E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Vizita e Metës në Serbi, kundër Kosovës

Ish-kryeministri e cilëson vizitën si të gabuar dhe të dëmshme për shtetin e ri

Vizita e zëvendëskryeministrit, njëkohësisht kryediplomatit shqiptar, Ilir Meta, në Serbi, ishte e gabuar dhe cenon interesat e Kosovës së pavarur. Ky qëndrim i ashpër pas vizitës së Metës në Beograd erdhi nga deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, njëkohësisht ish-kryeministër i Shqipërisë gjatë luftës në Kosovë. Sipas Majkos, vizita është bërë në një kohë të gabuar, dhe favorizon palën serbe në mënyrën se si tashmë do e trajtojë çështjen e Kosovës. Në këtë kuadër, Majko pretendon se tashmë Serbia do ta përdorë vizitën për ta paraqitur Kosovën si një problem rajonal dhe jo ndërkombëtar. “Kjo vizitë e gabuar, në kohë të gabuar, realisht krijon telashe, probleme, keqinterpretim dhe një perceptim negativ. Unë jam i bindur jo vetëm brenda Shqipërisë, po dhe jashtë asaj. Serbia pas kësaj vizite bëhet dhe më e besueshme në qëndrimin e ashpër karshi Kosovës. Merr një fizionomi dhe më rajonale, duke e përdorur këtë mbikalim që diplomacia shqiptare i bën Kosovës”, theksoi ish-kryeministri, Pandeli Majko. Sipas tij, koha është e gabuar, sepse ky është një moment i rëndësishëm për fatin e Kosovës, në një kohë kur njohjet e pavarësisë së saj duhet të shtohen. Ish-kryeministri theksoi se Meta e trajtoi çështjen e Kosovës si një çështje ku palët nuk bien dakord, sikur të ishte problemi i Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit. Nga ana tjetër, Pandeli Majko theksoi se gjatë vizitës së Metës u hap edhe një çështje inekzistente, siç ishte ajo e minoritetit serb në vendin tonë.

“Me një naivitet politik hapen diskutime që kanë të bëjnë me çështjen e ekzistencës së një minoriteti serb në Shqipëri. Minoritet serb nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë”, nënvizoi deputeti i PS-së. Po kështu, Majko nuk nguroi ta cilësojë sjelljen e zëvendëskryeministrit Meta si inferiore ndaj homologut të tij dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë të politikës serbe. Sipas Majkos, takime të tilla nuk i sjellin asnjë të mirë Shqipërisë për sa i përket pjesës së marrëdhënieve të saj diplomatike me vendet e tjera. “Ideja se kjo është një diplomaci që na çon drejt Brukselit, se do të ulë tensionet, se do të shmangë një përplasje në vazhdim brenda Kosovës, nuk qëndron”, konkludon deputeti socialist në fjalën e tij. Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk ka pasur asnjë qëndrim zyrtar në lidhje me vizitën e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në Serbi, dy ditë më parë. Të pyetur nga media në lidhje me këtë ngjarje, përfaqësuesit e opozitës kanë shprehur qëndrime të ndryshme. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, diplomati Pëllumb Xhufi deklaroi se kjo vizitë ishte e nxituar. Po kështu, Xhufi deklaroi se Shqipëria në mënyrë të padrejtë po u jep më shumë rëndësi sesa duhet marrëdhënieve diplomatike me vende të dorës së dytë, si Serbia. Por nga ana tjetër, deputeti socialist, Kastriot Islami, njëkohësisht ish-ministër i Jashtëm, e konsideroi vizitën e Ilir Metës në Serbi si pozitive. Sipas Islamit, kjo vizitë do t’u shërbejë marrëdhënieve të mira mes vendeve të rajonit tonë, duke përfshirë edhe Kosovën. Gjatë dy ditëve të vizitës së tij në Serbi, Meta vizitoi luginën e Preshevës dhe të Beogradin. Ministri ynë i Jashtëm zhvilloi takim me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç, dhe me Presidentin e vendit, Boris Tadiç. Vizita e Metës ishte planifikuar për t’u zhvilluar që në fund të vitit të kaluar, por shtyrja e saj erdhi si rezultat i moskoordinimit të axhendave të krerëve të lartë të dy vendeve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›