E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatura e zgjedhjeve, 7,5 milionë USD

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka llogaritur që të shpenzojë për zgjedhjet gjithsej 7,5 milionë USD. Burime pranë KQZ-së bëjnë të ditur se për zgjedhjet vitit 2009, KQZ-ja do t’i kërkojë qeverisë që të derdhë në arkën e KQZ-së një shumë për të përballuar zgjedhjet e 28 qershorit. KQZ-ja ende nuk e ka përcaktuar shumën përfundimtare. Sipas burimeve mësohet se shifra totale pritet të merret në mënyrë përfundimtare nga ana e KQZ-së në ditët e ardhshme.
Pagat për anëtarët e KZAZ-së
Vetëm për anëtarët e komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta, KZAZ, KQV dhe GNV shkon në total: 1,047, 390 usd amerikanë, që përfshijnë 41.040 anëtarë. Anëtarët e KQZ-së përplasen për pagat e anëtarëve të komisioneve të dyta dhe të treta. Në mbledhjen e djeshme të saj, 7 anëtarët nuk kanë arritur në një unison, për të realizuar një skemë page të pëlqyeshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009. Tre anëtarët e KQZ-së, të zgjedhur nga e majta parlamentare, Dëshira Subashi, Artan Lazaj dhe Pandeli Varfi ka dalë kundër skemës së propozuar për të paguar drejtuesit e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe anëtarët në përgjithësi. Në fillim të mbledhjes, pas paraqitjes së kësaj skeme ishte parashikuar që kryetari, nënkryetari dhe sekretari i KZAZ-ve të paguheshin për tre muaj punë, me një pagë që shkonte në 65 mijë lekë të reja. Ndërsa anëtarët e tjerë të KZAZ-ve do të marrin vetëm 60 mijë lekë për një punë tre mujore. Ndërsa për Komisionet e Qendrave të Votimit, tre drejtuesit kryesorë do të paguhen me nga 40 mijë lekë në total. Ndërsa anëtarët e tjerë do të paguhen për punën që do të kryejnë deri pas zgjedhjeve me 35 mijë lekë të reja. KQZ-ja gjithashtu ka përcaktuar dhe pagesën e anëtarëve dhe grupeve të numërimit të votave. Në bazë të materialit të propozuar nga ana e Drejtorisë së Financave, këto anëtarë të grupeve të numërimit të votave do të paguhen me nga 6 mijë lekë të reja për një ditë numërimi të votave. Pas paraqitjes së mënyrës së skemës së pagesës së “administratës” së re të KQZ-së, përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj ka paraqitur kërkesën për shtimin e pagesës së anëtarëve të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta në masën 30 për qind. Ai e ka lidhur me dhënien e garancive të procesit zgjedhor, duke synuar një standard për zgjedhjet. Gjonçaj e ka lidhur dhe me faktin se ndryshe me zgjedhjet e kaluara vendore, të vitit 2007, në zgjedhjet e 28 qershorit do të ketë numër të pakët të KZAZ-ve dhe mbi të gjitha një numër më të vogël të anëtarëve. Në zgjedhjet e kaluara vendore, numri i KZQV-ve ishte me 13 anëtarë, numër i njëjtë dhe për KQV-të. Rritjen e shumës, përfaqësuesi i PS-së e lidhi dhe me një faktin e shërbimit real nga këto anëtarë, pasi nuk mund të ketë një pagesë mujore mbi 20 mijë lekë, në një kohë që mënyra e përzgjedhjes së tyre, sipas udhëzimit të KQZ-së kërkon njerëz me eksperiencë dhe me shkollë të lartë. Arsyeja tjetër lidhet me faktin se tashmë nuk do të ketë 385 KZQV, por vetëm 66 KZAZ. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani e ka cilësuar një kërkesë me një kosto financiare për buxhetin e KQZ-së. Propozimi i paraqitur bënte që drejtuesit e KZAZ-ve të merrnin në total për tre muaj punë shumë që shkonte në 85 mijë lekë të reja.  Të njëjtin qëndrim ka pasur edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Klement Zguri e ka rrëzuar pretendimin PS-së, duke theksuar se “kjo ka një kosto për KQZ-në”. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, në mbledhjen e komisionit deklaroi se “nuk gjenden njerëz me një CV të pranueshme që të paguhen me një shumë 20 mijë lekë në muaj”. “Me 20 mijë lekë paguhen punëtorët e pakualifikuar, ndërsa komisionerët janë përgjegjës për standardet në zgjedhje”, deklaroi Subashi. Një tjetër kontestim i Subashit ka qenë edhe fakti se paga e sekretarit të KZAZ-së është e njëjtë me atë dy drejtuesve të tjerë. “Nuk mund të barazohen me paga, pasi sekretari ka vetëm detyra administrative”, ka deklaruar Subashi. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti ka mbrojtur idenë e mos ndryshimit të pagave, pasi ka një faturë financiare për buxhetin e shtetit dhe vetë KQZ-në. Pas këtyre qëndrimeve është hedhur votim kërkesa për të kaluar pagat sipas propozimit të zyrës së Financave. Me katër vota pro të Ristanit, Zgurit, Osmanaj dhe Shtjefnit ky vendim u kalua. Ndërsa tre anëtarët e tjera Subashi, Varfi dhe Lazaj votuan kundër.

Pagat e anëtarëve

Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor

• Në total janë 66 KZAZ, do të jenë 528 persona që angazhohen më 28 qershor
• Të 198 Kryetarët, zv/kryetarët, sekretarët e KZAZ-ve do të paguhen me 65.000 lekë për tre muaj
• Të 330 anëtarët e tjerë do të paguhen gjithsej me 60.000 mijë lekë

Komisionet e Qendrave të Votimit

• Në total do të jenë rreth 4800 KQV
• Numri i anëtarëve gjithsej do të jetë 38.400
• Në këtë shifër përfshihen edhe 4800 sekretarët
• Kryetari, zv/kryetari dhe sekretari i KQV-së do të paguhen me nga 40.000 lekë në muaj
• Gjithsej janë 14.400 drejtuesit
• Të 24 mijë anëtarët e KQV-ve do të paguhen me 35 mijë lekë në muaj

Grupet e Numërimit të Votave

• Nga 66 KZAZ parashikohet të ketë 8 GNV, pra 528 GNV
• Një GNV ka 4 anëtarë gjithsej
• Nëse çdo KZAZ do të ketë 8 GNV, atëherë nevojiten 2112 anëtarë të grupeve të numërimit.
• Paga e këtyre anëtarëve të GNV-ve është 6.000 lekë të reja

Në total vetëm për 41 040 anëtarë të administratës zgjedhore

KQZ-ja do të shpenzojë 1,047, 390 USD për komisionerët

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›