E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aulona, çelet në Vlorë festivali folklorik

Festivali Në edicionin e dytë, 8-11 maj, do të konkurrojnë grupe folklorike ndërkombëtare

Sot fillon në Vlorë festivali folklorik ndërkombëtar, “Aulona”. Nuk është e tepërt të themi se këtë vit “Aulona International Folk Festival 2010” mund të quhet një aktivitet i konsoliduar si në qëllimin, ashtu edhe në mirorganizimin e tij. Kemi kënaqësinë t`ju informojmë në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shpirtërore europiane, i cili tashmë nuk na përket vetëm ne si organizatorë, por që të gjithëve. Janë katër shtyllat kryesore mbi të cilat stafi i festivalit ka orientuar dhe mbështetur punën organizative për zhvillimin e tij këtë vit. Ky festival u krijua dhe do të mbetet si mbështetësi dhe promovuesi kryesor i turizmit kulturor. Ky fokus lidhet drejtpërsëdrejti me qytetin e Vlorës, qytetarët dhe me biznesin vlonjat, që hapin sezonin turistik, i cili është në thelb një mikpritje e madhe vlonjate. Pikërisht këtë synim festivali ynë do ta mbështesë dhe popullarizojë më së miri edhe gjatë ceremonisë së Hapjes së Sezonit turistik e më pas. Festivali mbështet orientimin e Vlorës drejt zhvillimit të qëndrueshëm turistik, kjo në përputhje me vlerat kulturore të zonës dhe me bukuritë e natyrës së saj. Festivali këtë vit e ka shtrirë fokusin e tij edhe përtej qytetit të Vlorës, për të mbërritur në Orikum, Zvërnec, Nartë e Nëvoselë etj. Ndër të tjera, “Aulona folk” është certifikuar dhe përfshirë edhe në listën e festivaleve folklorike më të mira në nivel botëror. Kjo gjë është e publikuar dhe botuar edhe në Kalendarin e Festivale Folklorike Botërore të CIOFF-t ndërkombëtar. Përmes këtij ndërkombëtarizimi, Vlora dhe Shqipëria bëhen akoma më të njohur në botë. Një tjetër kryefjalë e “Aulona festival” është edhe mbështetja që festivali do t’i bëjë përmes aktiviteteve të tij vitit 2010, i shpallur si “Viti ndërkombëtar i komunikimit përmes kulturës" - “International Year for the Rapprochement of Cultures launched”, nga UNESCO, vetëm pak ditë më parë. Përmes pjesëmarrjes së shumë grupeve nga rajoni dhe bota, festivali ynë do ta popullarizojë këtë nismë shumë të çmuar të UNESCO-s, si një mundësi që jep kultura dhe trashëgimia kulturore e prezantuar në festivalin tonë, për të njohur njëri-tjetrin dhe për të jetuar në paqe. Festivali mbi të gjitha do të fokusohet edhe te fakti se Vlora është edhe kryeqytet i iso-polifonisë popullore shqiptare, e cila këtë vit feston 5-vjetorin e shpalljes nga UNESCO si “Kryevepër e trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›