E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy ngjarje te medha dhe rreziqet e mundshme

Dilemat emotive përfunduan. Skeptikët, përfshi edhe ata të orës së fundit, u zhgënjyen në mënyrë të pariparueshme: shqiptarët i morën të dyja "dhuratat" më të mëdha që mund të kishin ëndërruar brenda pragut të kësaj pranvere: Pavarësinë e Kosovës dhe ftesën e Shqipërisë për anëtarësim në Aleancën më të madhe të sigurisë globale, NATO, ftesë kjo që gjykohet, me të drejtë, edhe si një hap i rëndësishëm për një proces edhe më jetësor për të ardhmen tonë: anëtarësimin e vendit në BE.

Tani, pasi kanë kaluar emocionet e natyrshme të momentit të parë, mbase është me vend të vëzhgohet edhe ndonjë rrezik që ka filluar të shfaqet ndërkaq, edhe pse në trajtë embrionale, më së shumti i përftuar nga keqleximi i tyre.

PAVARESIA E KOSOVES

Së bashku me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë thuajse një shekull më parë, shpallja e pavarësisë së Kosovës përbën ngjarjen më të rëndësishme pozitive për mbarë kombin shqiptar. Sikundër është theksuar në shumë e shumë analiza të bëra me këtë rast, sikundër do të theksohet edhe në ca më shumë që do të bëhen në të ardhmen, vënia në vend e një padrejtësie historike (edhe pse jo në dimensionet që do të dëshironin rilindësit tanë) ishte formalizimi i një gjendjeje "pavarësie" "de facto", e cila kishte filluar në Kosovë qysh me hyrjen e trupave ndërkombëtare, fill pas bombardimeve të NATO-s. Përjetimi i këtij akti si një festë e përbashkët ishte më se normal për të gjitha shtëpitë e shqiptarëve. Sikundër kam pasur rastin ta them edhe në ndonjë shkrim të përparshëm, me këtë akt edhe vetë politika përreth Kosovës, pra edhe në Shqipëri, edhe në Maqedoni, madje edhe në vetë Serbinë, ka shansin e madh që të çlirohet nga "çështja kosovare" dhe t‘i kthehet një epoke të re të reflektimit përballë reformave evropianiste, të cilat na duhet bashkërisht t‘i realizojmë në të mirë të qytetarëve dhe të rajonit ku jetojmë. Pikërisht në këtë këndvështrim është e logjikshme që, pas këtij akti, të fillojë një etapë e re e zhvillimit tonë kombëtar e demokratik.

Përjetimi, edhe pse tash për tash shfaqet vetëm latent e sporadik, i kësaj që ndodhi si një fitore e shqiptarëve ndaj Serbisë, e ca më keq si shprehje e supremacisë thuajse racore shqiptare ndaj asaj serbe, do të ishte një mjerim i madh dhe rikthim në një situatë që jo vetëm është joproduktive, por edhe pengesë e mirëfilltë në ecurinë e proceseve ku jemi përfshirë. Nga ana tjetër, përjetimi si fitore vetëm e shqiptarëve, madje e vetëm një pjese të shqiptarëve, pra e atyre që ishin aktivë në UÇK apo mbështetës të saj, është jo vetëm një rindarje e padobishme ndërmes shqiptarëve, por edhe shprehje e një megalomanie, e cila, edhe pse e fshehtë, është primitive dhe thellësisht e pavërtetë. Ne na duhet ta kuptojmë një herë e përgjithmonë se ajo që ndodhi nuk ishte konkurrencë nga pikënisje të njëjta me Serbinë, por rivënie në vend e një padrejtësie gjerësisht të pranuar. Nga ana tjetër, faktorë të tjerë të rëndësishëm, mes të cilëve do të rendisnim: një nivel i ri i të konceptuarit të të drejtave të njeriut dhe përfshirja e këtyre standardeve bashkëkohore në vendimmarrjen e qeverive të vendeve të qytetëruara, sjellja tërësisht jashtë kohe e qeverive serbe, jo vetëm të kohës së Millosheviçit, por edhe pas tij, si dhe situata globale gjeopolitike, pra marrëdhëniet e reja SHBA-Rusi, pa asnjë dyshim kanë qenë faktorë tepër të rëndësishëm të mbështetjes ndërkombëtare që ne patëm në këtë sipërmarrje historike. Të gjitha këto që sapo rendita, kurrsesi nuk duhen konceptuar si një thirrje për të ulur vlerën e aktivitetit njerëzor dhe politik të shqiptarëve, por thjesht si një kërkesë për më shumë realizëm.

Këmbëngulja e Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi për instalimin e një shoqërie të hapur dhe të shëndetshme për të gjithë qytetarët, pavarësisht kombësisë, fakti që festimet nuk u shoqëruan, sikundër dyshohej, nga reprezalje ndaj joshqiptarëve, tashmë janë përshëndetur gjerësisht edhe nga majat e diplomacisë botërore dhe kanë çarmatosur ata që pretendonin të kundërtën. Po, atëherë përse lind ky shqetësim?

