Bare: Ndërkombëtarët të na mbështesin

Intervista/ Kreu i Partisë Socialiste të Tiranës, Besnik Bare tregon orët e ngujimit në greve urie
Z. Bare u bënë më shumë se 48 orë që keni vendosur të refuzoni ushqimin në shenjë proteste për mospranimin nga ana e qeverisë për të bërë transparencën e zgjedhjeve.
Si ndiheni me shëndet, keni filluar të keni probleme?
Duke filluar nga dje (e shtunë) jo vetëm unë, por një pjesë e konsiderueshme e pjesëmarrësve në grevë iu filloi një dhimbje koke, e cila sipas mjekëve me të cilët u konsultuam është e zakonshme pas një dite, që mungon ushqimi. Mjekët na thanë gjithashtu se më pas fillon dhe krijohet një gjendje tjetër që kapërcehet.
Sot (e diel) është vënë re se një pjesë e pjesëmarrësve në këtë greve kanë pasur ulje dhe ngritje të tensionit të gjakut, por ku natyrisht dominon ulja e tij, kjo si duket për shkak të mungesës së ushqimit. Përgjithësisht ajo që është e rëndësishme është vendosmëria e të gjithë shokëve për të qëndruar dhe kurajimi i njëri-tjetrit.
Kjo na bënë më të vendosur duke qenë bashkë dhe duke inkurajuar njëri-tjetrit, aq më shumë që jemi futur për një problem që nga pikëpamja morale është problemi më i rëndësishëm në historinë e tranzicionit shqiptar, ku me kaq një forcë një komunitet kaq i madh shprehet për të vendosur atë që është themelore në demokraci, vendosjen e votës së lirë.
Në përgjithësi në të gjitha vendet ku funksionon demokracia prioritet ka transparenca dhe të gjithë ligjet ndërtohen në bazë të këtij parimi, pra për të siguruar transparencën. Ndërsa në sistemet ku ka tendencë për diktaturë ndërtohen ligje për të kufizuar transparencën.
Është pikërisht ky ndryshimi i filozofisë tonë me atë të Sali Berishës. Filozofia jonë është për zhvillimin e një demokracie të qenësishme dhe jo i një demokracie të rreme. Pikërisht në funksion të kësaj demokracie të rreme, Berisha kërkon të vendosë ligje që kufizojnë transparencën.
Keni filluar të merrni serum apo vijoni të merrni vetëm ujë?
Vazhdojmë të marrim ujë, ku përziejnë dhe krip në mënyrë që të kompensojmë humbjen e kripërave që janë esenciale për organizmin.
Por unë do të thosha se duke filluar që nesër (sot) do të fillojnë të shfaqen dhe situata të rënda. Dje (të shtunën) një kolege deputete ka pasur dhimbje të forta koke të shoqëruara dhe me të vjella, çka kërkoi dhe ndërhyrjen e mjekëve për ta stabilizuar këtë situatë.
Djali juaj ju ka sjellë sot (dje) një fletore....
Nuk e di kush e ka përhapur këtë por për mua ai moment ishte shumë emocionues. Më solli një fletore ku kishte bere vizatime dhe kishte thurur një histori që është aq e sinqertë siç janë të sinqertë fëmijët.
Ndaj dua të them se një nga arsyet kryesore, pse unë jam këtu është bindja se ne mund ta ndërtojmë Shqipërinë, të ngjashme si gjithë vendet e tjera të zhvilluara dhe për të siguruar të ardhmen e fëmijëve tanë në mënyrë që ata të mos e braktisin këtë vend.
Kur kanë kaluar dy ditët e para të grevës nuk kemi pasur asnjë reagim nga ana e mazhorancës lidhur me grevën dhe plotësimin e kërkesës tuaj. Çfarë prisni?
Mazhoranca vazhdon të sillet në mënyrë të ngjashme sikurse u soll edhe kur u futem ne në parlament, me cinizëm, me fyerje.
Jo vetëm kaq po mazhoranca bënë provokime që janë indinjuese dhe banale të cilat na kujtojnë provokacionet që në kohën e Hitlerit bëheshin për të implikuar kundërshtarët e tij në mënyrë që më pas ai të justifikonte dhunën.
Kam parasysh këtu atë lajm të pamoralshëm që dëgjuam se gjoja një protestues ka dashur të djegë flamurin e NATO-s.
Kjo është një gënjeshtër, një manipulim që ata kërkojnë ti bëjnë opinionit ndërkombëtar për ti treguar se opozita është kundër NATO-s. Ndërkohë që ne në të gjitha qëndrimet që kemi mbajtur kemi qenë shumë pozitiv dhe shumë bashkëpunues dhe shumë investues që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s.
