E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sefarditë, familje në haute couture

Një popull që ka ruajtur traditën tek bashkëkohorja. Edhe për pak ditë, ekspozita “Dëshmitarë të shekullit të XX” me foto të rralla të vjetra për jetën e bashkuar në familje dhe kulturën e paraqitjes në publik

Historia rrjedh ndryshe për popuj të ndryshëm. Ndodh që historitë e dy popujve ndonëse larg njëri-tjetrit dhe tepër të ndryshëm të kryqëzohen dikur. Një përqasje e tillë ka ndodhur me arbëreshët dhe sefarditët. Të parët u vetëdëbuan nga Shqipëria në vitin 1479, ndërsa sefarditët u dëbuan nga Gadishulli Iberik në vitin 1492. Të dy popujt, ndonëse larg atdheut, kanë ruajtur muzikën, zakonet dhe traditën. Këto ngjashmëri janë edhe subjekti i ekspozitës “Dëshmitarët e shekullit të XX”, të hapur në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo paraqitje e kulturës sefardi që realizohet nga Ambasada Spanjolle, në kuadër të ditëve “Arbëreshë-Sefarad: Në pasqyrën e tjetrit”, qëndron e hapur deri më 20 dhjetor.

Të dëbuar nga Spanja, sefarditët pasardhësit e hebrejve të Izraelit, emigruan në shumë vende të botës. Një pjesë e madhe e tyre u vendos në Ballkan, në Bullgari, Serbi, Bosnjë, Maqedoni, Turqi, Greqi dhe Shqipëri. Ata jo vetëm ruajtën gjuhën dhe zakonet por ditën të përshtaten edhe me vendet në të cilat emigruan. Në asnjë moment nuk lejuan që kultura e tyre e lashtë hebraike të gëlltitej nga rrjedhat e vendit dhe kulturës pritëse, por as e izoluan nga zhvillimet e kohës. Familja, bërthama e çdo shoqërie, është shumë e shenjtë për ta. Të jetuarit në një vend të huaj ka bërë që familjen ta konsiderojnë si institucionin më të shenjtë. Pasardhësit e tyre i kanë ruajtur për shumë kohë fotot që janë ekspozuar tek “Dëshmitarë të shekullit të XX”. Në diciturat janë shkruar pjesëza nga historia e këtyre familjeve. Nipërit dhe mbesat tregojnë për gjyshërit që tani nuk jetojnë më, se si ata mbanin të bashkuar familjet dhe se sa të respektuar ishin në komunitetet që jetonin. Uniteti i familjes është elementi që bie më shumë në sy në këtë ekspozitë pasi një pjesë e madhe e fotografive janë familjare. Foto të çifteve të sapomartuar që pozojnë me të afërmit e tyre, prindër me fëmijët, një brezni e tërë kushërinjsh etj, paraqesin momente të jetës së familjeve sefardi në vende të ndryshme të Ballkanit.

Në njërën ndër to jepet një familje sefardi që jetonte në Maqedoni. Ndonëse nuk ishin të pasur të gjithë udhëtuan drejt Vjenës për të kremtuar dasmën e fëmijëve të tyre, gjë që tregon se sa e rëndësishme ishte familja për sefarditët. Pasardhësi i kësaj familjeje, tregon se gjyshi asnjëherë nuk dilte nga shtëpia pa veshur këmishë të bardhë të sapohekurosur, frakun (veshje tipike e kohës), kapelën në formë kërpudhe dhe bastunin elegant. Kjo foto është realizuar në vitin 1920, atëherë kur fjalët modë dhe tendencë ende nuk kishin filluar të përdoreshin.

“Martesë e argjendtë” është quajtur ajo mes dy sefardive, Estira dhe Salomon Russo, e celebruar në Serbi në vitin 1920. Në këtë foto të bën përshtypje eleganca eveshjeve të të sapomartuarve. Nusja ka veshur një fustan të bardhë pas trupit ndërsa dhëndrri një frak të zi. Simbol elegance në atë kohë.

Rëndësia që i kushtonin meshkujt veshjes nuk kishte të krahasuar me atë të femrave. Pothuajse në të gjitha fotot e kësaj ekspozite vihet re shija e hollë që kanë femrat sefardi jo vetëm për veshjet e kohës por edhe për ato tradicionale. Një prej tyre tregon dy motrat Vikica dhe Lenka Kalef se bashku me mikeshën e tyre Lenka Kohen teksa pozojnë me hijeshi në studion fotografike Vrac, në Serbinë e vitit 1910. Fustanet e tyre me ngjyrë të errët janë shumë “klasikë”. Një pjesë e lartë e puthitur pas trupit dhe fundi me qëndisma që shkon deri në fund të këmbëve. Këto veshje tregojnë jo vetëm hiret por edhe seriozitetin e këtyre femrave.

Në morinë e fotografive të kësaj ekspozite të bën përshtypje njëra që tregon një grua rreth të 50-ve e veshur me fustan tradicional sefardi. Poshtë fotos shkruhet se gruaja që pozon quhet Matilda Kalef. Fotoja është bërë në parkun e Beogradit në vitin 1929. Fustani që ka veshur është tëpër i gjatë, me ngjyrë të errët dhe i stolisur me shumë qëndisma. Në kokë gruaja mban njëkësulë të errët që sefarditë e quajnë tukado. Një element tipik që mbanin gratë besimtare sefardi.

Eleganca nuk ishte një luks vetëm i të rriturve. Në këtë ekspozitë të bën përshtypje fotografia e një vajze të vogël që pozon si një aktore hollivudi. Ajo quhet Ela Konfino Mandil. E vetmja familje sefardi që ka jetuar në Shqipëri. Babai i saj Gavril Mandili, pasi u arratis nga Manastiri u vendos në Krujë në familjen e Refik Veselit.Fotoja i përket vitit 1925.

Somario

Nipërit dhe mbesat tregojnë për gjyshërit që tani nuk jetojnë më, se si ata mbanin të bashkuar familjet dhe se sa të respektuar ishin në komunitetet që jetonin. Uniteti i familjes është elementi që bie më shumë në sy në këtë ekspozitë pasi një pjesë e madhe e fotografive janë familjare. Foto të çifteve të sapomartuar që pozojnë me të afërmit e tyre, prindër me fëmijët, një brezni e tërë kushërinjsh etj, paraqesin momente të jetës së familjeve sefardi në vende të ndryshme të Ballkanit.

Eleganca nuk ishte një luks vetëm i të rriturve. Në këtë ekspozitë të bën përshtypje fotografia e një vajze të vogël që pozon si një aktore hollivudi. Ajo quhet Ela Konfino Mandil. E vetmja familje sefardi që ka jetuar në Shqipëri. Babai i saj Gavril Mandili, pasi u arratis nga Manastiri u vendos në Krujë në familjen e Refik Veselit.Fotoja i përket vitit 1925.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›