Në shtypin e Kosovës, por edhe në aktivitete të shkëputura, vihen re shenjat e një lloj nacionalizmi gati-gati primitiv, që jo rrallë është thjesht një gjendje kompensimi ndaj kompleksesh të tjera, më së shumti të shtresëzuar nëpër kohëra. Jo një herë në shtypin e Kosovës, por edhe në deklarime të niveleve të ndryshme, hetohet një bezdi e madhe ndaj prezencës ndërkombëtare, që realisht ka pjesën e luanit në administrimin e Kosovës, krahasuar me qeveritarët vendas. Një opinionist i respektuar nuk matet shumë që të vërë re se shumë prej këtyre ndërkombëtarëve nuk e njohin sa duhet Kosovën (kur s‘na njohin, s‘kanë pse vijnë, hapej para ca ditësh një prej gazetave më autoritare të Kosovës). Lind pyetja: Po ata bij nënash që të thirrur nën armë këtu e dhjetë vjet të shkuara vunë jetën në rrezik për lirinë e Kosovës, a e njihnin më mirë Kosovën vallë? Sigurisht që jo. Pastaj vjen edhe ajo "shakaja" që dëgjohet rëndom nëpër "kafiqat" e Prishtinës UNMIK-ANMIK (kjo fjala e dytë një dialektalizëm i fjalës "armik", që barazohet kështu me inicialet e prezencës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara), nuk është edhe aq për të qeshur.

Ka dy ditë që televizionet transmetojnë kronika nga situata në kufirin Kosovë-Maqedoni, për të cilin priten demarshe të mbetura pending prej dhjetëvjeçarësh. Prapa gjestit individual të fshatarit që hedh përtokë dhe mallkon flamurin e Kosovës, që e paskësh "blerë vetë" (??!!), që nuk mungon të mallkojë edhe paketën (pakon) Ahtisari, nuk është e vështirë të hetohet nënshtresëzimi i një vetëdijeje problematike, sipas së cilës ne mund të bëjmë ç‘të duam, pasi bota (kryesisht nënkupto Shtetet e Bashkuara të Amerikës) na e ka borxh dhe do të na mbështesë në të gjitha veprimet tona, edhe kur ato janë tipike kokëshkreta e marroke. Këtu mund të renditen një sërë faktesh. I tillë është deklarimi dhe krenaria e një "politiqari" të Maqedonisë, se ai na qenka përfshirë në listën e zezë të "State Department", për shkak të aktivitetit të tij në Kosovë dhe kryelartësia e tij, se nëse do "të duhej" do të bënte të njëjtën gjë sërish. Pastaj vijnë deklarata të pafund antigreke në të gjitha nivelet e të shprehurit, përfshi edhe emisionet e humorit. Vihet re një rendje aspak shkencore për të zbuluar se shqiptarët janë më të bukurit, më të mençurit dhe më të dalluarit në rajon. Riaktivizimi i nacionalizmave folklorikë në lidhje me origjinën e shumë personaliteteve të historisë botërore… Po t‘u shtosh këtyre deklarimeve edhe atë që po ndodh në mes partive shqiptare në Maqedoni në atmosferën zgjedhore dhe sherrnajës - provë papjekurie - të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kuptohet se "sythat" e një nacionalizmi primitiv po çelin në këtë pranverë që nuk e kemi sjellë të vetëm.

Nuk mund të kaloj pa risjellë këtu deklarimin e drejtuesit "politik" të një strukture shtetërore në Tiranë. I pyetur nga gazetari nëse ishte e nevojshme që të blihej gjak në Evropë, sipas propozimit të specialistëve, pra për një çështje thellësisht administrative, ai, "sypatrembur", përgjigjet: "E ç‘na duhet ne gjaku evropian? Ne kemi gjakun tonë, atë shqiptar dhe nuk ka në botë më të mirë se sa gjaku shqiptar!" (??!!)

Është e njohur tashmë se zhvillimet globale, në të cilat po përfshihemi edhe ne, edhe pse ngjan paradoksale, shoqërohen në mënyrë inkoshente nga fuqizimi i ndjesive lokale dhe kombëtare. Ata që i studiojnë këto fenomene, theksojnë se ky është një reagim mbrojtës ndaj rrezikut evident të humbjes së individualitetit. Pra, edhe ne nuk ka se si t‘i shpëtojmë këtij fenomeni dhe për këtë lipset më shumë energji të harxhojmë për kulturën tonë kombëtare. Vihet re se sjellja e politikanëve kryesorë dhe me më shumë reputacion ndaj zhvillimeve dhe dukurive përgjithësisht ka qenë i matur dhe është provë e pjekurisë, por edhe e asistencës së pandërprerë ndërkombëtare. Ndryshe nga iluzionet e krijuara, kjo asistencë sa më shumë të kalojë koha aq më tepër do të rritet, nëse ne me të vërtetë do t‘i qëndrojmë rrugës së integrimit. Ja pse, në vend që të ushqejmë ringjalljen e nacionalizmit primitiv, do të ishte ku e ku më me vlerë angazhimi serioz i të gjithëve për krijimin dhe kultivimin e vlerave tona vetanake profesionale dhe institucionale, që të bëhen konkurruese në realitetet me të cilat ballafaqohemi.

Sepse është e vërtetë që shpesh jemi ndjerë të lodhur e të pakënaqur nga asistenca jo përherë e vyer e ndërkombëtarëve, por përballë bezdisë së kësaj prezence, të mos harrojmë asnjëherë se është i gjallë rreziku që ata të cilët kanë marrë përsipër të na drejtojnë, edhe për shkak të brishtësisë së institucioneve, lehtësisht mund të kthehen në agallarë të babëzitur, pra të rimishërojnë sërish arketipin e vërtetë dhe ende të gjallë të politikanit ballkanas.

(vijon)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›