komisionit Evropian porsa i takon liberalizimit të vizave. Kështu thuhet në raportin final të KE-së i cili pritet të diskutohet të martën e ardhshme në një seancë të posaçme në Bruksel të Komitetit për të Drejtat Civile, Drejtësinë në Parlamentin Europian.
Mësohet se misioni i vlerësimit që ishte në Shqipëri muajin e kaluar, i cili ndoqi në terren të gjitha pikat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ka përpiluar raportin në bazë të një vlerësimi korrekt dhe pasqyrimin e të vërtetës, të cilën ata vërejtën në vendin tonë. Dhe kjo, jo rastësisht, pasi grupi i ekspertëve të Komisionit Evropian, është shprehur me nota optimiste përsa i takon një vlerësimi pozitiv nga ana e autoriteteve evropiane. Liberalizimi i vizave për Shqipërinë, ka marrë një mbështetje të gjerë në gjirin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Eurodeputetë të shteteve të ndryshme anëtare të BE-së kanë shprehur verdiktin e tyre mbi përfshirjen e Shqipërisë në listën e bardhë të “Schengenit”, brenda afateve të premtuara, aq më tepër në kushtet kur raportet e misioneve të vlerësimit flasin për një progres të prekshëm dhe tejet të bindshëm për Brukselin.
Në raportin e përpiluar, i cili tashmë ka marrë edhe dorën e fundit, për të qenë i gatshëm në diskutimet e Komitetit për të Drejtat Civile dhe Drejtësinë në Parlamentin Europian, bëhet një listim i të gjitha arritjeve dhe krahasimi i progresit të Shqipërisë me Bosnje Hercegovinën. Aty vërehet një përparësi e ndjeshme e Shqipërisë ndaj Bosnjes, në disa elementë teknike tejet të rëndësishëm.
Konkretisht deri më datën 9 prill 2010, Shqipëria ka lëshuar 497 mijë pasaporta biometrike ndërkohë që Bosnja ka lëshuar 114 mijë e 625 pasaporta biometrike. Pasaportat e lëshuara nga Shqipëria përmbajnë edhe fotot dhe gjurmët e gishtave, ndërkohë që pasaportat boshnjake përmbajnë vetëm foton biometrike por janë vetëm teknikisht gati për të përmbajtur gjurmët e gishtave.
Lidhur me bllokun e krimit të organizuar, Shqipëria ka ndryshuar dhe përmirësuar ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë ndërkohë që Bosnja nuk ka dhënë informacion për këtë. Komisioni Europian vlerëson se zyra e Interpolit në Shqipëri është e kompletuar me personel të kualifikuar ndërkohë që në Bosnje zyra e Interpolit ka nevojë për personel shtesë. Po ashtu Shqipëria ka ratifikuar konventën e OKB-së për krimin e organizuar ndërkohë që Bosnja nuk e ka ratifikuar këtë konventë.
Lidhur me bllokun e kontrollit të kufijve, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, sistemi TIMS funksionon në të gjitha pikat kufitare ndërkohë që shkëmbimi i informacionit mes strukturave policore në Bosnjë bëhet rast pas rasti.
Për bllokun e korrupsionit dhe pastrimit të parave, legjislacioni i Shqipërisë kundër krimeve financiare është i harmonizuar sipas standardeve europiane ndërkohë që Bosnjes i kërkohen përpjekje të vazhdueshme për ta harmonizuar këtë legjislacion. Ndryshe nga tre vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria dhe Bosnja kanë procedura më të gjata si rrjedhim i hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës duke qenë se Parlamenti Europian është kthyer në vendimmarrës ashtu si edhe Këshilli i Ministrave. Gjithsesi institucionet europiane parashikojnë që liberalizimi i vizave afatshkurtra me Shqipërinë dhe Bosnjën do të bëhet brenda këtij viti.
Autoritetet boshnjake janë kritikuar vazhdimisht nga Brukseli, për mungesë vullneti në procesin e integrimit, duke paralajmëruar zgjatjen e procesit të liberalizimit të vizave. Kritika më e fundit ka ardhur dje nga eurodeputeti slloven Jelko Kaçin, i cili ka deklaruar se boshnjakët mund të mos përfitojnë liberalizimin e vizave. Sipas tij, Bosnja nuk do të jetë në gjendje të marrë mbështetjen e duhur. Por, penalizmi i Bosnjës nuk rrezikon pajisjen e shqiptarëve me viza “Schengen”. Shqipëria do të vlerësohet në bazë të meritës dhe jo në grup.
Komiteti për të Drejtat Civile, Drejtësinë në Parlamentin Europian, do të diskutojë të martën e ardhshme mbi raportin e ekspertëve të Komisionit Evropian, për heqjen e vizave për Shqipërinë.
Vendet anëtare të BE-së pritet të japin një vendim final për këtë çështje në takimin me krerët e Ballkanit Perëndimor në Sarajevë, më 2 qershor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›