E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta të llogarisë edhe koston e mazhorancës në pushtetin lokal

Tashmë, duam apo nuk duam ne, partitë politike shqiptare, janë në fushatë. Akuzat e ndërsjella kanë pushtuar ekranet dhe njerëzit e thjeshtë pyesin: A janë të gjithë të korruptuar? Përgjigja, natyrshëm do të vijë me votën që do të hidhet në ditën e zgjedhjeve parlamentare, por deri atëherë është zgjedhur si armë diversioni psikologjik, për të krijuar kështu një mjegullnajë në realitetin e qartë shqiptar.

Që ka korrupsion, këtë duhet ta pranojnë si të djathtët, që kanë mazhorancën në qeverisjen qendrore, ashtu dhe të majtët, që kanë mazhorancën në qeverisjen vendore. Të mos harrojmë se njerëzit, sot, janë aq të zgjuar sa të skedojnë në memorie avantazhet dhe disavantazhet e njërës e tjetrës palë.

Për mendimin tim, Partia Socialiste dhe LSI-ja duhet të llogarisin koston që u faturohet në këto dy vjet të qeverisjes vendore, koeficienti i së cilës është më i lartë se sa në qeverisjen qendrore.

Është një risk që e majta duhet ta pranojë me koshiencë të plotë, për faktin që ndjeshmëria e komunitetit ndaj qeverisjes në pushtetin lokal, është shumë herë më e lartë se sa ajo në qeverisjen qendrore. Jo se Berisha dhe ministrat e tij nuk kanë faturë kostoje, por sepse ai, shpeshherë, këtë faturë është munduar ta transferojë në pushtetin lokal, gjë që ka pasur ndikim negativ në reputacionin e këtij të fundit.

Është një analizë që duhet bërë me këmbë në tokë dhe që duhet bërë transparente para se të bëhen zgjedhjet. Personalisht mendoj se, sikur Berisha të kishte fituar shumicën në zgjedhjet vendore, do të kishte qenë më mirë për socialistët, për faktin që kostoja e tij do të ishte e dyfishtë, natyrisht që edhe humbja në zgjedhjet e ardhshme, do të ishte e dyfishtë.

Meqë ndodhemi para një tjetër realiteti, secila parti duhet të llogarisë koston e dëmit që ka sjellë gjatë kohës së qeverisjes dhe pastaj të dalë e të deklarojë se sa vota e sa mandate deputeti do të fitojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›