Dita e Sulltan Novruzit, Kreytarja e Kuvendit, Topalli uron besimtarët bektashinj
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi sot me rastin e Ditës së Sulltan Novruzit, një vizitë në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku u takua me kreun e kësaj selie Haxhi Baba Edmond Brahimaj. “Në këtë ditë të vaçantë, dua të uroj besimtarët bektashianë por këtë urim dua t`ia bëj çdo shqiptari kudo që ndodhet. Zoti e ka bërë që kjo ditë e bukur pranvere të konçidojë edhe me festën e demokracisë së Shqipërisë, në 20- vjetorin e kësaj feste të madhe ne kemi rastin për të festuar”- u shpreh Topalli
Ajo ka theksuar se në këto 20-vite të demokracisë liria ka funksionuar në të gjitha drejtimet. “Liria vërtet ka funksionuar, në lirinë e të gjitha besimeve fetare, në lirinë ekonomike dhe në një jetë më të mirë për shqiptarët”- tha kryeparlamentarja. .
Besimtarët bektashianë kremtojnë sot festën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Ali.
Baba Edmond Brahimaj uron besimtarët
Besimtarët bektashianë kremtojnë sot festën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Ali. Haxhi Baba Edmond Brahimaj ka uruar sot të gjithë besimtarët bektashianë shqiptarë kudo që ndodhen për Festën e Sulltan Novruzit.
Kjo datë mbledh në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore autoritetet më të larta shtetërore dhe partiake, trupin diplomatik, si dhe mijëra besimtarë të tjerë. Në të njëjtën kohë, 22 marsi festohet edhe në teqetë e tjera bektashiane brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Në këtë fillim pranvere, besimtarët bektashinj shqiptarë festojnë lindjen e Imam Aliut, që simbolizon për ta rigjallërimin e besimit te vepra dhe fuqia e Zotit e bashkë me të rigjallërimin e shpirtit dhe të shpresës për jetën, për të ardhmen. Edhe në këtë ditë, të gjithë shqiptarët janë bashkë për të kremtuar, e për t`i shprehur njëri-tjetrit urimet më të ngrohta dhe mesazhet e paqes, të dashurisë, të mirëkuptimit dhe të harmonisë, po ashtu të besimit te mirësia dhe te dashuria njerëzore.
Festa e Sulltan Novruzit përbën padyshim një kulm në besimin bektashian. Festa e Sulltan Novruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI. Në shekullin XX dhe në mënyrë të veçantë në mesin e tij, kjo festë është shndërruar në një manifestim mbarëkombëtar. Diktatura komuniste në Shqipëri, e prirur drejt ateizmit, në vitin 1967 i mbylli të gjitha objektet e kultit, përfshi ato të besimit bektashian.
Dita e Sulltan Novruzit u festua ilegalisht nga besimtarët bektashinj edhe të tjerë, nën maskën e shtjellave astronomike që lidheshin me ditën e ekuinoksit pranveror. 22 marsi i vitit 1991 shënon riçeljen e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, me bekimin e mijëra besimtarëve bektashianë.