E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Verës vjen në Tiranë me muzikë rrok te Blloku

 

Të gjithë duke festuar Ditën e Verës. Sot qytetarët do të kenë mundësi të bëhen pjesë e një sërë aktivitetesh. Për t’u krijuar sa më shumë hapësira, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe “Ismail Qemali” do të jenë të bllokuara deri pasdite vonë. Për të pestin vit radhazi, Dita e Verës festohet edhe në Tiranë.  Tradita e hershme pagane, që simbolizon ardhjen e stinës së ngrohtë, mbush në 14 mars të gjitha rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit. Aktivitete të larmishme janë organizuar nga Bashkia e Tiranës, për t’i dhënë sa më shumë ngjyrë ditës së sotme. Banda e qytetit, ansambli “Tirana”, këndi i fëmijëve dhe koncerti i madh në orën 12:00, janë të përhershme por këtë vit kjo festë sjell edhe risi të tjera. Muzika që të luhet në skenat e zonës së bllokut  do të  jetë rock, duke qenë se është rryma më e preferuar e momentit. Festimet e Ditës së Verës në kryeqytet këtë vit mbështeten edhe nga Ambasada Çeke, Holandeze dhe ajo e Mbretërisë së Danimarkës, të cilat kanë kontribuar për ardhjen e grupeve të rock-ut për këtë festë. “Ky eveniment mundëson shkëmbimin e kulturave ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Ambasadori Danez, Karsen Petersen. Shqipëria ndodhet për herë të parë në rrugën e integrimit euroatlantik dhe integrimi i vërtetë ndodh kur njerëzit takohen me njëri-tjetrin dhe këtë më mirë se çdo gjë tjetër e bën muzika”, ka theksuar Ambasadori Holandez. Festimet do të nisin rreth orës 10 me aktivitete për të gjitha moshat, duke mos lënë mënjanë edhe gatimet tradicionale të kësaj feste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›