Pesimistët
Ose Verterët naivë të filmit të shkurtër shqiptar që u prezantua në TIFF
Në shtatë ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër vërtet që pamë botën, por fatëkeqësisht nuk pamë Shqipërinë. Nga 104 filmat që morën pjesë në këtë festival 27 ishin produksione shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, që konkurruan “denjësisht” për Filmin më të Mirë Shqiptar.
Një gjë kishin të përbashkët dhe dendur të pranishëm: pesimizmin. Skenarët rrëfejnë fatkeqësi të jetës, fatalitete, dhe sidomos rrugën e pashmangshme për tek vdekja. Nuk mjafton që skenarët kryetemën e “thanatos”-in apo forcat e tij e japin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe regjisorët që përgjithësisht janë njëherësh skenaristë, e transkriptojnë atë në një stil tejet eksplicit. Na paraqiten në këtë mënyrë si verterët naivë të kinemasë shqiptare.
Regjisorët, një pjesë e mirë debutues nga auditorët e shkollave të filmit në një festival ndërkombëtar, nuk janë kursyer aspak për të sjellë në ekranin e madh pjesë nga jeta reale kryesisht të kornizuar në zhanrin dramatik. Këto filma të jepnin përshtypjen se jeta sot në Shqipëri mbështillet nga një tis i zi që nga momenti në moment mund të dalë nga ndonjë qoshe dhe të të marrë. Pamja e një arkivoli në jetën e përditshme nuk është një gjë e pëlqyeshme, e në film akoma më pak, por mbi të gjitha nuk shkakton emocionin e tmerrit apo në ndonjë rast tjetër as të neverisë apo shëmtisë emocione që vepër arti ka për qëllim të na i ngjallë.
Një baba i dëshpëruar nga burgosja e të birit në një vend të huaj, vendos që shtëpinë në mes të Tiranës ta shesë për një arkivol dhe dy metër varr.
Ky është subjekti i filmit “Antena” i regjisorit të ri Gentian Koçi. Një dramë me një fund të dhimbshëm, një baba që brenga e varros për së gjalli. Edheregjisori Ilir Harxhi ka zgjedhur si subjekt të filmit të tij “Shkallët” një histori vdekjeje. Një arkivol që nuk del dot nga pallati sepse nuk ka drita që të funksionojë ashensori dhe shkallët janë aq të ngushta sa të afërmit detyrohen të prishin një pjesë të tyre.
Alina nuk mund të durojë më shumë rreptësinë e babait dhe varet në një pemë.
I riu Sabir Kanaqi në filmin “E dashur Ria”, i ofron si zgjidhje personazhit të tij vdekjen. Ndonëse problemet e Alinës mund të kishin një zgjidhje tjetër, regjisori u jep vdekjen.
Duket se në të njëjtin lumë lahen edhe kineastët e rinj nga Kosova, pavarësisht se vdekja me shkak luftën apo pasojat prej saj janë një kryelëndë për katharsis.
Në filmin “Anarkia” të regjisorit Denis Berisha, një piktor i vrarë në shpirt nga lufta e Kosovës e ka humbur dëshirën për të jetuar. Varrin e tij e ka hapur por nuk po vendos për t’u futur brenda. Pas shumë kohe takon dashurinë e parë të jetës së tij. Ajo merr guximin dhe vetëvritet e para.
Filmat shqiptarë kishin edhe një të përbashkët tjetër jo më pak të rëndësishme: veprimin e ngadaltë. Lëvizjes dhe dialogut i mungon dinamika.