Makinat në shtëpi, sonte ka festë
Nata e Bardhë, në orën 17.00, kryebashkiaku Rama ju pret në zyrë. Zonat ku do të ndalohet trafiku dhe parkimi
Evenimenti minutë pas minute. Kronologjia e plotë e programeve për të gjitha moshat, nga mbrëmja në agim
Nëse pasditen e sotme keni menduar të lëvizni me makinë në qendrën e kryeqytetit, bëni mirë ose të ktheni rrugë, ose të parkoni në shtëpi. Nga ora 17.00 e deri në agim, Tirana do të jetë në festë e, për këtë arsye, asnjë automjet nuk do të lejohet të lëvizë përgjatë itinerarit që lidh Bulevardin “Zogu I” me Korpusin Universitar në sheshin “Nënë Tereza”. Madje, nëse nuk doni që ta gjeni automjetin tuaj mbi karrotrec të parkuar në oborrin e Policisë Rrugore, është mirë që, duke filluar nga ora 15.30 të gjeni vend qëndrimi jashtë asaj që njihet si zona e qendrës së qytetit. Këshilla vlen për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Urdhri i Policisë Rrugore do të vlejë njësoj për të gjithë automjetet që parkojnë gjatë e kësaj ore, e në vazhdim, në sheshin “Skënderbej”, atë “Nënë Tereza”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, “Zogu I”, si edhe në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, në zonën e ish-Bllokut. Trafiku, si edhe parkimi në rrugët, sheshet dhe bulevardet e sipërpërmendur, do të jetë i bllokuar deri në orët e para të mëngjesit, duke i lënë kësisoj rrugë të hapur festimeve për të pestin vit radhazi të Natës së Bardhë, evenimentit, tashmë traditë në kryeqytet, në kujtim të 29 Nëntorit, ditës së çlirimit të vendit nga pushtimi gjerman.
***
Sikundër i takon të jetë emblema dhe krenaria e qytetit, siparin e Natës së Bardhë do ta hapë fillimisht Banda Frymore e Tiranës. Në orën 16.00 orkestrantët e veshur me uniformat e kuqe karakteristike, do të fillojnë ritualin e marshimit, duke nisur udhëtimin e tyre nga rruga e “Durrësit”, për të ndalur në fund të itinerarit në sheshin “Skënderbej”. Në orën 17:00, Nata e Bardhë do të rezervojë një nga momentet e saj më të veçanta. Për gati një orë, qytetarët e Tiranës do të priten në zyrë nga vetë kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Krahas fiksimit në celuloid, përkrah qytetarit të parë të Tiranës, mysafirët e kryebashkiakut do të kenë mundësi të ndajnë me të për disa çaste edhe hallet e përditshme që i shqetësojnë. Ky është vetëm fillimi i një nate të gjatë që do të dhurojë plot surpriza. Në çdo shesh që prek qendrën e Tiranës, nata do të ndriçohet nga evenimentet kulturore për fëmijë dhe të rritur. Nën tingujt e rrymave të ndryshme muzikore, këngëtarë të njohur do të mblidhen së bashku për t’i dhënë ngjyrën e kërkuar mbrëmjes. Sheshi pranë Ushtarit të Panjohur do të jetë pikëtakimi i poezisë, teatrit dhe këngës. Të rinjtë do të kenë mundësi, për një natë të vetme, të shpalosin krijimet e tyre përballë publikut, duke pretenduar, pse jo, që dikush t’i pikasë.
