E Diel, 1 Nëntor 2026

ILO: Puna e zezë në nivele alarmante, të merren masa

 

Puna në të zezë në vendin tonë është në nivele alarmante. Sektori i ndërtimit renditet i pari në listën e informalitetit. Të dhënat vijnë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) në Shqipëri. Kjo organizatë, në një deklaratë për mediat, sugjeron më shumë dialog social për të zbutur këtë fenomen. “Shqetësimi i vazhdueshëm dhe në rritje i partnerëve socialë në Shqipëri për ndikimin negativ dhe përhapjen e gjerë të punës së padeklaruar në sektorët më të  rëndësishëm të ekonomisë kombëtare kërkon ndërmarrjen e hapave të rëndësishëm për t’ju kundërvënë kësaj dukurie, nëpërmjet veprimtarive që çojnë së pari, në  një dialog social dhe partneritet më  të  fortë”, thuhet në një deklaratë të zyrës së ILO-s në Shqipëri, duke vënë theksin sidomos në informalitetin në sektorin e ndërtimit, që përbën edhe një komponent të rëndësishëm dhe në rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të  vendit. ILO sugjeron që Qeveria dhe partnerët sociale duhet të krijojnë një grup trepalësh pune për të përgatitur propozime për ndryshimin e Kodit të Punës, duke përfshirë elementë që  mbrojnë përfaqësuesit e punëtorëve në vendin  e punës.  Shqetësimi i ILO-s vjen pas disa apeleve të përsëritura se informaliteti rrezikon seriozisht plotësimin e standardeve të punës së denjë, duke dhënë pasoja shumë të rënda, sidomos në sigurimin shoqëror dhe shëndetësor të punonjësve. Vitin e kaluar, ILO në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Federatat e Sindikatave të Ndërtimit dhe Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë, ndërmori një studim për të identifikuar burimet dhe shkaqet e punës së padeklaruar në sektorin e ndërtimit dhe bashkërisht u formuluan rekomandime për  të  luftuar punësimin informal. Sipas këtij studimi, pas identifikimit të problematikave, Qeveria Shqiptare ka marrë masa legjislative dhe rregullatore, të cilat duhet të kontribuojnë në reduktimin e punësimit informal në të  gjithë  sektorët e ekonomisë kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›