E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Verës, Tirana në zjarr

Aktivitetet Spektakël, sfilatë, muzikë klasike, koncert rroku, panair ëmbëlsirash, festë për fëmijët

Sot, kush është bërë gati për të dalë në kryeqytet me makinë, më mirë të dalë më këmbë. Trafiku do të jetë i rënduar, rrugët do të jenë të bllokuara, ndërkohë që vizitorët në Tiranë do të jenë nga e gjithë Shqipëria. Aktivitete të shumta janë planifikuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës. Do të ndihen pjesë e tyre nga moshat e vogla, deri te të rriturit. Koncerte, panaire, muzikë live, sfilatë dhe çdo aktivitet që përfshin fjala “spektakël”, do të realizohen sot me rastin e Ditës së Verës.
Bashkia e kryeqytetit ka planifikuar një sërë eventesh, të cilat do të zhvillohen në qiell të hapur.
Kjo traditë e hershme, që simbolizon ardhjen e stinës së ngrohtë, do të mbushë sot të gjitha rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit, për të gjashtin vit radhazi, me një larmi aktivitetesh të organizuara.

Festimet do të nisin rreth orës 10:00 me aktivitete për të gjitha moshat, duke mos harruar edhe gatimet tradicionale të kësaj feste. Të dielën paradite, në sheshin “Skënderbej”, këngët dhe vallet e ansamblit "Tirana" do të çelin siparin e festimeve.

Më pas, akrobatë dhe klounë nga Cirku i Tiranës do të argëtojnë fëmijët e pranishëm, ndërsa banda e qytetit do të mbajë rrugëtimin përgjatë gjithë bulevardit kryesor.

Në sheshin “Skënderbej”, në orën 10:00 do të vendosen “pjatat” tradicionale të gatuara nga amvisat, të cilat do ua ofrojnë këtë ushqim qytetarëve vizitorë.

Kompani të ndryshme do të sjellin produktet e tyre dhe do të zhvillojnë aktivitete të shumta me të pranishmit, duke u dhënë edhe dhurata. Disa animatorë të specializuar do të organizojnë lojëra popullore, ku do të kërkohet pjesëmarrja e të gjithë të pranishmëve, për të krijuar kështu atmosferë të ngrohtë e familjare, një ambient me një dekor pranveror, të zbukuruar enkas për fëmijët, tullumbace shumëngjyrëshe, lule.

Te galeria e arteve, një grup prej 50 instrumentistësh do të performojë muzikë klasike. Një repertor shumë i zgjedhur që nga Bethoveni e Vagner, me sonata dhe pjesë të mrekullueshme nga muzika klasike, do të sillen me mjeshtëri nga këta instrumentistë, të cilët do të performojnë në mënyrë të shkëlqyer për publikun e metropolit. Në parkun "Rinia" do të vendoset një sistem karaoke. Do të ftohen të gjithë të bëhen protagonistë të këngës. Kështu do të promovohet muzika e bukur shqiptare, e cila do të përcjellë dhe do të ngjallë emocione te publiku.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të kthehet në një panair argëtues, me kënde dhe streha ku nuk do të mungojnë veroret, “face paiting”, “xhaxhi piktori”, sheqerkat dhe lojërat.

Për herë të parë për publikun, tendencat e fundit të modeleve dhe stilimeve të flokëve do të performohen live, nga shkolla të ndryshme parukerie. Në 10 poste të ndryshme punë, parukierët do të zbukurojnë zonjat, por dhe zotërinjtë, të rinj e të reja që duan ta provojnë këtë përvojë. Zhvilluar për herë të dytë, projekti “Pasarela” do të jetë si një ajër i freskët femëror në këto festime. është konceptuar si një pasarelë e vërtetë, përpara hotel “Rogner”, ku stilistë të njohur shqiptarë e studentë të modës do të veshin modelet me koleksionet e tyre.

Për të dytën herë, me bashkëpunimin e ngushtë të ambasadave, do të zhvillohet koncerti i rrokut, live. Në këtë koncert gjigand, do të ketë muzikë rrok dhe muzikë alternative nga Danimarka, Hungaria, Anglia, Holanda dhe Gjermania. Aktiviteti do të zhvillohet në zonën e Bllokut.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›