Dita e parë në rezidencën e re kuqezi

Jorgis Memo (Sporti Shqiptar) - Për këdo mund të duket disi e cuditshme, por dje kombëtarja nisi grumbullimin për ndeshjen eliminatore me Suedinë nga qendra e Tiranës, pikërisht në hotelin e famshëm, që të gjithë e njohin si "15-katëshi". Trajneri Ari Han, bashkë me ndihmësit e tij, Teo De Jong dhe Nikolas De Bre, janë bërë si të "shtëpisë", pasi janë sistemuar aty që të shtunën. Eshtë ora 13:00, kur futbollistët Endri Vrapi, Jahmir Hyka, Edmond Kapllani, Andi Lila, Ansi Agolli, Admir Teli dhe Elis Bakaj mbërrijnë të parët në hotel. Parkimi i makinave, që mund të ishte një problem për ta, dukej i zgjidhur, pasi hoteli kishte vend të bollshëm. Kontakti i parë është me recepsionisten. Për momentin në ambientin rreth hollit të hotelit ka habi te njerëzit, të cilët natyrshëm pak e dinë që ekipi kombëtar do të jetë i sistemuar këtu. Kur pyet se në cfarë kati do të vendoset kombëtarja, përgjigjja e disa prej anëtarëve të stafit të hotelit, është kjo: "Nuk dimë gjë, në këtë orar ka vetëm konferenca për shtyp dhe kokteje." Gjithsesi, recepsionistët i japin drejtim punës dhe kuqezinjtë e parë vendosen në katin e gjashtë të hotelit, aty ku gjejnë edhe trajnerin Ari Han me ndihmësit e tij. Bisedat e para janë të ngrohta, ndërkohë që stafi kuqezi është gjithnjë në lëvizje, por në 14:00 gjen kohën për të shijuar një kafe në hollin e hotelit. Pas grupit të parë të kuqezinjve, mbërrin Lorik Cana dhe Hamdi Salihi, e pak më vonë se këta të fundit Altin Lala. E vecanta është se në hotel ndodhet edhe portieri i kombëtares U-21, Saimir Ujkani. Ky i fundit, duke mos ditur vendndodhjen e saktë të kuqezinjve, nuk la njeri pa pyetur. Në fund u mësua se ardhja e tij ishte për të takuar bashkëpatriotin Lorik Cana. Lojtarët, pasi sistemojnë valixhet në dhoma, dalin një e nga një në katin e parë, aty ku mund të pushosh në barin, që është i vendosur në krahun e majtë, si dhe në kolltukët e rehatshëm në të djathtë. Të parët zbresin Endri Vrapi dhe Jahmir Hyka, të cilët janë bashkë në dhomë. Në fytyrën e Vrapit dallohet një e nxirë, si pasojë e goditjes që ka marrë në ndeshjen e fundit në Vlorë, ndërkohë që Hyka është disi i lodhur, kjo si rezultat i udhëtimit të gjatë që ka bërë. Grupit i bashkohet Salihi, që kishte bërë rrugën për në Tiranë në një avion me kapitenin Lala. Shkodrani është i qetë dhe kërkon të kontakojë menjëherë me familjen. Nga lodhja harron numrin e telefonit të vëllait, por më pas gjithcka zgjidhet. Atë që e mundon sulmuesin është goli me kombëtaren. "Sa herë që grumbullohem, vij me gola në "xhep","- pohon me shaka Salihi. Eshtë ora 14:30 dhe te dera e hotelit shfaqet Elvin Beqiri. Emocione për mbrojtësin, që i lumtur përshëndetet me shokët, pas rikthimit në kombëtare.
"Ngjituni në katin e tretë, dreka është gati"
Ambienti duket i qetë dhe me batuta, derisa "thyhet" kur mbërrin trajneri Ari Han. Me buzëqeshjen karakteristike të tij, holandezi u jep dorën të gjithëve dhe në të njëjtën kohë lajmëron kuqezinjtë që të bëhen gati për drekimin. Trajneri i portierëve, Nikolas De Bre, ka dicka për t'i thënë Salihit në lidhje me golin e fundit, por ata mezi merren vesh, për shkak të gjuhës. Në holl vjen edhe mjeku i kombëtares, Arben Celiku, e më pas të gjithë futbollistët, bashkë me stafin i drejtohen katit të tretë, aty ku dreka është gati. Altin Lala nuk iu bashkua kuqezinjve, teksa qëndroi me një mikun e tij. Më pas kapiteni i drejtohet recepsionit dhe me ndihmën e magazinierit të kombëtares, Fatos Kadëna, con valixhet në dhomë. Dreka zgjat një orë, ndërkohë që rehatia në restorant bëri që kuqezinjtë të gjenin momentin për të bërë pak muhabet. Batutat midis Skelës dhe masazhatorit të kombëtares, Ylli Mihali, nuk mungonin, teksa në shoqëri të tyre ishte dhe përkthyesi i Hanit, Ajet Xeka. Më shumë pyetje natyrisht ishin në drejtim të Elvin Beqirit, i cili i ulur në një tavolinë me Canën tregonte për momentin e keq, që e la për një kohë të gjatë pa luajtur. Në 15:30 restoranti i katit të tretë është bosh dhe i fundit që del është Admir Teli. Futbollistët shpërndahen nëpër dhoma për t'u qetësuar, pasi në 18:00 kanë stërvitjen e parë. Qetësia mbizotëronte në katin e gjashtë, teksa në 15:35 ardhja e portierit Isli Hidi sikur thyen pak akullin. Ndërkohë, shefi i ekipeve kombëtare, Ermal Kuka, është gjithnjë në lëvizjë për cdo shqetësim të futbollistëve. Dhe pas një gjumi të lehtë, lojtarët nisen për në kompleksin "Dinamo", aty ku u zhvillua stërvitja e djeshme.
Stërvitje e lehtë, Bogdani spektator
Eshtë zhvilluar dje, në 18:00, në kompleksin "Dinamo", stërvitja e parë e kuqezinjve. Në drejtimin e trajnerit Ari Han, merrnin pjesë këta futbollistë: Isli Hidi, Andi Lila, Kristi Vangjeli, Elvin Beqiri, Admir Teli, Endri Vrapi, Jahmir Hyka, Ervin Skela, Altin Lala, Lorik Cana, Edmond Kapllani, Ansi Agolli dhe Hamdi Salihi. Holandezi ka preferuar të mos i lodhë kuqezinjtë, të cilët vijnë pas ndeshjeve me klubet e tyre. Stërvitja i përshkua nga kuadratet dhe lojërat me porta të vogla. Ndërkohë, duke qenë se erdhi me vonesë për shkak të linjës së avionit, sulmuesi kuqezi Erion Bogdani i ndoqi si spektator shokët nga rrethimi i fushës së kompleksit "Dinamo". Gjithsesi, për Bogdanin nuk ishte problem, pasi në mëngjes ishte stërvitur me Kievon, e më pas udhëtoi drejt Tiranës
Marre nga Sportishqiptar.com.al