Zbulohet makina e djegur e grabitjes së 5 milionëve
LEZHE / ROLAND NIKOLLI
Zbulohet makina e djegur me të cilën dyshohet se u realizua grabitja e 5 milionë lekëve në mes të qytetit të Lezhës. Policia ndaloi dje edhe dy persona, të cilët dyshohet se janë posedues të këtij mjeti, e rrjedhimisht edhe autorët e grabitjes spektakolare të punonjëseve të postës në Lezhë dhe një efektivi shërbimi në bankë.
Blutë u sinjalizuan nga banorët e fshatit Tresh të këtij rrethi, të cilët kishin pikasur makinën e djegur në një luginë. Ekspertë të policisë kriminale mbërritën menjëherë në vendin e sinjalizimit dhe konstatuan makinën që ishte shkrumbuar. Dyshohet se mjeti të jetë djegur pas grabitjes së parave, me qëllim humbjen e gjurmëve. Burime të policisë bënë të ditur se, ndonëse e djegur, u konstatua se makina korrespondonte me të njëjtin mjet që kishin përshkruar dëshmitarët e ngjarjes së ndodhur të enjten rreth orës 10:30, në bulevardin “Gjergj Fishta” në Lezhë, përpara njërës prej bankave të nivelit të dytë. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, mjeti u rimorkua, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve përkatëse gjatë hetimit. Blutë nisën më pas aksionin për kapjen e autorëve të grabitjes. Sipas burimeve të policisë, dy banorë të fshatit Tresh u ndaluan, pasi dyshohet të jenë të implikuar në grabitje. Në sajë të hetimeve paraprake u konstatua se ata ishin posedues të një mjeti me karakteristikat e atij që u gjet i djegur. Në momentin e verifikimit, njëri prej të ndaluarve është shprehur se nuk kishte makinë. Por grupi i hetimit ka mundur të zbulojë se njëri prej tyre, (për efekt hetimi nuk bëhen të ditur emrat e të ndaluarve) më parë kishte pasur makinë, ndërsa dje ai ka mohuar një fakt të tillë. Mësohet se grabitësit janë larguar rrugës së vjetër nacionale që lidh Lezhën me Laçin. Kjo ka bërë që të dyshohet se automjeti i gjetur i djegur të jetë ai i përdorur gjatë grabitjes. Policia nuk i bëri dje të ditur emrat e të ndaluarve, pasi mund të ketë zgjerim të rrethit të hetimit dhe të të dyshuarve për implikim në këtë ngjarje. Mënyra sesi u arrit të grabiten 5 milionë lekë punonjësve të postës menjëherë sapo ato dolën nga banka, lë dyshime për persona të tjerë bashkëpunëtorë në ngjarje. Paratë e grabitura ishin destinuar për pensionin e përmuajshëm të pensionistëve.