E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më ka përdhunuar një biznesmen

 

DENONCIMET E RREME / Format e rralla të presionit, që detyrojnë njerëz të kamur, të paguajnë për t’i shpëtuar skandalit. Identikiti i femrave që bëjnë kallëzime të tilla. Flet doktor Besim Ymaj:“Kështu zbulojmë vajzat që simulojnë përdhunimin”

Shpesh janë profesioniste. Arrijnë ta demonstrojnë ngjarjen si të vërtetë. Dikush që i dëgjon për herë të parë rrëfim-denoncimet e tyre, mund edhe të gënjehet. Por, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, është ndryshe.

Është pranë këtij instituti vendi që mësojmë për një kategori denoncimesh fare të pazakontë. Vajza, të cilat vijnë të denoncojnë se janë përdhunuar. Përdhunuesit në denoncimet e tyre, janë persona të kamur, përgjithësisht biznesmenë. Pas kallëzimit, lotëve që shoqërojnë rrëfimin, ekspertizës së shenjave në trup etj., rezultati është surprizues. Shumica e tyre gënjejnë. Cili është qëllimi i tyre? Drejtori i këtij institucioni, Besim Ymaj, di diçka më tepër rreth këtyre rasteve të shtuara.

Doktor Ymaj, shpjegon për SH2-shin, rastet që paraqiten pranë Mjekësisë Ligjore. Shumica e tyre bëhen për qëllime përfitimi. Personat e denoncuar, në asnjë rast (as në rastin kur kallëzimi rezulton i rremë), nuk u intereson një proces penal apo publikim i kallëzimit. Ndaj, detyrohen të paguajnë. Paguajnë për t’i shpëtuar skandalit, aq më tepër kur marrëdhënia mes tyre dhe viktimës ka ekzistuar, kurrsesi përdhunim, por një flirt i rastit.

****

Ekspertët e Mjekësisë Ligjore marrin në shqyrtim çdo detaj për të verifikuar nëse femrat që akuzojnë kanë të drejtë apo jo. Kështu, Besim Ymaj pohon se përveç mjekëve, të cilët analizojnë shenjat apo plagët e mundshme në trup, në hetim marrin pjesë edhe psikologët për të analizuar gjendjen psikologjike të femrave që akuzojnë se janë përdhunuar. “Një femër që është në gjendje normale fizike dhe mendore, mund t’i rezistojë një tentative për përdhunim, duke mos rënë pre menjëherë. Kështu, nëse një femër është përdhunuar, kuptohet që do të ketë shenja të tipit të gërvishtura, apo nxirje në pjesë të krahëve dhe plot shenja të tjera, të cilat mjekët i analizojnë në mënyrë të hollësishme për të nxjerrë konkluzione”,- shpjegon Dr. Ymaj. Sipas tij, shumë nga akuzat nuk janë vërtetuar në favor të atyre që pretendojnë se janë përdhunuar dhe për këtë, Mjekësia Ligjore ka dhënë argumente në mënyrë profesionale.

****

Në mënyrë të padiskutueshme janë profesioniste. Akuza të tilla të rreme nuk i hedhin femrat në mënyrë të rastësishme. Shpesh, simulimi përpara mjekut ekspert, është perfekt. Gjithsesi, mënyra e simulimit varet edhe nga niveli i përgjithshëm kulturor i personit. “Personat e pazhvilluar dallohen që në paraqitjen e rrethanave të çështjes, e më pas në tablonë e paraqitjes së ankesave dhe të dëmtimeve, të cilët përpiqen të riprodhojnë. Një person me intelekt, përdor metoda më të stërholluara, kërkon të riprodhojë me tepër shenja me karakter subjektiv, të cilat bëhen të vështira për t’u verifikuar nga eksperti”, - shpjegon Ymaj, duke shtuar se në këto raste, ka rëndësi shumë të madhe aftësia e ekspertit, si dhe mënyrat e përdorimit të metodave psikologjike, biologjike dhe klinike të ekzaminimit

Ekspertimet janë të vështira, sidomos kur nuk ka dëshmitar dhe akuzat për përdhunim, në pjesën më të madhe, janë pikërisht pa dëshmitarë. Përputhja e të dhënave të ekspertizës mjekoligjore me ato kriminalistike dhe ato hetimore të pavarura, nxjerrin në dritë të vërtetën e simulimeve.

