E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, “grupi hije” dëshmi të rreme

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Përgj-ithshme u dha fund hetimeve për tragje-dinë një vit pas shpërthimit në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec. Automjetet e Prokurorisë së Përgjithshme filluan transportimin e fashikujve me prova rreth orës 15:20, pasi dosja ishte qepur në organin qendror të akuzës. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë konfirmuan se para mbylljes së orarit zyrtar, morën në dorëzim 89 fashikuj të dosjes “Gërdeci”, së bashku me kërkesën për gjykim, një material që në total kap 28 mijë faqe. Materialet janë depozituar në sekretarinë e Gjykatës së Lartë, ku pritet të zhvillohet shorti për caktimin e trupës me 5 gjyqtarë, që do të zhvillojë procesin në themel kundër 29 të pandehurve. Katër prej të pandehurve u arrestuan një vit më parë, me akuzat e “vrasjes ndaj më shumë së dy personave dhe rrezikimit të jetës së shumë të tjerëve”, “shkatërrim prone me dashje”, “shkelje të rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse” dhe “shpërdorim detyre”. Të pandehur në të njëjtin proces, janë marrë edhe ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, me gjashtë zyrtarë të stafit të tij si dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, bashkë me gjithë ushtarakët dhe specialistët që kanë pasur të bëjnë me nxjerrjen e municioneve nga depot e ushtrisë dhe furnizimin e fabrikës së Gërdecit. Zyrtarët e Ministrisë dhe Shtabit akuzohen për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” si dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë” ndërsa ushtarakët e lartë, mes tyre katër gjeneralë dhe tre kolonelë, akuzohen se kanë “shpërdoruar detyrën” në Forcat e Armatosura. Në kohën kur 29 të pandehur nga Ministria e Mbrojtjes dhe ushtria u dërguan nën akuzë në Gjykatën e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme ka mbajtur një dosje rezervë të krijuar gjatë hetimeve në Gërdec. Bëhet fjalë për tetë persona, të cilët janë në hetim dhe që pritet të vendosen nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit do të marrë provat e mbledhura nga Prokuroria e Përgjithshme, sipas të cilave “grupi hije” i Gërdecit, ka mbajtur lidhje me Mihal Delijorgjin dhe Ylli Pinarin, duke lobuar për kontratën e dytë të dhjetorit 2007, e cila i dha mundësinë kompanisë “Albademil” për demontimin e predhave të kalibrit të rëndë.  
Grupi hije i Gërdecit
Historia e të dyshuarve për tragjedinë e Gërdecit, vetëm sa ka mbyllur kapitullin e parë të saj me drejtësinë. Dosja penale që mbërriti dje në Gjykatën e Lartë është vetëm një pjesë e rezultatit të hetimit, pasi një dosje e dytë me të paktën tetë të pandehur, është mbajtur në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, pohuan dje për gazetën “Panorama”, se të paktën tetë persona të tjerë, të “pa prekur” në dosjen që shkoi në Gjykatën e Lartë, do t’i kalojnë për hetim Prokurorisë së Tiranës. “Janë persona pa imunitet dhe akuzohen për dëshmi të rreme, për këtë shkak, kompetencën e hetimit e ka Prokuroria e rrethit”, thanë burimet zyrtare të akuzës qendrore. Sipas tyre, bëhet fjalë për personazhe të njohur të botës së biznesit dhe për shtetas me qëndrim jashtë Shqipërisë, të cilët është faktuar se kanë qenë të angazhuar në Gërdec. Prokuroria tha se ka prova të forta për këtë fakt dhe mbi bazën e këtyre të dhënave, personazhet e “grupit hije” janë thirrur dhe janë pyetur në organin qendror të akuzës në korrik 2008, ku kanë mohuar çdo lidhje të tyre me tragjedinë. Mirëpo Prokuroria konfirmon se ka fakte të forta që tregojnë të kundërtën. “Një përgjegjës i kompanisë së Mihal Delijorgjit, “Albademil”, e cila kryente çmontimin në Gërdec, ka dëshmuar se ditën e tragjedisë, më 15 mars 2008, ka qenë me dy nga personazhet e “grupit hije”. Ai ka thënë madje se kur ndodhi shpërthimi, ai bashkë me dy personat e tjerë, janë hedhur nga dritarja për të dalë nga zyrat që po shembeshin si pasojë e eksplozionit”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme.

Pinari dhe Delijorgji u përgjuan, 100 disqe me biseda në gjykatë
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi dje në Gjykatën e Lartë, bashkë me fashikujt dokumentarë të dosjes “Gërdeci” edhe 100 disqe me biseda telefonike të përgjuara mes personave të implikuar. Sipas burimeve nga akuza, mësohet se pjesa kryesore e përgjimeve telefonike, janë kryer gjatë komunikimeve që kanë zhvilluar të pandehurit kryesorë për tragjedinë, ish-drejtori i Ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, si dhe biznesmeni Mihal Delijorgji. Nga të dhënat e organit të akuzës, mësohet se Ylli Pinari ka qenë më i kujdesshëm në komunikimet e tij telefonike ndërsa Mihal Delijorgjit i janë fiksuar biseda kompromentuese për vetë atë, si dhe për persona të tjerë. Bisedat telefonike të administruara në kompakt-disqe, CD, janë dorëzuar bashkë me fashikullin e hetimit në Gjykatën e Lartë, pasi përbëjnë prova materiale. Në listën e provave ndodhet edhe kompjuteri i ish-shefit të Ndërmarrjes “MEICO” Ylli Pinari, i cili është bllokuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe pritet të paraqitet në gjyq së bashku me materialet që përmban. Prokuroria tha se ka administruar edhe përgjime ambientale ndaj personave të dyshuar, të cilët fajësohen edhe nga prova të tjera që ndodhen në dosje. Ndërkaq, asnjë nga të pandehurit e kësaj çështje, nuk i ka pranuar akuzat që janë ngritur. Që në fillim të hetimit, Prokuroria u përball me një “lojë” të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë, të cilat u përpoqën të fajësonin njëra-tjetrën. Të njëjtin qëndrim, të pandehurit e kanë shfaqur edhe gjatë deklarimeve të dhëna në prokurori, ku zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë bërë përgjegjëse strukturat e ushtrisë dhe kjo e fundit ka hedhur fajin në drejtim të dikasterit të drejtuar nga Fatmir Mediu, i cili dha dorëheqjen disa ditë pas ngjarjes së rëndë.                                 tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›