E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, shtetrrethim për makinat luksoze

Supermasa nga Drejtoria e Policisë për gjashtë orë, shoqërohen mbi 50 vetë dhe bllokohen shumë mjete

Një operacion i gjerë i policisë është organizuar mbrëmjen e djeshme në të gjithë kryeqytetin, me qëllim identifikimin dhe goditjen e makinave të vjedhura dhe të trafikuara. Operacioni është bazuar në një plan masash për goditjen e këtij fenomeni, duke ngritur postblloqe në të gjitha pikat kyçe të Tiranës. Sipas të dhënave nga policia, mbrëmjen e djeshme një operacion është ndërmarrë rreth orës 20:00. Në të gjithë kryqëzimet kryesore janë vendosur patrulla policie, që kanë bërë kontrolle për çdo makinë luksoze që kalonte. Atyre u ushtrohej kontroll në dokumentacion, si dhe kryheshin verifikime nëse ato rezultonin të vjedhura jashtë vendit. Në operacion morën pjesë efektivë nga të gjitha strukturat e hetimit të krimit, të drejtuara nga krerët e policisë së Tiranës. Postblloqet u ngritën edhe në hyrje-daljet e Tiranës dhe kanë zgjatur deri në orët e vona të natës. Sipas të dhënave, gjatë këtij operacioni janë shoqëruar mbi 50 persona me mjete të ndryshme. Ndërsa në lidhje me ndonjë mjet të sekuestruar apo arrestime të mundshme, policia deklaroi se është duke kryer veprimet procedurale dhe ende nuk ka marrë ndonjë masë konkrete ndëshkuese. Gjithashtu, gjatë kryerjes së detyrave, policia e Tiranës ka pasur edhe disa përplasje, duke proceduar penalisht personat përgjegjës. Sipas policisë, operacione të tilla do të ndërmerren sërish për goditjen e trafikut të makinave. Nga burime të besueshme të policisë mësohet se vetëm pak ditë më parë, një listë me makina të vjedhura ka mbërritur pranë policisë shqiptare që mendohet se janë trafikuar drejt vendit tonë. Trafiku i makinave mbetet shqetësim, pasi shumë prej tyre janë pajisur me targa shqiptare, për arsye se në momentin që kanë hyrë në Shqipëri, nuk rezultonin të vjedhura dhe që denoncimet janë kryer shumë kohë më vonë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›