Djegia e flamurit mua më kujton ato inskenime që bënte Adolf Hitleri për të dhunuar kundërshtarët e tij. Sigurisht nuk ka përmasat e djegies së Raishtagut, por shpesh herë ai implikonte kundërshtarët e tij me ngjarje të tilla banale. Ndaj është turp për PD-në dhe për të gjithë ata që kanë inskenuar këtë situatë.
Sot nis në Bruksel një takim i Komitetit Ndërparlamentar për Stabilizim Asociimin BE-Shqipëri. Prisni që zgjidhja të vijë pikërisht nga faktori ndërkombëtar?
Ne do të qëndrojmë këtu deri sa ky problem të zgjidhet sepse mendojmë se kemi të drejtë. Jo vetëm ne por edhe nga krahu i djathtë kërkojnë që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse kjo është një garanci për të ardhmen e tyre.
Nëpërmjet këtij qëndrimi ne do të vijojmë të sensibilizojmë opinionin shqiptar edhe përtej asaj pjesëmarrje që sikurse u vlerësua edhe nga mediat ndërkombëtare ishte një det njerëzisht në Tiranë. Por njëkohësisht ne nëpërmjet këtij qëndrimi i përcjellim një mesazh të qartë edhe faktorit ndërkombëtar se ne po luftojmë për ato leksione që ata na kanë mësuar.
Ata duhet ta dëgjojnë zërin e opozitës sepse këtu nuk bëhet fjalë për interesat personale, por bëhet fjalë për ato që ata i kanë vlerësuar si kritere themelore për futjen e vendit në Bashkimin Europian. Ne nuk kërkojmë gjë tjetër veç kësaj ndaj kërkojmë prej tyre mbështetje.
Askush nuk dëmtohet nga hapja e kutive, përkundrazi ne kërkojmë të aplikojmë atë demokraci që këto vende e kanë aplikuar prej dekadash. Në këtë mënyrë ne realizojmë edhe ato standarde që ata kanë realizuar prej kohësh në vendet e tyre.
Policia e Shtetit ka bërë publike një korrespondencë të gjatë me ju lidhur me lejen për realizimin e kësaj proteste maratone në bulevard. Si qëndron e vërteta, a keni marrë ju leje?
Ne kemi plotësuar gjithçka konform ligjit. Ne kemi njoftuar Policinë e Shtetit për protestën. Por si duket policia gjendet mes dy zjarreve, është presioni që i bënë kryeministri Berisha për të ndaluar me çdo kusht këtë protestë që është shumë e lexueshme në sytë e faktorit vendas dhe atij ndërkombëtar. Ne kemi bërë kërkesë jo për një ditë, por kemi bërë për vazhdimësi.
I kemi thënë policisë se do t'ju njoftojmë 24 orë përpara lidhur orën dhe ditën e përfundimit të protestës. Ndërkaq ka një dallim të madh mes mitingjeve që bëjmë ne dhe atyre që bënte PD-ja. Mitingjet tona janë qytetare dhe civile dhe nuk ngjasojnë aspak me goditjen dhe djegien e kryeministrisë siç është bërë gjatë protestave të PD-së.
Policia thotë se duhet njoftuar 24 orë para për çdo ditë proteste...
Mesa jam informuar unë kolegët e mi janë duke i bërë ato kërkesa, ndonëse unë jam i bindur se është kryeministri Berisha ai që i udhëzon drejtuesit e policisë, në mënyrë që në të gjitha format të pengojë këtë drejtë që është një e drejtë e gjithë shqiptarëve që kërkojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në këtë vend.
Intervistoi:
Kërkesa
Ne nuk kërkojmë gjë tjetër veç kësaj ndaj kërkojmë prej tyre mbështetje. Askush nuk dëmtohet nga hapja e kutive, përkundrazi ne kërkojmë të aplikojmë atë demokraci që këto vende e kanë aplikuar prej dekadash. Në këtë mënyrë ne realizojmë edhe ato standarde që ata kanë realizuar prej kohësh në vendet e tyre.
Leja nga Policia
Mesa jam informuar unë kolegët e mi janë duke i bërë ato kërkesa, ndonëse unë jam i bindur se është kryeministri Berisha ai që i udhëzon drejtuesit e policisë, në mënyrë që në të gjitha format të pengojë këtë drejtë që është një e drejtë e gjithë shqiptarëve që kërkojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në këtë vend.
Policia shoqëron përkrahës të PS-së që protestuan. PS: Jo presion mbi protestuesit
Shkodër, shoqërohen në polici përkrahës të PS-së
SHKODËR- Janë 10 përkrahës të Partisë Socialiste, që ndryshe nga dy ditë më parë ku morën pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë, dje janë shoqëruar nga policia e Shkodrës si dëshmitarë të pranishëm në aktet e dhunës, që janë ushtruar të shtunën, pikërisht në këtë protestë.
