E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Verës, aktivitete të shumta në Elbasan dhe Tiranë

TIRANE - Sot në të gjithë vendin festohet Dita e Verës. Në Elbasan, aty ku kjo festë është tradicionale, festimet kanë nisur që mbrëmjen e djeshme me koncerte të shumta në qendër të qytetit.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme janë parashikuar një sërë aktivitetesh ku muzika dhe festa do të vijojnë deri në agim.

Kryeministri Berisha do të jetë sot në Elbasan në panairin e çelur me ketë rast, ndërkohë që do të marrë pjesë edhe në parakalimin tradicional të karnavaleve. Gjatë festimeve për Ditën e Verës nuk do të mungojë për asnjë moment edhe ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite ballokumja, e gatuar me mjeshtëri nga gratë elbasanase.

Edhe kryeqyteti i vendit, Tirana, është veshur me një dekor të veçantë për këtë ditë. Bashkia ka njoftuar organizimin e një sërë aktivitetesh si panairin e produkteve shqiptare koncerte në sheshet kryesore etj ...

PROGRAMI FESTIV NE TIRANE
“Në rrugën “Murat Toptani”, në orën 10.00 hapet Panairi i Produkteve Shqiptare, i cili bashkon biznese të të gjitha trevave shqiptare, nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria. Hapja e këtij panairi në rrugën “Murat Toptani” do të shoqërohet edhe me performancën e Ansamblit të Qytetit.

Në Lulishten “3 Vëllezërit Frashëri” do të kompozohet qyteti i artit. Dekorimi i kësaj qyteze do të shoqërohet me muzikën e një bande rock dhe do të rrethohet nga piktorë e piktura të punuara nga nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”.

Nën atmosferën e personazheve të dashur për fëmijët të cilat do të sillen nga animatorë profesionistë, do të organizohen lojëra për të gjithë fëmijët, në lulishten në qendër të qytetit. Të gjithë lojërat do të shoqërohen me shfaqjen teatrore të Qendrës Kulturore “Tirana”. Këto festime do të fillojnë në orën 11:00, deri në orën 14:00 pranë “Parkut Rinia”.

Festimet do të kulmojnë në sheshin “Nënë Tereza” me Karaoken që do të organizohet me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve të mirënjohur. Shfaqja do të transmetohet në ekranin e skenës, nga e cila do të ftohen qindra qytetarë të këndojnë live këngë të njohura. Karaoke do të fillojë në orën 11:00, për të vazhduar deri në orën 14:00.”

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Dita e Verës, historia e festës tradicionale

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›