E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjeshtës së artë të 100 vjetorit i bashkohet vjeshta e Statusit

22-03-2012 / Gazeta 55

Në përfundim të dialogut BE-Shqipëri, dy drejtorët e ardhur nga Brukseli folën për notën pozitive që kishte marrë vendi ynë, pas miratimit të një sërë ligjesh të rëndësishme në parlament. Pasi kryeministri Sali Berisha i dorëzoi Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit, Stefano Sannino planin e bashkëveprimit të hartuar nga klasa politike, e cila adreson 12 rekomandimet e raportit të fundit të KE-së, është kuptuar se vjeshta e artë e 100 vjetorit do të identifikohet edhe si vjeshta e statusit të kandidatit për në BE


Siguria që Drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino i ka ripërsëritur dje Kryeministrit Sali Berisha për angazhimin e fuqishëm të BE-së për të mbështetur Shqipërinë në projektin e saj madhor dhe në reformat e ndërmarra, me objektiv marrjen e statusit brenda vitit 2012, është një tjetër konfirmim, se vjeshta e këtij viti për shqiptarët, do të jetë e mbushur me ngjarje të mëdha e të rëndësishme, jo vetëm historike. Përvjetori i 100 i Pavarësisë, por edhe pritshmëria për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, do të jenë asgjë më shumë se dy perla, që këtë vjeshtë, ta bëjnë të bukur e të artë. Drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino i cili mbërriti të mërkurën në Tiranë për të biseduar me autoritetet shqiptare lidhur me ecurinë e Planit të Veprimit në përmbushjen e 12 prioriteteve të Bashkimit Europian, ia ripërsërit sigurinë Kryeministrit Sali Berisha, për marrjen e statusit kandidat, gjatë takimit që dje patën të dy midis tyre. Ndërkohë, Kryeministri Sali Berisha i dorëzoi dje Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit në KE, Stefano Sannino planin e veprimit të hartuar nga klasa politike shqiptare si dhe shoqëria civile, që adreson 12 rekomandimet e raportit të fundit të Komisionit Europin në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë. Vizita e fundit e Sannino në Tiranë ishte më 6-7 shkurt të këtij viti. Ajo pason vizitën e Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme në BE për Zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, Pierre Mirel, i cili mori pjesë në takimin e tretë të Komitetit të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri. Edhe Pierr Mirel, bëri të ditur pak ditë më parë në Tiranë, se Shqipëria ndodhet shumë pranë marrjes së Statusit të vendit kandidat për në BE, në 100 vjetorin e Pavarësisë.


Berisha i dorëzon drejtorit Sannino planin e veprimit


Kryeministri Sali Berisha i dorëzoi të mërkurën Drejtorit të Përgjithshëm të Zgjerimit në KE, Stefano Sannino planin e veprimit të hartuar nga klasa politike shqiptare si dhe shoqëria civile, që adreson 12 rekomandimet e raportit të fundit të Komisionit Europin në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë. Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, Stefano Sannino i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, mori  pjesë në punimet e Komitetit Ndërministror të Integrimit. Kryeministri Berisha në fillim të fjalës së tij, falënderoi dy zyrtarët e lartë të KE-së për praninë e tyre në këtë mbledhje, por edhe për përpjekjet dhe për mbështetjen e shqiptarëve në atë që kryeministri e quajti, “proces të një rëndësie jetike për të ardhmen e shqiptarëve”. Kryeministri Berisha e vlerësoi planin e veprimit të adresimit të 12 prioriteteve të KE-së, si një plan të hartuar pas një pune shumë serioze të përbashkët të forcave politike shqiptare, shoqërisë civile por edhe përfaqësuesve të KE-së, të cilët theksoi ai, gjatë kësaj periudhe kanë pasur në epiqendër të vëmendjes ndihmën për vendin tonë, për të çuar para reformat e nevojshme për procesin e integrimit. “Sannino ka vizituar Shqipërinë gjatë këtyre muajve më shpesh se Italinë, dhe Vasilis më shpesh se Greqinë. Kjo është dëshmi e përkushtimit për të ndihmuar vendin tonë në këtë proces”, veçoi Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë në vijim të fjalës së tij, siguroi përfaqësuesit e KE-së se për qeverinë shqiptare, procesi i integrimit europian mbetet procesi më themelor.      “Qeveria është e vendosur për të ndërmarrë çdo hap, çdo masë për të përmbushur detyrimet e saj, por ky proces, duke pasur parasysh rolin e qeverisë është gjithëpërfshirës, edhe për faktin se gjithë forcat politike kanë në programin e tyre integrimin në BE, pavarësisht kush është në pushtet”, theksoi Berisha. Në promovimin e këtij procesi, nënvizoi Berisha, forcat politike shqiptare gjejnë të realizuar shtyllat kryesore të programit të vet, bëhen bashkëaksionere në projektin më madhor të kombit dhe vendit të tyre. Në këtë kontekst, vijoi Berisha, kjo frymë gjithnjë e më shumë po mbizotëron në Shqipëri. Ky plan veprimi, tha Berisha, ka djersën dhe punën e përbashkët të mazhorancës dhe opozitës, shoqërisë civile, dhe grupe pune në Parlament po punojnë me intensitet të madh për reformën elektorale, sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Administrative, e cila është një shtyllë e rëndësishme në sistemin gjyqësor. Kryeministri Berisha e informoi gjithashtu Sanninon se po punohet për përmirësimin e mëtejshëm të rregullores së Parlamentit. “Është bërë punë serioze, ka një debat të shëndetshëm për një problem themelor, që është lufta kundër korrupsionit, apo heqja e imunitetit për çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin apo krimin”, tha Berisha. Në këtë kuadër ai vuri në dukje se edhe mazhoranca edhe opozitë bien dakord për heqjen e imunitetit, pavarësisht se ka disa kundërshti nga ana e opozitës lidhur me rrugën ligjore të procedimit. “Do të bëjmë gjithçka që brenda këtij mandati të përfundojë regjistri dixhital i tokës. Po punohet në tre nivele të këtij regjistri. Jemi optimist se do e realizojmë atë”, u shpreh Berisha. Kryeministri Berisha informoi gjithashtu edhe me përpjekjet dhe arritjet e qeverisë shqiptare në kuadër të respektimit të të drejtave të njeriut. Qeveria, tha ai, është e angazhuar thellësisht në respektimin dhe krijimin e standardeve më të mira për të drejtat e qytetarëve dhe minoriteteve. “Kemi një kuadër ligjor dhe një spektër të gjerë veprimit dhe ndërhyrjeje. Do të veçoja këtu ndërhyrjen për grupet më të skajuara, që janë romët dhe egjiptianët. Në këtë kontekst do të vlerësoja ndihmën e komisionit duke siguruar se zgjidhja e problemeve të tyre është një përparësi konstante e qeverisë”, tha Berisha. Shqipëria, nënvizoi Berisha, ka dy Obusmenë,  Avokati i Popullit dhe Komisioneri i Antidiskriminimit. “Ne jemi të gatshëm të mbështesim fuqishëm veprimtarinë e tyre”, u shpreh Berisha.