Në fakt nuk dihet se cilës akt dhune i referohet vetë policia e Shkodrës, ku pikërisht të shtunën e vetmja dhunë që u pa ishte ajo e kordonit të policisë ushtruar ndaj minatorëve.
Deputeti i PS-së për qarkun e Shkodrës, Astrit Beci është shprehur dje në mbështetje të militantëve të kësaj force politike. Janë 10 persona nga Shkodra, militantë e përkrahës të PS-së, pjesëmarrës në protestën e PS-së nisur më 30 prill, që janë thirrur për të dëshmuar në policinë e Shkodrës. Deputeti i PS-së, Astrit Beci ka theksuar se "do të jemi në përkrahje të përkrahësve tanë gjatë gjithë kohës. Uroj që kjo të mos jetë një presion.
Ne nuk do ndalemi për asnjë arsye nga presionet, por do të vazhdojmë protestat tona paqësore dhe lëvizjen tonë qytetare, nuk do ndalemi por do të përkrahim gjatë gjithë kohës përkrahësit tanë" . Arsyeja e marrjes në pyetje, sipas shkresës së policisë, është marrja e të dhënave të dobishme për hetimin.
Deputeti i PS-së sqaroi se nuk është bërë i qartë objekti i hetimit, megjithatë përkrahësit socialistë do të paraqiten në respektim të ligjit dhe shtetit, me prani të avokatëve. "Uroj që policia e shtetit të mos bëjë presion dhe të mos ndërhyjë në protestat tona paqësore",- tha ai.
Lidhur me këtë shqetësim të shprehur nga ana e deputetit të PS-së së Shkodrës, por edhe shoqërimit të 10 përkrahësve të PS-së në mënyrë krejt të beftë, kanë reaguar edhe drejtuesit e policisë së Shkodrës.
Ata janë shprehur se protestuesit janë thirrur për tu pyetur në cilësinë e personit, që kanë dijeni për ngjarjen, pasi janë identifikuar si të pranishëm në aktet e dhunës që janë ushtruar të shtunën në Tiranë në protestën e zhvilluar nga PS-ja. "Nuk janë të akuzuar por po pyeten si persona të pranishëm në vendin e ngjarjes, si dëshmitarë",- thanë burime nga policia e Shkodrës.
Policia e kryeqytetit ankohet për protestën e opozitës dhe kërcënon sërish me ndjekje penale për grevistët e urisë
Policia: Protesta po pengon trafikun rrugor
TIRANË- Policia e Tiranës është ankuar edhe një herë dje me pretekstin se protesta e Partisë Socialiste dhe greva e urisë e 200 njerëzve po pengon qarkullimin rrugor në kryeqytet.
Nëpërmjet një shkrese që i është dërguar dje kreut të PS-së së Tiranës, Besnik Barajt, thuhet se socialistët nuk kanë zbatuar ligjin për tubimet pasi duhet të dërgojnë çdo ditë njoftim për protestën dhe jo vetëm ditën e parë.
Policia i referohet një neni të ligjit, i cili çuditërisht nuk thotë në asnjë rast se duhet të merret leje çdo ditë. "Dëshirojmë t'ju sqarojmë se bllokimi i bulevardit "Dëshmorët e Kombit" ka cenuar rëndë situatën e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës në këtë fundjavë dhe vazhdimi i bllokimit të tij edhe më tej, kur trafiku rrugor shtohet, do të vazhdojë të përkeqësojë gjendjen.
Ju përsërisim se vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, përbën vepër penale të parashikuar në nenin 293 të Kodit Penal. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për zhbllokimin e rrugës",- thuhet në letrën e kreut të policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.
Në një tjetër letër, dërguar kryetarit të PS-së dhe bashkisë së Tiranës, Edi Rama, policia shpreh shqetësimin e saj për një tjetër bllokim rruge që shkaktohet nga punimet në sheshin "Skënderbej". Sipas policisë, edhe këto punime duhet të ndërpriten. Në letër përmenden një nga një akset rrugore të kryeqytetit si dhe trafiku i krijuar në to.
Duke parashikuar një bllokim tjetër të trafikut, policia kërkon nga Bashkia e Tiranës gjetjen e një skeme të re lëvizjeje. Por ankesa më "e çuditshme" e policisë së Tiranës është ajo për ndihmën që po i jepet.
Për të ndihmuar, në trafik janë angazhuar edhe efektivët e Policisë Bashkiake të kryeqytetit."Dëshiroj të ju kujtoj se këto veprime vijnë në kundërshtim me misionin dhe detyrat e Policisë Bashkiake dhe në shkelje flagrante me Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë",- thuhet në letrën e nënshkruar nga Tonin Vocaj. Kjo letër mban datën 27 prill 2010.