E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Pavaresise bashkon Topin me Berishen

Festa e 28 nëntorit bashkon Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha në Pallatin e Brigadave. Presidenca ka skicuar përgatitjet e fundit për festën e pavarësisë.

Dy institucionet më të larta në vend, Këshilli i Ministrave dhe Presidenca, kanë marrë të gjitha masat që data 28 nëntor të festohet sipas të gjitha rregullave që parashikohen në ceremonialin zyrtar të shtetit.

Ndryshe nga herët e tjera, kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi do të shmangin edhe udhëtimin e tyre në qytetin e Vlorës, ku 96 vjet më parë Ismail Qemali ngriti flamurin e pavarësisë. Krerët më të lartë të shtetit, do të jenë bashkë në këtë ditë të shënuar historike për vendin tonë, duke thyer akullin e marrëdhënieve të brishta që këta të fundit kanë pasur kohët e fundit me njëri-tjetrin.

Pritet që ata më 28 nëntor të festojnë jo vetëm ditën e pavarësisë, por edhe atë të Clirimit. Ashtu si cdo vit, drejtuesit e Partisë Demokratike do të rendin në mëngjes herët drejt varrezave të Dëshmorëve të Kombit, ku do të vendosin një kurorë me lule dhe do të nderojnë përpara monumentit "Nëna Shqipëri".

Në datën 29 nëntor, përpos aktiviteteve të përditshme të Kryeministrit, në axhendën e tij nuk është programuar asgjë në lidhje me festën e çlirimit. Data 28 dhe 29 nëntor pritet të shkaktojë sërish debate të nxehta për politikën e djathtë dhe të majtë, ashtu si vitet paraardhëse.

Ceremoniali zyrtar parashikon në mënyrë të qartë se me rastin e Ditës Kombëtare të Pavarësisë, Presidenti i Republikës jep një pritje shtetërore, e cila organizohet në Pallatin e Brigadave çdo datë 28 nëntor. Grupi i të ftuarve të Presidentit janë trupi diplomatik rezident dhe jo rezident në Shqipëri, si dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Kryetari i PS-së, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, ka vendosur që ditën e flamurit ta kalojë së bashku me popullin e Kosovës, në një moment tejet të vështirë për shtetin më të ri.

Në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje, kryesocialisti Rama do t‘i bashkohet festës së organizuar në Kosovë me rastin e ditës së shënuar të shpalljes së pavarësisë, që për kosovarët është një tjetër ditë feste kombëtare. Kjo, përvec asaj të 17 shkurtit, datës së shpalljes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›