Lista e re,sëmundjet me më shumë ilaçe me rimbursim
zirina llambro
Në fund të muajit lista e re e barnave me ribursim do të jetë gati. Propozimet tashmë kanë përfunduar dhe mbetet vetëm kalkulimi i buxhetit që duhet për të mbuluar skemën. Burime të sigurta nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, pohojnë se këtë vit lista jo vetëm do të zgjerohet me barna të reja, por do të përfshijë edhe ilaçe të shtrenjta. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë pohon se sipas propozimeve të ardhura nga klinikat kryesore të spitalit “Nënë Tereza”, prioritare do të jenë një sërë sëmundjesh. ”Këtë vit është marrë mendimi i shefave të shërbimeve, ndryshe nga vjet ku në disa raste mendimet e tyre nuk u morën parasysh”, sqarojnë burime nga ministria. Duke iu referuar propozimeve të bëra, ata bëjnë me dije se sëmundjet kronike të zemrës, prostatës, hepatitet, sëmundjet mendore e hormonale do të jenë prioritare në skemën e re. Për to janë parashikuar medikamente më cilësore. “Po ashtu këtë vit kanë ardhur propozime edhe për sëmundje të cilat nuk janë mbuluar sa duhet në listat e mëparshme”, sqarojnë burime nga Drejtoria e Farmaceutikës në Ministrinë e Shëndetësisë. Në këtë grup bëjnë pjesë tumoret, diabeti, problemet me veshkat, obeziteti. Të gjitha këto propozime pritet që deri në fund të muajit të shqyrtohen nga Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave me rimbursim. Ky komision kryesohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe përbëhet nga 21 anëtarë. Lista e vitit 2008, që për pak kohë është ende në fuqi, u bë menjëherë pas miratimit pjesë e debateve në rang specialistësh. Ndonëse u premtuan një sërë barnash të reja, në skemë u shtuan vetëm alternativa ilaçesh ekzistuese që më parë. Një sërë akuzash u hodhën nga shefat e klinikave në adresë të ministrisë.
semundjet
Sëmundjet e zemrës
Prostata
Hepatitet
Sëmundjet mendore
Sëmundjet hormonale
Tumoret
Diabeti
Problemet me veshkat
Obeziteti