Tadiç: Dëshirojmë marrëdhënie të mira me Shqipërinë
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Beograd ka folur në mënyrë të veçantë dhe pozitivisht për Shqipërinë. Duke folur para Ambasadorëve serbë në botë, në pjesën kushtuar bashkëpunimit rajonal, Presidenti Tadiç, ka deklaruar se, "Serbia dëshiron marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët, sepse ky është një parakusht për integrimet europiane''. Presidenti serb ka theksuar se, "asnjë shtet i rajonit nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së politikës të jashtme të Serbisë, si dhe ka shtuar se kjo, në veçanti, ka të bëjë me Shqipërinë''. Duke u përqendruar tek marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe Shqipërisë, Tadiç tha: ''Mendoj se është e palejueshme që marrëdhëniet tona me Shqipërinë të mbeten të neglizhuara apo të lëna pas dore siç ka qenë rasti në dekadat e fundit. Serbia ka interes për një bashkëpunim me Shqipërinë''.