Qëllimi i denoncimeve të rreme për përdhunim është përfitimi prej të denoncuarve, ose kundërvënia për arsye të tjera ndaj tyre. Bëhet analizimi me detaje i çdo gjëje, duke filluar nga veshja, paraqitja, intelekti, arsimimi, qëndrimi gjatë ekzaminimit, veçoritë e dëmtimeve, lokalizimi i tyre marrja e çdo prove apo mostre për ekzaminim. Mungesa e të dhënave objektive, vërteton të gjitha rastet e simulimeve. Për këtë arsye, Ymaj thekson se është e domosdoshme ekspertiza mjekoligjore e të gjithë këtyre rasteve.

Dr. Ymaj, sa raste të denoncimeve të tilla për përdhunime, nga biznesmenë ose njerëz të tjerë të kamur, ka pasur gjatë një viti?

Nuk mundem të them numrin. Ka raste të shumta të personave që paraqesin simulime. Janë simptoma somatike sëmundjesh, ose sëmundje të ndryshme, agravime dhe dëmtime trupore të shkaktuara me dhunë, në raste të pretenduara vjedhjeje, tentativë vrasjeje, ose vetëvrasjeje, pa përjashtuar edhe raste tentativash përdhunimi seksual ose homoseksual.

Sa nga ato kanë rezultuar të rreme, sipas mjekësisë ligjore?

Në veçanti, mund të them se më të shumta janë ato raste që simulohen.

Cilat janë qëllimet e simulueseve, sipas jush?

Disa persona duan t’i shmangen një hetimi apo dënimi. Janë dhe rastet e provokimeve të tjera për interesa përfitimi moral apo material.

Si profesionist me eksperiencë që jeni, cili mund të përcaktohet, në përgjithësi, si “identikiti” i një femre që sajon përdhunimin me qëllime përfitimi?

Një identikit i një femre tipike simuluese nga ana kriminologjike, nuk është në detyrën tonë. Por, duke vlerësuar të gjitha të dhënat subjektive dhe objektive në kompleks që paraqiten, arrijmë të bëjmë deshifrimin e simulimeve. Veprojmë në rrafshin anatomiko-fiziologjik dhe me ndihmën e psikologjisë mjekoligjore. Duke u nisur nga gjërat më të vogla, tentojmë të rindërtojmë të tërën.

Nga cila shtresë e shoqërisë janë simulueset?

Ka nga të gjitha shtresat. Vlen të theksohet se këto raste bëhen të shpeshta në fenomenet korruptive, ku në lojë është si personi simulues, dhe personat e tjerë zinxhirë që paraqesin realitetin e rremë me ndërgjegje për interesa korruptive. Në fakt, janë shumë të dëmshme për shoqërinë dhe imazhin tonë në përgjithësi.

Si veprohet kur konstatohet një denoncim i rremë?

Ne vërtetojmë, nëpërmjet aktit të ekspertimit, nëse ka simulim. Nganjëherë e përcaktojmë edhe nëse është bërë me ndërgjegje apo pasojë e një gjendjeje patologjike. Pas kësaj, është detyrë e organeve që kërkojnë këtë ekspertim, të veprojnë sipas kodit të procedurës penale ndaj personit. Zakonisht, edhe media vizive dhe e shkruar, e paraqesin çdo ngjarje me ngut dhe kjo u leverdis simuluesve. Duhet paraqitur në media edhe vazhdimi i historisë, d.m.th., kur është vërtetuar që denoncimi është i sajuar. Duhet bërë kjo patjetër pas hetimit dhe ekspertizës mjekoligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›