Dita e tretë, rëndohet gjendja shëndetësore e grevistëve
Mjekët thonë se kanë nisur çrregullimet e para të tensionit si dhe ka probleme me personat që vuajnë nga diabeti ndërkohë që pritet rëndimi i situatës
TIRANË- Nuk i sheh më të dalin nga çadra për të përshëndetur të afërmit e tyre apo dhe mbështetësit që qëndrojnë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Nuk flitet më me zë të lartë apo të marrin pjesë në debate të ethshme, kur sigurisht kryefjala është çfarë do të sjellë e nesërmja.
Qëndrojnë gjysmë të shtrirë në krevatet portative dhe më së shumti merren vesh me sy me njëri-tjetrin.
Dita e tretë e grevës ka nisur frikshëm të lërë pasojat e saj. Paçka se shumica e 200 grevistëve janë vajza dhe djem të rinj, uria duket se do jetë frika më e madhe të cilën duhet të mposhtin. Ndaj dhe pjesën më të madhe të kohës qëndrojnë të shtrirë dhe të vetmit njerëz që sheh që enden nëpër çadra janë mjekët që rendin sa tek një shtrat në tjetrin. Ndërsa disa vajza rreken të plotësojnë çdo dëshirë të grevistëve.
Bëhet fjalë për sende minimale të higjienës, ujë dhe lojëra të ndryshe ku janë e vetmja mënyrë që vrasin kohën 200 grevistët. Kur, në podiumin e improvizuar, nuk ka fjalime të liderëve politike, apo edhe mbështetësve kjo është e vetmja mënyrë që kalon koha në çadrat e improvizuara në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Por nga ajo sa thonë mjekët në ditët që do të vijnë dhe kjo do të jetë pothuajse e pamundur.
Por për fat të mirë, dje nuk ka pasur asnjë komplikacion të rëndë. Kjo nuk do të thotë kurrsesi se kështu do të jetë dhe e nesërmja. Sipas mjekëve, problemet më të shumta shëndetësore janë konstatuar tek njerëzit që vuajnë nga diabeti. Dhe duket se nga grevistët pacientë të tillë nuk janë të paktë.
Mjekët sqarojnë se këtyre grevistëve u është dhënë ndihma e duhur mjekësore, ndërkohë që shenja të tensionit dhe hipertensionit pothuajse kanë filluar të konstatohen tek secili prej tyre.
Përveç tre mjekëve që pothuajse bëjnë shërbim 24 orë në çadrat ku ndodhen 200 grevistët herë pas herë për to, kujdeset dhe mjeku Sabit Brokaj. Më shumë se sa bindjet politike, profesioni duket se bashkon mjekun me grevistët.
I viziton, qëndron një copë herë me ta, ku sigurisht nuk mungojnë këshillat e tij për të përballuar këtë situatë që ndodhen. Brokaj thotë se gjendja e grevistëve pritet të rëndohet. "Janë vënë re çrregullime të diabetit, të ekuilibrit, dhimbje barku si dhe disa probleme.
Natyrisht mund të ketë edhe më shumë shqetësime nga ato që paraqesin, pasi në aspektin moral ata mbahen aq mirë, aq fortë saqë edhe maskojnë ndonjë shqetësim. Gjithsesi me këto probleme konsiderohet aktualisht situatë pa rreziqe.
Por situata mund të rëndohet sepse dihet që mbas 72 orësh pa marrë produktet jetësore, fillojnë probleme që kanë risqe shëndetësore"- shpjegon mjeku Sabit Brokaj.