E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olta Xhaçka: Greva, sakrificë ndër më sublimet

Deputetja e PS-së rrëfen vështirësitë e grevës së urisë si një grua duke e konsideruar vetëflijimin sakrificën më të madhe për të ardhmen e vendit


TIRANË- Asnjëherë në jetën e saj nuk e kishte menduar se do të detyrohej të rrinte orë pa ngrënë, e jo më, net të tëra.


Jo vetëm se nuk është vajza që për hir të hireve ia vlente një mundim i tillë, por mbi të gjitha kurrë nuk mendon se të bërit politikë do thotë se kesh si alternativë të vetme vetëflijimin.


Olta Xhaçka, qoftë edhe për hir të shkollimit të saj në tempullin e demokracisë, (në Shtetet e Bashkuara të Amerikës), besonte se beteja politike bëhet në faltoret e parlamentit, sigurisht me rregulla të qarta loje, ku pikësëpari nuk vihet në pushtet nëpërmjet vjedhës së votës. E mendonte krejtësisht ndryshe betejën e saj politike dhe kurrsesi në mes të bulevardit duke pasur si alternative të vetme vetëflijimin.


Por opozita duket se nuk ka alternative tjetër, po kështu as Olta Xhaçka. Sytë i ka të lodhur, fjalët i lëshon ngadalë e pasditen e djeshme thuajse nuk është ngritur nga krevati.


Por vetëm fiziku duket se po e braktis deputeten e re të Partisë Socialiste. Të njëjtën gjë nuk mund të thuash kurrsesi për bindjen e saj dhe luftën që duhet të bëjë në mbrojtje të kauzës së saj.


Duket se çdo ditë që kalon kjo kauzë bëhet më e fortë, dhe qëndrimet e saj janë ridimensionuar krejtësisht."Duke qëndruar këtu, dhe duke mos pasur mundësi të flasësh apo dhe të lëvizësh se forca po na lë, njeriu ridimensionohet me veten. Kupton se kë duhet të vlerësosh dhe kë jo, se sa e rëndësishme është kauza jote.


Me ty nuk është vetëm njeriu që ke në krah të krevatit, që është simpatizant i partisë, por qindra të tjerë që janë gati të bëhen pjesë e luftës tënde. E natyrisht kjo të jep forcë për të vazhduar deri në fund betejën që kemi nisur,"- të thotë Olta Xhaçka. Ashtu si 21 deputetet e tjerë të partisë Socialiste, Xhaçka e quan një detyrë, pjesëmarrjen në grevën e urisë.


Fakti që ata janë të zgjedhurit e popullit, për Oltën do të thotë që përfshirja në grevë është pjesë e misionit të tyre për arritjen e standardeve të demokracisë. Për hir të këtij misioni është ekzistenca e saj në politikë.


Ashtu si edhe për të gjithë pjesëmarrësit e kësaj greve urie, edhe për Oltën kjo grevë nuk është gjë tjetër veçse një sakrificë, dhe kjo ndër më sublimet, që është marrë ndonjëherë në jetën politike të këtij vendi.


Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë ka deklaruar dje masat e marra në shërbim të 200 grevistëve


Pipero : Asistencë mjekësore për grevistët e urisë


TIRANË- Autoritetet e shëndetit të Tiranës kanë vënë në dispozicion të tyre tre autoambulanca të pajisura me personel mjekësor dhe mjete të nevojës urgjente për deputetët dhe përkrahësit e tjerë grevistë.


Megjithëse kjo ndihmë duket se nuk është pranuar nga organizatorët e grevës, Pëllumb Pipero, Drejtor i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë ka deklaruar se shërbimi i ofruar nga bluzat e bardha nuk do të mungojë. "Pas përfundimit të protestës, dhe fillimit të grevës së urisë, ne menjëherë kemi marrë kontakt me autoritetet drejtuese të grevës së urisë.


Është e pamundur që një ekip mjekësh që janë në cilësinë e vullnetarit aty, mund ta mbulojnë një grevë urie të këtyre përmasave me kapacitet e tyre, dhe njëkohësisht u deklaruam se shëndeti i tyre është përgjegjësia jonë në këtë rast.


Ju këshilluam që gjithsesi ata duhet të bëjnë dhe një verifikim të personave që kanë në grevë urie, sa prej tyre kanë sëmundje kronike dhe këto të na i japin sepse ndryshe shkon shëndeti me një të sëmurë në grevë urie, dhe ndryshe shkon shëndeti për një person të shëndosh",- tha Pëllumb Pipero, drejtor i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, stafi mjekësor do të qëndrojë pranë grevistëve dhe është gati të asistojë në çdo moment kur të jetë i nevojshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›