E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania përgënjeshtron shtimin e trupave në Afganistan

Gjermania hedh poshtë spekulimet e fundit nëpër media, sipas të cilave ky vend do të dërgojë një kontingjent prej 2500 trupash shtesë në Afganistan.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg i quajti të pabaza dhe të pavërteta këto lajme. "Numri i 2500 trupave shtesë që përmendet shpesh herë në media, nuk është i vërtetë", deklaroi ministri gjerman për të përditshmen ''Leipziger Volkszeitung''.
Ai deklaroi se ende nuk ishte marrë një vendim, por shtoi se qeveria do të bëjë një rekomandim të gjerë, si në lidhje me nivelin e trupave po ashtu edhe për sa i përket masave civile për rindërtimin e vendit.
Gjermania ka një mandat për dërgimin e 4500 ushtarëve në Afganistan si pjesë e misionit të NATO-s, por dërgimi i trupave nuk ka mbështetjen e popullit dhe shumica e votuesve gjermanë kërkojnë që forcat ushtarake të kthehen në atdhe.
SHBA-ja bëri publike muajin e kaluar planet për dërgimin e një kontingjenti prej 30 mijë trupash shtesë në Afganistan me qëllim mposhtjen e dhunës në rritje, dhe disa aleate të tjerë të saj në NATO po ndërmarrin angazhime për trupa shtesë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›