***
Nëse kujtoheni mirë në edicionin e saj të katërt, të zhvilluar një vit më parë, Nata e Bardhë erdhi me një risi që çuditi jo pak qytetarët. Ideatorët e quajtën Free Hugs, ose përkthyer në shqip Përqafim i Lirë, ku çdokush, të paktën për një natë të vetme, mund të falë një përqafim të ngrohtë. Edhe sonte, nëse doni të merrni qoftë edhe një shtrëngim nga djemtë dhe vajzat që i bashkohen ritualit, tanimë të përvitshëm, mjafton të jeni vizitorë të Natës së Bardhë, dhe do të merrni atë dashuri që ndoshta ju ka munguar për shumë kohë. Nata e sotme nuk do të jetë thjesht një kopje e netëve të bardha të zhvilluara në vitet paraardhëse. Nëse ju ka vajtur ndonjëherë nëpër mend të bëheni, të paktën për pak minuta kërcimtar apo balerin profesionist, sonte është nata juaj. Një pistë gjigante kërcimi, e vendosur në bulevardin “Dëshmorë e Kombit”, do të jetë vendi i dëfrimit për të gjithë qytetarët. Mikpritës dhe mësues, njëkohësisht të qytetarëve dashamirës pas kërcimit modern apo klasik, do të jenë balerinë profesionistë. Qershia mbi tortë do të jetë koncerti i madh në sheshin “Skënderbej”, që do të nisë në orën 10:00 të mbrëmjes. Në koncertin që do të zhvillohet në shkallët e Pallatit të Kulturës, do të performojnë këngëtarët më me zë të momentit në Shqipëri, si edhe në trevat shqiptare. Muzikë të lehtë, moderne e turbo-folk, do të jenë rrymat muzikore që do të ndezin të pranishmit.
Parashikimi i Motit
Nata e Bardhë me qiell të pastër
Shërbimi Meteorologjik bën me dije se moti sonte në mbrëmje do të jetë dashamirës me vizitorët e Natës së Bardhë. Qielli do të jetë i pastër, por kjo, për ata që mendojnë ta gdhijnë jashtë, nuk do të thotë të mos e marrin me vete pallton dhe shallin. Duke qenë se nata e hareshme do të zgjasë ca, mirë është të visheni trashë. Për të apasionuarit pas arteve vizive, organizatorët kanë menduar hapjen e stendës “Si unë e shoh”. Në sheshin ‘Skëndërbej”, rreth pavionit të ekspozimit të Planit Rregullues, ekspozita e hapur do t’i dedikohet pikërisht pikturës, grafikës dhe fotografisë. Këtu qytetarët mund t’i hedhin një sy edhe Planit Rregullues të Tiranës, duke dhënë mendimin e tyre të vyer.
Fëmijët, një kënd ndryshe
“Të lindur për të lexuar”, këndi i përvitshëm i leximit do të jetë i hapur për fëmijët edhe në këtë edicion të pestë të Natës së Bardhë. Të shoqëruar nga prindërit apo dhe gjyshërit, fëmijët do të jenë protagonistë të përrallave, vjershave e tregimeve, në lulishten pranë Skëndërbeut. Nën dritat e projektorëve shumëngjyrësh, fëmijët do të jenë të shoqëruar dhe do të ftohen për t’u bërë protagonistë nga personazhet më të dashura kukulla, dhe, ashtu si në përralla, qielli do të mbushet me flluska e tullumbace. Moderatorët e pranishëm në të gjitha skenat e ndërtuara për fëmijët, do të lexojnë pjesë të ndryshme të njohura për fëmijë, por gjithashtu edhe do të kujdesen që të gjithë të mund të përfshihen duke lexuar apo recituar pjesët e tyre të preferuara.
Zjarret partizane, tani te “Vëllezërit Frashëri”
Këngët partizane do të jenë të pranishme edhe mbrëmjen e sotme, vetëm se me një ndryshim në program. Në dallim nga edicionet e kaluara, këtë vit, këngët nuk do të shoqërohen me zjarre në të gjithë pjesën e Parkut Rinia, por do të grumbullohen në sheshin “Vëllezërit Frashëri”. Vendimi është marrë nga bashkia e Tiranës, e cila ka kërkuar në këtë rast të mbrojë Parkun nga dëmtimet që mund të sjellin vatrat e zjarrit. Sikurse e theksuam, në sheshin ku ndodhen bustet e tre vëllezërve Frashëri, do të ngrihet Muzeu i Flamujve, ku do të rreshtohen copëza të historisë kombëtare, që do të rrethohen në të gjitha anët nga zjarre që do të ngrohin mbrëmjen. Tematika do t’i kushtohet 100-vjetorit të himnit të flamurit kombëtar.