Dita e Ujit të Bekuar, Papa Benedikti XVI thirrje për të ndihmuar fëmijët
Papa Benedikti XVI iu ka bërë thirrje fëmijëve nëpër botë që të ndihmojnë fëmijët e tjerë dhe t'i afrojnë me besimin e krishterë. Benedikti XVI e bëri këtë deklaratë pas lutjes së mëngjesit, kur iu drejtua një turme prej mijëra personash të mbledhur për të festuar ditën e Ujit të Bekuar, kur Kisha përkujton manifestimin e Jezusit ndaj njerëzve paganë. "Dita e Fëmijëve iu mëson atyre që të jenë të hapur ndaj botës dhe të jenë pranë shokëve të tyre në situata të vështira", tha Papa. Ndërkohë që Patriarku grek Teopilosi III mbërriti në Betlehem, vendi që mbahet si vendlindja e Krishtit, për të drejtuar festimet për Krishtlindjen Ortodokse greke. Qindra të krishterë, banorë vendas dhe pelegrinë u mblodhën në sheshin jashtë kishës, për t;i dhënë mirëseardhjen patriarkut. Të rinj të veshur si Santa Klaus, me muzikë dhe këmbanat e kishës në sfond, rendnin duke shpërndarë dhurata përmes qytetit. Ndërkohë që në Stamboll, rreth 100 të krishterë u mblodhën pranë ngushticës së Bosforit për të marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme të ditës së ujit të Bekuar. Pas një ceremonie tradicionale në kishë, turma së bashku me patriarkun Bartolome iu drejtuan vendit të shenjtë. Si pjesë e një tradite që daton që në kohët e Bizantit, një kryq u hodh në ujërat e Bosforit nga patriarku dhe të rinjtë u zhytën në ujë për ta kapur. Ozinos Panajotis, një grek nga ishulli Imroz ishte ai që e gjeti kryqin këtë vit. "Jam shumë i lumtur pasi unë dhe patriarku Bartolome jemi nga i njëjti ishull dhe jam dyfish i gëzuar. Zoti më ndihmoi dhe unë e gjeta kryqin dhe kjo është diçka që nuk kuptohet nëse nuk e provon", tha Panajotis. Qindra anëtarë të komunitetit ortodoks grek në Stamboll morën pjesë në ceremoninë e përvitshme në vendin ku ndahet Europa me Azinë.