Stefano Sannino siguron kryeministrin Berisha për Statusin


Kryeministri Sali Berisha theksoi dje se, “qeveria shqiptare mbetet tërësisht e  vendosur për të kryer të gjitha reformat, të marrë çdo masë dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për të ecur me shpejtësi përpara, me projektin madhor të anëtarësimit në BE, si interesi më i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Në një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sannino, i cili shoqërohej nga ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, Kryeministri Berisha u shpreh se, “Qeveria shqiptare beson fuqishëm se ky duhet të jetë një proces i bazuar tërësisht në performancë dhe në meritë”. Duke falënderuar Sanninon për interesin, vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që ai personalisht dhe Komisioni Europian kanë dëshmuar në mbështetje të Shqipërisë dhe integrimit të saj në Bashkimin Europian, Kryeministri Berisha e njohu Sanninon me punën e madhe që është bërë deri tani në të gjitha fushat, me reformat e suksesshme e rezultatet e tyre gjatë kësaj periudhe. Kryeministri vlerësoi mbështetjen e Komisionit Europian dhe institucioneve të tjera të BE-së në veçanti takimet e përbashkëta me aktorët në vend, në procesin e seminarit të organizuar nga Komisioni në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe aktorët e tjerë të këtij procesi.  Kreu i qeverisë, pasi e njohu Sanninon me punën e bërë gjatë këtyre muajve të fundit për hartimin dhe miratimin e planit për të adresuar rekomandimet e BE-së, i ripohoi vendosmërinë e plotë të qeverisë për të ndërmarrë çdo hap për të adresuar këto rekomandime, duke shpresuar që edhe opozita nuk do të bëjë më përpjekje për ta penguar këtë proces. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha u ndal në çështjen e heqjes së imunitetit, duke e konsideruar këtë një hap themelor, me rëndësi të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri nënvizoi angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të ecur me shpejtësi përpara, me të gjitha reformat e përfshira në Planin e Veprimit për adresimin e 12 rekomandimeve,  të cilat përfshijnë ndër të tjera reformën zgjedhore, ndryshime të rregullores së parlamentit, procesin e regjistrimit dixhital të pronave, miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, etj. Sannino e siguroi Kryeministrin Berisha për angazhimin e fuqishëm të BE-së për të mbështetur Shqipërinë në projektin e saj madhor dhe në reformat e ndërmarra, me objektiv marrjen e statusit brenda vitit 2012. Sannino vlerësoi përpjekjet dhe arritjet e deritanishme, duke theksuar që është e rëndësishme që në këtë proces të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike, po ashtu edhe shoqëria civile. ”BE shpreson që këto prioritete të kthehen në projekt kombëtar për të gjithë dhe jo vetëm për qeverinë, pasi ky proces është në interesin e të gjithëve në Shqipëri”, u shpreh Sannino. Sannino falënderoi Kryeministrin për vendosmërinë për të eliminuar imunitetet e zyrtarëve të administratës, gjyqësorit, etj., në Shqipëri. Ky hap, tha Sannino, do të shënojë një sinjal të qartë pozitiv, i cili do të vlerësohej qartësisht në BE. Suksesi i këtyre reformave, vijoi ai, pritet të ketë një jehonë të rëndësishme në komunitetin e investitorëve të huaj dhe të përbëjë një nxitje të rëndësishme për ta, që tashmë duket se kanë drejtuar vëmendjen nga Shqipëria. Një tjetër çështje në takim ishte mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të njeriut, si dhe adresimi i nevojave të grupeve në nevojë, komunitetit të romëve, etj., të cilat mbeten gjithashtu, përparësi e qeverise për periudhën në vijim. Në takim u ripohua vendosmëria që edhe në këtë sektor të vijojë bashkëpunimi me BE-në, për realizimin e standardeve të synuara.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›