E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha nuk kalon dot mbi trupat tanë

Kryetari i PS-së i ka kërkuar policisë të mos bëhet preh e tekave të pushtetit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të përgatiten për të rezistuar deri në fund.


TIRANË- Betejë e një populli të tërë që nuk do të ndalet. Kështu e ka quajtur kreu i Partisë Socialiste Edi Rama përpjekjen e 200 grevistëve të ngujuar në çadrat e vendosura para kryeministrisë dhe mijëra qytetarëve të tjerë që kanë vendosur të protestojnë çdo ditë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për transparencën e votës, ndërsa i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit që të respektojë uniformën e vet dhe të mos bëhet preh e tekave të pushtetit.


Opozita ka mbyllur dje ditën e tretë të protestës së saj maratonë, ku krahas grevës së urisë, ka zhvilluar edhe një miting nëpërmjet të cilit qytetarë, drejtues partish dhe deputetë socialistë kanë përcjellë mesazhin se rezistenca do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës për të hapur kutitë e votimit.


Rama


Qindra qytetarë nga Tirana dhe Durrësi i janë përgjigjur dje thirrjes së opozitës për të protestuar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për të njëjtat arsye për të cilat edhe 200 deputetë dhe mbështetës të tyre, prej tre ditësh janë ngujuar në greve urie, pra bërja e transparencës së zgjedhjeve si mundësia e vetme për të shpëtuar demokracinë në vend.


Duke përshëndetur qytetarët e pranishëm në këtë miting, kreu socialistë Edi Rama i ka përcjellë një mesazh të qartë Policisë së Shtetit, e cila prej dy ditësh i dërgon letra zyrtare selisë rozë për të zhbllokuar bulevardin.


Duke e konsideruar këtë një provokim të hapur ndaj atyre qytetarëve që kanë vendosur të sakrifikohen për institucionin e votës, shefi i selisë rozë i ka bërë thirrje uniformave blu që ti shërbejnë shtetit dhe jo siç e quajti ai pushtetit të Berishës.


"Dy fjalë për një provokim aspak të zgjuar që kërcënon, jo ne por kërcënon integritetin e policisë së shtetit. Dua t'ju bëjë një apel drejtuesve të policisë së shtetit, të cilëve ju shpreh respekt, ju kam dhënë dhe ju jap publikisht mbështetjen time dhe mbështetjen tonë. Ne nuk jemi në këtë betejë me shtetin e të gjithëve, por me pushtetin e disave.


Dhe policia është shteti i të gjithëve, nuk është e pushtetit të disave", - tha Rama në fjalën e vet. Sipas tij, policia duhet të respektojë uniformën e vet dhe të vihet në funksion të qytetarëve që kësaj here kanë dalë në shesh për të kërkuar hapjen e kutive.


"Të mos e djegin më atë uniformë për asnjë tekë, për asnjë aluçinacion, që mund tu lindi në mend pushtetit të çoroditur. I cili është i dëshpëruar dhe mund të bëjë shumë veprime të dëshpëruara", - tha Rama. Duke ju referuar kërkesave të policisë së Tiranës për të zhbllokuar bulevardin, kryesocialisti u shpreh se është bashkia dhe jo qeveria ajo që vendos për hapësirat publike të një qyteti.


Ndër të tjera kryetari i socialistëve u beri thirrje qytetarëve të përgatiten për të rezistuar deri në fund, duke paralajmëruar se beteja për votën do të jetë e gjatë. "Përgatituni për të rezistuar, sepse beteja jonë mund të jetë e shkurtër nëse Berisha do të reflektojë shpejt, por do të jetë edhe e gjatë nëse jo nuk ndodh.


Asnjë krevat nuk do të ngelet bosh por një do dali e 5 të tjerë do të hyjnë në grevë urie. Protesta kërkon rezistencë, kërkon durim, kërkon vullnet, kërkon sakrificë, ndërkohë secili prej nesh e ka shembullin. Shembulli janë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që janë këtu në këto çadra dhe që na tregojnë se për arsyen që protestojnë, janë gati të vetësakrifikohen.


E pra kur ata janë gati të vetësakrifikohen, nuk ka sesi ne të tjerët që jemi jashtë këtu në Tiranë, në Kukës, në Shkodër, në Lezhë, në Elbasan, në Berat, në Vlorë, në Sarandë, të mos jemi gati për të protestuar duke ndenjur në këmbë për ti thënë këtij pushteti që nuk kalon dot mbi trupat tanë, por hap kutitë ose largohu", - tha Rama.

Protesta


Protestën e djeshme e kanë përshëndetur edhe një numër jo i pakët deputetësh dhe figurash të tjera të opozitës të cilët i kanë dhënë kurajo qytetarëve për të ndenjur në këmbë derisa mazhoranca të pranojë të hap kutitë.


"Ne do të vazhdojmë deri në fund të qëndrojmë të gjithë sëbashku në të gjithë Shqipërinë", - tha deputeti i Tiranës Namik Dokle. Ndërsa deputeti tjetër Erion Braçe është shprehur se Berisha nëpërmjet mohimit të së drejtë për të bërë transparencën e votave po u mohon shqiptarëve të drejtën për të jetuar më mirë.


"Nuk mund ta tolerojmë më Sali Berishën, të na mohojë edhe të drejtën më elementare, të drejtën për transparencë të votave. Gënjen kur ju thotë shqiptarëve që ju jetoni më mirë",- deklaroi Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›